Ejza Hoxha (Foto nga instagrami)
Në muajin qershor u zhvillua Festivali “Interpretuesit e rinj” edicioni 14-të i cili ka si kryefjalë muzikën. Këtë vit në festival morën pjesë me dhjetëra konkurentë nga e gjithë Shqipëria. Festivali ka pasur progres si në mënyrën e organizimit, por edhe të talenteve pjesëmarrës. Ka vite që familja Kaçinari ndërmerr një nismë kaq të rëndësishme siç është edhe ky aktivitet, ku fëmijët mund të shpalosin talentin e tyre. Në këtë aktivitet konkurruan fëmijë nga mosha 6 vjeç por dhe të rritur deri në moshën 25 vjeç. Me çmimin e parë në zhanrin e këngës u shpall artistja e re Ejza Hoxha. Për Ejzën kjo nuk është hera e parë që vlerësohet me çmime, pasi ajo ka fituar shumë të tilla. Në intervistë për Radio Ejani, Ejza tregon për emocionet e skenës, për çmimin e parë të fituar së fundi, si dhe çmimet e fituara ndër vite.
Ejza Hoxha me artisten e madhe MArgarita Xhepa (Foto personale)
CMG: Urime për çmimin! Më trego më tepër rreth këtij çmimi që të bëri ty fituese
Ejza Hoxha: Gati prej dy vitesh unë jam pjesë e një kursi kënge me mësuese Alma Strazimiri, e cila më fton që të jem pjesë e çdo aktiviteti dhe konkursi mbarëkombëtar, ku zakonisht kam fituar çmime të treta, të dyta dhe të para. Me thënë të drejtën nuk kam punuar edhe aq shumë me këngën sa kam punuar me aktrimin, por jam në punë e sipër për t’u bërë një këngëtare shumë e mirë. Për mua nuk ka shumë rëndësi që të fitoj çmime të para, por që të bëhem pjesë e atij konkursi.
CMG: Ti ke konkuruar në talent show të ndryshëm, por cili të ka mbetur në mendje? Çfarë do të veçoje?
Ejza Hoxha: U bëra pjesë e atij konkursi falë mësueses time Alma Strazimiri dhe si çdo fëmijë tjetër që mori pjesë që nga mosha 6 vjeç si dhe të rriturit deri në 25 vjeç. Në juri ishte familja Kaçinari dhe mësuesja ime. Aty konkurova, por nuk e mendoja që do fitoja çmimin parë. Nga të gjitha konkurimet unë do të veçoja “Top-Talent 3 Albania” në Top Channel, si dhe në “Stand Up Albania” . Është kënaqësi kur ke në juri profesor Erion Kriston, apo profesor Leonard Bombaj është një kënaqësi shumë e veçantë. Do të veçoja një pjesë që më ka pëlqyer shumë në “Top Talent 3” ku kam qenë me të gjithë emocionet e mia mendërisht, shpirtërisht, fizikisht kur kam interpretuar një monolog, ku bëhej fjalë për një vajzë të vogël Lea, e cila humbi jetën për shkak të tërmetit në qytetin e Durrësit. Kjo ka qenë një nga pjesët më të bukura, një perlë dhe u pëlqye shumë nga të gjithë.
Ejza Hoxha
CMG: Ejza, të kemi parë të interpretosh në disa zhanre të ndryshme të artit si kënga, aktrimi, valle popullore, moderim, etj. Ku e sheh veten ti më të arrirë? Në të ardhmen do vijosh të marrësh pjesë në të gjitha dimensionet e artit?
Ejza Hoxha: Unë veten time e ndjej më shumë në botën e aktrimit, të televizionit Pse mos të bëhem një show girl me të gjitha aftësitë dhe talentet që unë kam si vallja popullore, aktrimi, kënga.
Unë jam çdo ditë në kurse, në aktivitete të ndryshme, në koncerte ku jam e ftuar, por edhe në konkurse, por ndjehem mirë në fushën e artit dhe këtu e shoh veten. Kënga është një talent i imi i zbuluar së fundi dhe dua të vazhdoj edhe këngën, kërcimin, pra do të merrem me të gjitha.
