Foto nga VCG
Tsesogyal ka qenë veçanërisht i emocionuar gjatë patrullimeve të tij të fundit në Hoh Xil (Hoh Shil), në provincën Qinghai, pasi ai tani mund t'i dërgojë përditësime të shpeshta vajzës së tij. Me ndihmën e një stacioni bazë 5G, ai mund të telefonojë vajzën e tij dhe t'i dërgojë asaj foto të antilopave tibetiane që enden në brendësi të Rrafshnaltës Qinghai-Tibet.
I vendosur në një lartësi mesatare prej më shumë se 4600 metra në Parkun Kombëtar Sanjiangyuan, Rezervati Natyror Hoh Xil kishte vuajtur prej kohësh nga mungesa e sinjaleve të komunikimit, me përjashtim të rrugës përgjatë autostradës Qinghai-Tibet.
"Hyrja në rezervatin natyror do të thoshte të ishe i izoluar nga bota e jashtme, veçanërisht në zonën e liqenit Drolkar. Patrulluesit mund të kontaktonin familjet e tyre vetëm përmes telefonave satelitorë," thotë Tsesogyal, një patrullues 27-vjeçar i Hoh Xil.
Nën mbrojtjen e shtetit të klasit të parë në Kinë, antilopat tibetiane, një specie dikur e rrezikuar, gjenden kryesisht në rajonin autonom të Tibetit, në provincën Qinghai dhe në rajonin autonom të Xinjiang Uygur.
Aktualisht, sezoni i shumimit të antilopave tibetiane është duke u zhvilluar. Çdo vit, dhjetëra mijëra antilopa tibetiane shtatzëna fillojnë migrimin e tyre në Hoh Xil nga maji për të lindur. Zona e liqenit Drolkar në Hoh Xil është një vendlindje e rëndësishme e specieve.
Më 31 maj, një stacion bazë 5G filloi funksionimin në stacionin e ruajtjes së liqenit Drolkar. Kjo do të thotë që një rrjet 5G tani mbulon qendrën e zonës së trashëgimisë natyrore të UNESCO-s.
"Është një hap i rëndësishëm i kërkimit të Parkut Kombëtar Sanjiangyuan(San xhia juan) për mbrojtjen inteligjente ekologjike," thotë Sun Lijun, zëvendësdrejtor i administratës së parkut.
Sun vëren se, bazuar në faktorët gjeografikë dhe kërkesat e monitorimit ekologjik, parku zgjodhi të ngrejë stacionin bazë 5G në zonën e Liqenit Drolkar, i cili mund të monitorojë më mirë migrimin dhe shpërndarjen e antilopave tibetiane.
Guo Xuehu, nëndrejtor i stacionit të ruajtjes së Liqenit Drolkar, gjithashtu përshëndet krijimin e stacionit bazë 5G.
"Stacioni i ruajtjes shpëton një numër viçash çdo vit. Tani mund të kemi video-telefonata me veterinerë profesionistë përmes celularëve për të marrë udhëzime në kohë për trajtimin e viçave të sëmurë," thotë Guo, duke shtuar se rrjeti 5G gjithashtu ndihmon në pasurimin e jetës së patrulluesve.
Për të minimizuar ndikimin ekologjik të ndërtimit të stacionit bazë 5G, dega Qinghai e gjigantit të telekomunikacionit China Mobile prezantoi për herë të parë transmetimin me mikrovalë me gjerësi bande të madhe dhe në distanca të gjata në zonat e larta dhe të pabanuara.
Shkalla maksimale e transmetimit brenda zonës së mbulimit 5G të Liqenit Drolkar arriti në 860 megabajt për sekondë, sipas Hu Bo, nga kompania.
Në të ardhmen, më shumë stacione bazë 5G pritet të ndërtohen në rezervatin natyror. Teknologjitë më të avancuara, të tilla si patrullimi në distancë 5G dhe helikopterët, do të futen për të rritur aftësitë kundër gjuetisë pa leje dhe monitorimin e rezervës.