Projektligji për nxitjen e punësimit të të rinjve integrin kategori të veçanta
2023-07-03 09:26:01

Gjatë punës(Foto Sot.com)

Gjatë punës(Foto Sot.com)

Punësimi i të rinjve deri në moshën 25 vjeç dhe i personave me aftësi të kufizuar janë në fokus të ndryshimeve ligjore të prezantuara nga qeveria qeveria shqiptare. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj ka deklaruar në Kuvendin e Shqipërisë se ky projektigj synon të ndikojë në punësimin e të rinjve.

“Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 15/2019 për Nxitjen e Punësimit” vjen si një nismë ligjore, e cila synon të adresojë disa sfida në lidhje me integrimin në vendin e punës të disa kategorive të veçanta siç janë të rinjtë, personat me aftësi të kufizuara apo dhe grupe të tjera të veçanta. Përpara sesa të kaloj në detajimin e përmbajtjes së projektligjit që vjen për miratim, doja të theksoja se në gjithë vitet e fundit Shqipëria ka pasur një ecuri mjaft pozitive të tregut të punës. Ne kemi reduktuar normën e papunësisë, kemi rritur shkallën e punësimit, kemi rritur shkallën e pjesëmarrjes në forcat e punës, dhe e gjithë kjo ka ardhur falë zbatimit të politikave të suksesshme që kemi ndërmarrë ndër vite, krijimit të vendeve të reja të punës, por edhe zhvillimit ekonomik dhe të sektorit privat, që gjithmonë e më shumë ka nevojë për punëtorë të denjë dhe të kualifikuar”- tha Ibrahimaj

Ministrja Delina Ibrahimaj (Foto Ministria e financave dhe ekonomise)

Ministrja Delina Ibrahimaj (Foto Ministria e financave dhe ekonomise)

Gjithashtu ministrja u ndal edhe tek përmirësimi i infrastrukturës në vendet e punës.

“Që nga fillimi i qeverisjes sonë ne jemi munduar që të përmirësojmë kushtet dhe standardet e zyrave të punës. E kemi ngritur arsimin profesional në një tjetër nivel. Tashmë ne kemi filluar një reformë të madhe, gjithëpërfshirëse, të rritjes së pagave, me qëllim të të shkojmë një shkallë më tutje në përmirësimin të kushteve të punës, nxitjen e punësimit dhe adresimin e gjithë sfidave të kohës që lidhen gjithashtu me migracionin, qoftë emigrimin dhe imigrimin. Sot është detyra jonë që të vijojmë të hartojmë politika për të adresuar ato sfida të mbetura dhe projektligji që paraqesim synon të ndikojë në punësimin e të rinjve. Prej disa vitesh tashmë ne jemi duke punuar me Bashkimin Europian, me qëllim që të zbatojmë skemën e Garancisë Rinore, e cila synon që të rrisë punësimin e të rinjve, të rrisë arsimin profesional të të rinjve, duke i ofruar çdo të riu nga mosha 19 vjeç deri në 25 vjeç në më pak se 4 muaj të paktën një punë, një trajnim apo një kurs të formimit profesional”- theksoi ministrja e financave dhe ekonomisë  Ibrahimaj.

Qeveria synon që me politikat e saj të përgjysmojë shifrat e të papunëve në vend

“Ne si qeveri kemi ndërmarrë disa angazhime edhe në kuadër të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, me qëllim rritjen e punësimit dhe garantimin e një pjesëmarrje aktive dhe gjithëpërfshirës në tregun e punës. Edhe hartimi i këtij projektligji synon pikërisht të përmirësojë disa aspekte të rëndësishme që kanë të bëjnë me integrimin në vendin e punës. Sot, në zyrat e punësimit janë të regjistruar 78,024 punëkërkues të papunë dhe 23% e tyre janë të rinj që nuk janë në punësim, arsimim ose formim profesional dhe ne synojmë që nëpërmjet një plani konkret pune, në zbatim të Strategjisë Kombëtare të Punësimit  ta përgjysmojmë këtë numër deri në vitin 2027.”

