Gazetari Flamur Vezaj prej disa vitesh jeton me familjen e tij në Boston të SHBA-së. Ai është me origjinë nga Zhuri i Prizrenit dhe ka përfunduar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës. Gjatë qëndrimit në Shipëri Flamuri ka punuar për 15 vjet në media të ndryshme në sektorin e kronikës. Në një intervistë për Radio Ejani Flamur Vezaj tregon për rrugëtimin e tij në fushën e gazetarisë, largimin dhe integrimin e tij në SHBA.
Flamur Vezaj
CMG: Ju jeni nga Prizreni dhe keni punuar prej disa vitesh si gazetar në disa media në Shqipëri. Pse vendosët të punësoheshit këtu?
Flamur Vezaj: Unë kam lindur në Zhur të Prizrenit, është një fshat diku 9 km nga pika e kalimit kufitar të Morinës. Unë shkollën fillore e kam kryer andej, gjithashtu edhe shkollën e mesme e kam bërë në Prizren. Ndërsa në vitin 2002 kam ardhur në Tiranë për të vazhduar studimet, falë këmbënguljes time dhe të babait sepse edhe ai ma sugjeroi, duke qenë se unë ndiqja mediat gjithmonë kur isha në shkollë të mesme, lexoja gazetat dhe isha shumë në brendësi të gjërave, ku më pëlqente edhe të shkruaja ndonjëherë. Ai më tha që ta provoja se ndoshta në Shqipëri kisha mundësi më shumë, sepse në Kosovë në atë kohë nuk kishte degë gazetarie. Kështu që erdha në Shqipëri dhe konkurova në degën e gazetarisë dhe në mesin e 30 të pranuarve unë isha i 16-ti në renditje. Ky ishte fillimi im në Tiranë për shkollën, por të jem i sinqertë kur kam ardhë për studime në Tiranë ishte hera e tretë që vija në gjithë jetën time në Tiranë. Ndërsa kur erdha për studime nuk e njihja Tiranën saqë orientohesha nga ndërtesat.
Flamur Vezaj me koleget
CMG: Pas përfundimit të studimeve për gazetari ju qëndruat në Tiranë ku dhe u punësuat në median shqiptare.
Flamur Vezaj: Në vitin 2002 fillova studimet në gazetari. Unë konkurrova edhe në dy degë të tjera, por duke qenë se përgjigjet e gazetarisë dolën të parat dhe momentin që dola fitues hyra në provimet pranuese të degëve të tjera. Vazhdova në gazetari dhe ka qenë një eksperiencë jashtëzakonisht e bukur për shkak se unë isha dhe dy vjet më i madh se ai brez, sepse kisha bërë pushim dy vite mbas shkollës së mesme dhe erdha pas dy viteve në Tiranë. Në vitin e tretë të gazetarisë doja ta provoja veten dhe të filloja punë. Nuk kisha shumë nevojë në aspektin financiar sepse më ndihmonin vëllezërit dhe prindërit, por doja ta provoja veten. Në vitin 2005 kur isha në vitin e tretë të gazetarisë tentova të hyja në disa media.
Në atë kohë po hapej gazeta Metropol dhe profesor Mark Marku më sugjeroi që të takoj njërin nga drejtuesit e gazetës, por kur bëra prezantim më paragjykuan në momentin që thashë jam nga Kosova, sepse më thanë se do të më njoftonin dhe nuk më morën asnjëherë. Gjithashtu kisha dhe një rast tjetër të tillë në gazetën Tirana Observer, ku në atë kohë takova zv.kryeredaktorin dhe pak a shumë as ata nuk më dhanë një hapësirë. Me thënë të drejtën fillova po mërzitesha. Në shkurt të vitit 2005 më tha Raimonda, pedagogia e gazetarisë se te gazeta Korrieri po lirohej një vend dhe të takoja Alfred Pezën i cili ishte kryeredaktor në atë kohë. Shkova me entuziazmin që doja të filloja punë, por gjithmonë pa e ditur se çfarë sektori do mbuloja, por thjesht të hyja në gazetari dhe të punoja.
Flamur Vezaj gjate nje raportimi
CMG: Cila ishte fusha që ju preferonit më shumë në gazetari?
Flamur Vezaj: Të them të drejtën isha konfuz edhe vetë, nuk e kisha specifike kronikën, sportin, socialen apo ndonjë fushë tjetër. Gjithmonë më tërhiqnin lajmet e kronikës së zezë, por nuk kisha ndonjë synim për të shkuar në kronikë. Kur takova Alfred Pezën më tha që të filloja direkt punë. Unë u ndjeva i befasuar se nuk e prisja. Ai më caktoi në gjykatë për të mbuluar kronikën e sistemit të drejtësisë dhe më lidhi me një gazetar të vjetër që të më orientonte për fillimet e punës. Kështu filloi rrugëtimi im.
CMG: Praktika juaj e parë e punës ka qenë në median e shkruar?
Flamur Vezaj: Unë më 10 shkurt 2005 kam filluar në gazetën Korrieri dhe mbuloja sistemin e drejtësisë. Rrugëtimi im te kjo gazetë zgjati 11 muaj, pasi më vonë pata një ofertë tjetër. Unë në atë kohë kisha marrë një aparat fotografik sepse fotografi nuk mund të ndiqte gjithmonë në seancat gjyqësore dhe në çdo seancë bëja foto dhe filloi të më rritej arkiva e fotove për personat e pandehur, që deri në atë moment nuk dilnin shumë me imazh. Pastaj në vitin 2006 kisha një ofertë te gazeta Shekulli që e pranova për shkak të pagës më të mirë.
