Si përmirësohet strehimi social?
2023-07-04 09:56:53

Aplikimi për strehim social (Foto ATSH)

Aplikimi për strehim social (Foto ATSH)

Më 23 qershor  qeveria shqiptare  paraqiti në Kuvend projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 22/2018 “Për strehimin social”.

Për gati tre dekada tashmë, strehimi social ka hyrë në qendër të politikave sociale dhe po bëhet një çështje gjithnjë e më e rëndësishme dhe e mprehtë sot në Shqipëri. Rritja e nivelit të varfërisë, për shkak të pasojave të tërmetit shkatërrues të 26 nëndorit 2019, të pandemisë nga Covid-19 dhe të rritjes së ndjeshme të inflacionit gjatë vitit 2022, ka sjellë që kërkesat dhe nevojat parësore për strehim të qytetarëve me të ardhura të pakta, të jenë përherë e më shumë në rritje, dhe po kështu janë nevojat për investime në këtë sektor.

 

Strehimi social (Foto A2CNN)

Strehimi social (Foto A2CNN)

Kujdesi ndaj qytetarëve ka qenë dhe mbetet një prioritet i vazhdueshëm i qeverisë, në mënyrë të veçantë kujdesi për familjet e reja, gratë kryefamiljare, personat me aftësi të kufizuara, komunitetet rome dhe egjiptiane.

 

Strategjia për Strehimin Social e Republikës së Shqipërisë 2016-2025 u konceptua në bazë të parimeve orientuese sipas të cilave duhet të ketë një paketë të përgjithshme të strehimit, e cila të jetë e gatshme, e arritshme, e përballueshme financiarisht dhe e përshtatshme për kërkesat bazë të qytetarëve në nevojë.

 

Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, deri më tani, në zbatim të kësaj strategjie, janë alokuar 5.3 miliardë lekë ose mbi 50 milionë euro nga buxheti i shtetit për strehimin social. Që nga viti 2020, çdo vit, mbi 18 mijë familje kanë përfituar nga programet e strehimit social.

Aplikimi i ndryshimeve ligjore të realizuara më 23 qershor 2023, parashikon të sjellë rreth 2 mijë përfitues më shumë me kredi me interesa të lehtësuara, nga kategoritë e familjeve në nevojë dhe të të rinjve, punonjës të administratës shtetërore.

 

Ligji për strehimin social (Foto Portali i Ndërtimit)

Ligji për strehimin social (Foto Portali i Ndërtimit)

Përmes këtyre ndryshimeve ligjore, synohet po ashtu dixhitalizimi i plotë i shërbimit të strehimit social dhe lehtësimi i aplikimeve për programet e strehimit social, duke e bërë procesin më të lehtë për qytetarët, transparent dhe efikas.

Ndryshimet ligjore do t’i japin frymë një procesi të ri të aplikimit për strehim social, duke mundësuar kryerjen e aplikimeve nëpërmjet portalit e-Albania.

Po ashtu është ndërhyrë në përmirësimin dhe rregullimin e procesit të vlerësimit dhe të miratimit të kërkesave për strehim social. Ndryshimet ligjore e bëjnë procesin më transparent dhe më efikas, duke garantuar një përgjigje të shpejtë dhe të drejtë për kërkesat për programet e strehimit social.

Nga ana tjetër, ka lehtësime edhe për grupet vulnerabël, për grupet e minoriteteve Rom dhe Egjiptian, për kategoritë e familjeve pa të ardhura, të cilat kanë hasur  vështirësi në plotësimin të dokumenteve bazë për të përfituar nga  subvencionimi i qirasë. Tashmë ato mund të kryejnë procedura të thjeshtuara dhe pranë njësive të vetëqeverisjes vendore.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 22/2018 “Për strehimin social”, tashmë i shndërruar në ligj, realizon edhe përfshirjen e punonjësve të administratës publike në skemën e programit të subvencionit të interesave të kredive, përmes të cilit ata do të mund të përfitojnë kredi me interes deri në 3 %, ndërsa diferenca e interesit do të subvencionohet nga buxhetit i shtetit.

 

Komuniteti rom-egjiptian dhe strehimi (Foto Reporter.al)

Komuniteti rom-egjiptian dhe strehimi (Foto Reporter.al)

Me ndryshimin e ri ligjor, do të jepet një mbështetje më e madhe për disa kategori specifike, siç është ai i përfshirjes së familjeve të punonjësve të policisë së shtetit të rënë në detyrë dhe grupit që përfiton statusin e fëmijëve në përkujdesje të Republikës, të cilët përveç se përfitojnë kredinë me interes zero për çështje të strehimit, kanë edhe një grant të menjëhershëm, të barabartë me 20 % të vlerës së banesës.

 

Nga ana tjetër, ligji i ri parashikon lehtësime dhe përcaktime të tjera për familjet e reja dhe rrit moshën e përfituesve të rinj në disa nga programet, të cilat aktualisht aplikohen.

 

Fatos Çoçoli