PMI-ja e prodhimit e Kinës sipas "Caixin" ishte 50.5 në qershor
2023-07-04 16:35:47

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Veprimtaria e fabrikave në Kinë muajin e kaluar i kaloi parashikimet, me një zgjerim prej 50.5 pikësh treguesi, sipas Treguesit të Menaxherëve të Blerjeve (PMI) të Prodhimit të Kinës të "Caixin" të publikuar të hënën.

Ndonëse pak më ngadalë se në maj, kjo shënoi muajin e dytë në radhë të rritjes në veprimtarinë e prodhimit.

Ekonomisti i lartë i Grupit "Caixin Insight" Wang Zhe vuri në dukje se përmirësimi në shitjet brenda vendit ishte forca kryesore e rritjes, ndërsa biznesi i ri i eksportit mbeti kryesisht i pandryshuar.

Ekonomistët e pyetur nga "Reuters"-i kishin parashikuar një shifër 50.2 për qershor, ndërsa PMI-ja zyrtare ishte 49 pikë treguesi.

Rritja në vëllimin e përgjithshëm të porosive të reja bëri që kompanitë të zgjerojnë veprimtarinë e tyre blerëse, megjithëse norma e akumulimit të inventarit ishte e vogël. Stoku i mallrave të gatshme, megjithatë, pati një rënie të lehtë.

Sipas revistës "China Securities", fillimi pozitiv i tregut të aksioneve-A në korrik ka ardhur për shkak të rritjes për dy muaj me radhë të sektorit të prodhimit. Treguesi i Përbërë i Shangait u rrit 1.29 për qind, Treguesi i Përbërë i Shenzhen-it 0.89 për qind dhe Treguesi "ChiNext" 1.03 për qind të hënën në mëngjes.