Mijëra qytetarë në të gjithë Francën, solidarizohen me bashkitë që u shënjestruan nga trazirat e dhunshme
2023-07-04 16:57:50

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Mijëra qytetarë u mblodhën rreth bashkive anembanë Francës të hënën, për të treguar solidaritet me qeveritë lokale, të cilat u shënjestruan gjatë 6 netëve dhunë, pas vrasjes fatale nga policia të një 17-vjeçari në periferi të Parisit.

Trazirat, të cilat duket se po lehtësoheshin të dielën në mbrëmje, u nxitën nga një reagim kryesisht i adoleshentëve nëpër periferi, kundër shtetit francez, të cilin shumë të rinj me rrënjë emigrante thonë se i diskriminon në mënyrë rutinore. 

Në total, 99 bashki janë sulmuar gjatë netëve me dhunë, tha Ministria e Brendshme, duke përfshirë edhe një përpjekje në fundjavë për të goditur shtëpinë e një kryetari bashkie me një makinë të mbushur me eksploziv.

Në komunën l'Hay-les-Les Roses në periferinë jugore të Parisit, qindra njerëz u mblodhën të hënën për të mbështetur kryebashkiakun, Vincent Jeanbrun, gruaja e të cilit dhe një nga fëmijët e tij të vegjël u plagosën kur një makinë e mbushur me eksploziv u përplas në dyert e shtëpisë së tij të dielën herët ndërsa ata flinin.

Ishte një sulm jashtëzakonisht personal për të cilin autoritetet thanë se do të ndiqej penalisht si një tentativë vrasjeje. Ky akt bëri që të rritej shumë mbështetja për qeveritë lokale në shumë qytete ku bashkia është shpesh në qendër të kritikave të jetës publike.

“Ne pamë fytyrën e vërtetë të rebelëve, atë të vrasësve”,- tha Jeanbrun në një fjalim emocionues. 

Franca dhe "vetë demokracia" po sulmoheshin në ditët e trazirave. 

“Kjo nuk do të zgjasë”,- tha kryebashkiaku, duke shtuar se “shumica e heshtur” po flet për të thënë “Stop. Kjo mjafton!” 

Turma u përgjigj me thirrjen "Mjaft!"

Ka pasur shumë pak protesta të organizuara përtej një marshimi javën e kaluar për Nahelin, 17-vjeçarin me origjinë algjeriane që u vra të martën e kaluar në periferinë e Parisit, Nanterre. 

Në vend të kësaj, zemërimi është shfaqur tek të rinjtë që synojnë policinë. Të dyja palët janë duke përdorur taktika gjithnjë e më agresive ndaj njëra- tjetrës.

Mosha mesatare e 3,354 personave të arrestuar gjatë javës së kaluar ishte 17 vjeç, tha ministri i Brendshëm. 

Por problemi i diskriminimit godet të gjitha moshat, sipas Ahmed Djamai, një 58-vjeçar i lindur në Nanterre, i cili mori pjesë në një tubim solidariteti të hënën në bashkinë e qytetit.

Djamai tha se policia e ndaloi jo shumë kohë më parë dhe i kërkoi një leje qëndrimi, edhe pse ai as nuk e ka dhe as nuk ka nevojë ta ketë si shtetas francez. Ai tha se problemi nuk do të largohet edhe pasi dhuna të ulet.

“Fëmijët tanë të gjeneratës së dytë, të tretë dhe të katërt përballen me të njëjtin problem kur dalin për të gjetur një punë, kur shkojnë në universitete prestigjioze,” tha ai. 

Presidenti francez Emmanuel Macron u takua të martën me kryetarët e 220 qyteteve nga i gjithë vendi. 

Në të gjithë Francën, 34 ndërtesa - shumë prej tyre të lidhura me qeverinë - u sulmuan nga e diela deri të hënën, së bashku me 297 automjete.

Macron, javën e kaluar, fajësoi mediat sociale për përhapjen e trazirave dhe u bëri thirrje prindërve të marrin përgjegjësi për adoleshentët e tyre. 

Ministri i Drejtësisë Eric Dupond-Moretti i tha radios France Inter se prindërit që hoqën dorë nga kjo përgjegjësi, "qoftë nga mosinteresimi ose qëllimisht", do të ndiqen penalisht.

Zemërimi ka zbritur në sulme kundër simboleve të shtetit, zjarrvënie të gjerë dhe grabitje gjatë natës. 

Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin tha gjatë një vizite në një qytet në Francën qendrore se ka pasur të drejtë të nxjerrë 45,000 policë në rrugë netëve të fundit, por shtoi se policia "nuk mund t'i edukojë fëmijët në vend të prindërve të tyre".

"Ne e dimë shumë mirë se kjo dhunë penalizon para së gjithash fëmijët, njerëzit dhe familjet e lagjeve tona dhe të gjithë banorët e qytetit tonë," tha kryetari i bashkisë Nanterre, Patrick Jarry. 

“Ne duam që drejtësia të vendoset për Nahelin dhe të dëgjohet dhe të respektohet apeli i familjes dhe veçanërisht i gjyshes së tij për t'i dhënë fund dhunës dhe shkatërrimit.”

Në total, sipas Ministrisë së Brendshme, gjatë natës u bënë 157 arrestime nga gjithsej 3,354 që nga e marta e kaluar.

Ministri i Brendshëm tha se fëmijët e moshës 12 ose 13 vjeç ishin mes të arrestuarve për sulme ndaj forcave të rendit dhe vënie zjarri.