CMG: Ti jeton në Roskovec, si arrin t’i ndjekësh gjithë aktivitetet dhe shkollën njëkohësisht?
Ejza Hoxha: A e dini ju se çfarë do të thotë të sakrifikosh, të të zërë gjumi në autobus, të jesh e lodhur çdo ditë dhe përsëri t’i ndjekësh aktivitetet, kurset, por edhe shkollën duke mos e lënë pas dore. Unë vërtetë jetoj në Roskovec, por sakrifica e mamit tim, e imja, e familjes time është shumë e madhe.
Ejza Hoxha me mësuesen e vet pas fitores së çmimit (Foto personale)
CMG: Si e sheh veten pas 5 vjetësh?
Ejza Hoxha: Patjetër që do vazhdoj këtë rrugë që kam nisur që në moshën 5 vjeçare dhe do vazhdoj në të ardhmen të jem pjesë e artit, pasi është një fushë dhe dritare shumë e bukur për të gjithë.
CMG: Cilat janë planet e tua për në vazhdim?
Ejza Hoxha: Planet e mia janë të shumta, ftesat gjithashtu, por unë dalëngadalë po i ngjis ato shkallë herë të vogla e herë të mëdha, herë të thjeshta, por më shumë të vështira. Dua që dalëngadalë të krijoj imazhin tim, që jam duke e mbushur gjithmonë e më shumë. Planet e mia janë që të bëhem një aktore me famë kombëtare, të jem një këngëtare e mirë, me pak fjalë të jem një show girl, një artiste vërtetë e kompletuar.
CMG: Çfarë mesazhi do jepje për bashkëmoshatarët e tu?
Ejza Hoxha: Kam një mesazh për bashkëmoshatarët e mi; “Nëse keni një pengesë përpara jush, nëse ndjeheni të bllokuar, nëse nuk fitoni një herë apo shumë herë të tjera, mos u dorëzoni kurrë, por vazhdoni të punoni, vazhdoni përpara, sepse vetëm kështu arrihet diçka e madhe, duke punuar.
Ejza Hoxha në Stand Up Albania (Foto personale)
Portret i artistes së re Ejza Hoxha
Ejza Hoxha ka qenë finalist në spektaklin “Top Talent” zhvilluar në Top Channel, në vitin 2021 si dhe finaliste në spektaklin “Stand up Albania”. Në po të njëjtin vit konkuroi në ICF Tirana ku arriti në finale dhe vajza nga Roskoveci arriti të fitojë vendin e dytë si multidimensionale në 5 zhanre, moderim, aktrim, humor, balet, këngëvalle popullore.
Ejza gjithashtu është rritur në Tv Apollon ku është përgatitur në balet, aktrim, moderim, modeling, valle popullore, dancing dhe më pas do të vinte kënga. Në momentin e duhur Ejzës i afrohet pedagogia e Liceut Artistik për të punuar së bashku në këngë. Në shtator të vitit 2021 ajo filloi kursin e këngës ku ecën mjaft mirë. Në muajin qershor 2022 ajo konkuroi në “Tirana Talent” në zhanrin e këngës ku fitoi çmimin e parë, e përzgjedhur nga juria e përbërë nga emra të njohur si Zhani Ciko, Shpëtim Saraçi, Alfred Kaçinari, Manjola Nallbani. Pas kësaj Ejza ka qenë e ftuar në televizione të ndryshme dhe më pas mori pjesë në spektaklin “T’ka mami yll” me profesor Albi Nako. Në shtator të vitit të kaluar Ejza konkuroi në koncertin “Këngët e Vaçe Zelës” në qytetin e Lushnjes ku u vlerësua me çmimin e tretë. Një muaj më pas Ejza konkuroi në Festivalin Kombëtar të këngës për Fëmijë, ku kënga fituese shkon në Junior Eurovizion. Ejza konkuroi me këngën “Plot ëndrra jetën e dua”, me kompozim të Petrit Tërkuçit dhe tekst të poetes Mimoza Tola. Ndërsa në shfaqjen ‘Jehona Shqiptare’ Ejza shkëlqeu me një poezinë ‘Poçari' si dhe me një këngë të Vaçe Zelës.
Intervistoi: Sava Lena