Foto nga VCG
Më 30 qershor, Argjentina përdori të drejtat e posaçme të tërheqjes nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe metodën e pagesës në RMB për të shlyer borxhin e vet të jashtëm prej 2.7 miliardë dollarësh që i detyrohej FMN-së atë ditë. Kjo është hera e parë që Argjentina përdor monedhën kineze RMB për të shlyer borxhin e saj të jashtëm. Një ditë më parë, Banka Qendrore e Argjentinës njoftoi se RMB-ja u bë monedhë e aksesueshme në sistemin bankar argjentinas dhe miratoi hapjen nga institucionet financiare të Argjentinës të llogarive të kursimit në RMB. Guvernatori i Bankës Qendrore të Argjentinës Miguel Ángel Pesce tha: "Ashtu si shumë vende të botës, Argjentina ka qenë gjithmonë optimiste për ndërkombëtarizimin e RMB-së".
Këtë vit, bashkëpunimi midis Kinës e Argjentinës është shpeshtuar. Në prill, Argjentina filloi të paguajë me RMB për mallrat e importuara nga Kina, kurse në fillim të qershorit, të dy vendet rinovuan marrëveshjen e shkëmbimit të monedhës në një vëllim 130 miliardë juanë dhe rritën kufirin e shumës së përdorshme lirisht nga 35 miliardë juanë në 70 miliardë juanë. Komisioni i letrave me vlerë i Argjentinës miratoi gjithashtu emetimin e letrave me vlerë në RMB në tregun vendas.
Tani Kina është një nga partnerët kryesorë të Argjentinës. Në vitin 2022 vëllimi i tregtisë dypalëshe arriti në 21 miliardë e 370 milionë dollarë amerikanë, duke e kaluar për herë të parë nivelin 20 miliardë. Me parakushtin e respektimit të zgjedhjeve të pavarura të tregut, ndërmarrjet kineze dhe ato argjentinase do të përdorin më shumë RMB, gjë që do të pakësojë koston dhe do të ulë rrezikun e këmbimit valutor, duke nxitur tregtinë dypalëshe.
Argjentinën përdorimi i RMB-së do ta ndihmojë të zgjidhë problemet urgjente brenda vendit. Vitet e fundit, Argjentina është përballur me mungesën e dollarit amerikan. Në fund të vitit 2022, borxhi i jashtëm i Argjentinës arriti në 276.7 miliardë dollarë, por rezerva e saj valutore ishte vetëm 44.6 miliardë dollarë. Moti i thatë i kohëve të fundit ka ndikuar shumë te të ardhurat e eksportit bujqësor të Argjentinës dhe mungesa e dollarëve amerikanë është bërë më e dukshme. Rritja e përdorimit të RMB-së mund ta ndihmojë Argjentinën të kursejë dollarët, të lehtësojë shumë presionin mbi rezervën valutore dhe të mbajë aktivitetin ekonomik.
Foto nga VCG
Edhe për Kinën përdorimi i RMB-së prej Argjentinës është i favorshëm. Sipas statistikave, në prill dhe maj të këtij viti, vëllimi i pagesave në RMB nga Argjentina për importet zuri 19 % të vëllimit të përgjithshëm të importit. Parashikohet se, qysh nga maji, Argjentina do të përdorë 790 milionë deri në 1 miliard RMB për të paguar për mallrat e importuara nga Kina. Në situatën e mungesës së dollarit amerikan, përdorimi i RMB-së për pagesën e importeve mund të garantojë eksportet e Kinës në Argjentinë. Po ashtu, përdorimi i RMB-së për të shlyer borxhet mund të ndihmojë që Argjentina të ruajë qëndrueshmërinë makroekonomike dhe të rrisë besimin në treg. Situata e qëndrueshme ekonomike në Argjentinë është pa dyshim një kusht i domosdoshëm për bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar kino-argjentinas.
Si ekonomia e tretë më e madhe në Amerikën Latine, veprimet e Argjentinës luajnë rolin e modelit. Tani, nën nxitjen e Brazilit dhe të Argjentinës, vendet e tjera të Amerikës Latine kanë paraqitur idenë e "çdollarizimit". Presidenti bolivian tha se është e nevojshme të shqyrtohet mundësia e përdorimit të RMB për pagesat tregtare. Kjo pasqyron dëshirën e shumë vendeve në zhvillim për të arritur diversifikimin financiar dhe për të ecur në rrugën e pavarur të zhvillimit. (Çang Çuo)