Për të trajtuar këtë kategori është parashikuar përfshirja e skemës së Garancisë Rinore, si pjesë e iniciativës së BE-së në Ballkanin Perëndimor.

“Në këtë kuadër, gjatë tremujorit të parë të vitit 2023, AKPA ka filluar të evidentojë një grup punëkërkuesish dhe ka mbështetur me shërbime punësimi dhe aftësimi:2,498 të rinj, duke i punësuar ato,675 të rinj nëpërmjet programeve të nxitjes së punësimit, 1,327 të rinj nëpërmjet programeve të formimit profesional”

Persona me aftësi të kufizuara (Foto ATSH)

Persona me aftësi të kufizuara (Foto ATSH)

 Një tjetër ndryshim ligjor që u  paraqit për miratim ka të bëjë me funksionimin e Fondit Social të Punësimit, duke qenë një nga përparësitë e qeverisë shqiptare.

“Aktualisht, numri i të regjistruarve persona me aftësi të kufizuar si punëkërkues nga 237 persona në vitin 2022, ka shkuar në 720 persona në vitin 2023 në katërmujorin e parë. Kjo për arsye se zyrat e punësimit po përgatiten të asistojnë punëdhënësit me lista të punëkërkuesve të papunë. Projektligji që paraqitet parashikon disa ndryshime ligjore, sipas të cilave: Çdo punëdhënës duhet të punësojë: të paktën një person me aftësi të kufizuar, kur numri i të punësuarve të punëdhënësit është mbi 25 persona,nga një person shtesë, me aftësi të kufizuar, për çdo 50 punonjës të tjerë të ndërmarrjes. Punëdhënësi, i cili nuk punëson numrin e përcaktuar të personave, me aftësi të kufizuara, sipas ligjit duhet të derdhë një kontribut për llogari të Fondit Social të Punësimit, në masën e 100 për qind të pagës minimale në shkallë vendi, për çdo muaj, për çdo person me aftësi të kufizuar, që ai duhet të punësonte.”-tha ministrja.

Qëllimi i Fondit Social të Punësimit është sigurimi dhe administrimi i mekanizmave financiare për nxitjen e punësimit, integrimin dhe përfshirjen sociale të personave me aftësi të kufizuara.

“Projektligji  përcakton qartë institucionin që do të mbledhë kontributet nga punëdhënësit, duke reflektuar ndryshimin përkatës për vënien në funksion të Fondit Social të Punësimit, i cili do të shkojë i gjithë për të mbështetur personat me aftësi të kufizuara në drejtim të punësimit të tyre. Ndryshimet e prezantuara janë të lidhura drejtpërdrejt me operacionalizimin e Fondit Social të Punësimit, duke përcaktuar se kontributi derdhet nga punëdhënësi dhe pasqyrohet në listëpagesën mujore të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Në ligj është parashikuar se të ardhurat dhe kontributet për llogari të Fondit derdhen tek institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë dhe janë zë më vete në buxhetin e saj, i cili do të administrohet nga Bordi i Administrimit të Fondit.”- shprehet Ibrahimaj.

Sipas Projektligjit, Fondi Social i Punësimit do të përdoret për programe të dedikuara për persona me aftësi të kufizuara që synojnë punësimin, vetëpunësimin, rehabilitim për punë, aftësimin dhe riaftësimin profesional, orientimin dhe këshillimin për punësim, shërbime mbështetëse, rikonstruksion dhe përshtatje të vendit të punës, por edhe programe riintegrimi social, mbështetje për nxitjen e punësimit të familjarëve të personave me aftësi të kufizuara. Sipas Qeverisë vetëm në 4 vitet e fundit, buxheti për mbështetjen e programeve të nxitjes së punësimit është rritur me 46%, si një mënyrë për t’iu përgjigjur sfidave me të cilat jemi përballur e kryesisht gjatë periudhës së pandemisë.