CMG: Më vonë ju u rritët nga ana profesionale, ku punuat edhe në median vizive. Si ka qenë eksperienca juaj në median vizive në karahasim me atë të shkruarën?
Flamur Vezaj: Në fakt unë punova për shtatë vjet tek gazeta Shekulli në po të njëjtin sektor. Ndërkohë që në fillim të vitit 2013 te ABC televizon kishte ardhur drejtor Armand Shkullaku dhe po fillonte rekrutimin e personave për në median vizive. Pranova këtë ofertë dhe kalova te media vizive. Të them të drejtën kjo gjë për mua ishte diçka e re, sepse në fakultet nuk mësoje shumë gjëra, i mësoje në teori por jo në praktikë sepse në atë kohë nuk kishim. Kështu që ishte pak e vështirë për mua, por duke qenë se stafi në atë televizion kishte njerëz shumë të mirë dhe unë u inkuadrova shumë shpejt edhe me teknikat vizive, pavarësisht se ishin edhe emocionet ngaqë isha në çdo dalje para kamarës.
Ky ishte një ndryshim më i madh se në gazetë, mënyra e të shkruarit gjatë, ndërsa në televizion mënyra e të shkruarit shumë më e shkurtër dhe konçize.
Flamur Vezaj i ftuar ne emisionin Opinion
CMG: Keni mësuar më shumë nga media e shkruar apo ajo vizive?
Flamur Vezaj: Për mua media e shkruar mbetet numër një dhe unë kam më shumë dëshirë në median e shkruar sepse të le kohë të përgatitesh për diçka që do punosh. Për mua është dashuria e parë gazeta, edhe pse tani me ndryshimin e teknologjisë gjithçka është dixhitalizuar dhe është shumë e lehtë për gazetarët edhe në median vizive. Media e shkruar është më e bukur, edhe pse në Shqipëri media e shkruar kanë mbetur shumë pak ato që janë serioze.
CMG: Prej disa vitesh jetoni jashtë Shqipërisë. Si ka qenë integrimi juaj personal dhe profesional në SHBA?
Flamur Vezaj: Duke qenë se punova prej 15 vitesh në media në Shqipëri, më ra llotaria amerikane edhe pse nuk kisha shumë dëshirë, por ashtu erdhën rrethanat duke llogaritur dhe peshuar gjërat e familjes dhe profesionit. Përfundimisht erdhëm në Boston pas pesë vitesh rrugëtim në televizion. Është pak e vështirë sepse vendimi nuk është i lehtë, sidomos kur vjen bashkë me familjen është pak e vështirë. Gjithashtu edhe për faktin që unë nuk kisha investuar shumë në gjuhën angleze. Amerika është vend i madh dhe i mundësive, ku sa më mirë të jesh i lidhur apo të njohësh sistemin aq më mirë ecën përpara. Për mua nuk ishte vendim i lehtë sepse ndryshe e shohim ne Amerikën kur jemi në Shqipëri dhe ndryshe e sheh kur vjen këtu, e prek dhe e ndjen. Gjërat nuk janë aq bardh e zi sa duken në televizion.
CMG: Ju edhe aty në emigracion vazhdoni rrugëtimin në gazetari, duke qenë prezent edhe në median shqiptare.
Flamur Vezaj: Mua nuk më le pasioni rehat dhe i ndjek disa portale serioze, i ndjek mediat dhe mundohem të jem në brendësi ku kam akoma persona të kontaktit të cilët më kontaktojnë dhe flasim. Unë mundohem të jap një mendim nryshe, duke qenë se jetoj në një vend tjetër dhe jam më i ftohtë për gjykimin që bëj. Unë mundohem të jem koherent, t’i ndjek çështjet, mundohem të flas dhe të shpreh atë se çfarë mendoj dhe për këtë fakt disa kolegë më kanë respektuar.
Flamur Vezaj me familjen
CMG: E vizitoni shpesh Shqipërinë dhe cili është malli që ndjeni tani kur jeni larg për kohën e jetuar këtu?
Flamur Vezaj: Unë mundohem të vij çdo vit, por për shkak të largësisë dhe të pandemisë i kam rralluar ardhjet dhe mbas dy viteve do të vij këtë vit. Është emocion tjetër të vish të shkelësh në Shqipëri, të takosh miqtë, njerëzit, plus është dhe një ndihmë e madhe edhe për fëmijët, sepse dua që fëmijët të vazhdojnë me kulturën tonë shqiptare, dhe që kur të vijnë andej dua që të përvetësojnë më mirë gjuhën shqipe sepse kontakti këtu është më i rrallë me komunitetin shqiptar. Për mua është një emocion ndryshe kur vij pranë familjes. Më merr malli për familjen, vendin, njerëzit, komunitetin dhe gjithçka shqiptare.
CMG: Ku keni planifikuar t’i kaloni pushimet këtë vit në Shqipëri?
Flamur Vezaj: Unë do të udhëtoj drejt Tiranës, dhe më pas do iki në Kosovë për disa ditë. Do të kthehem nga Kosova për të shkuar në Sarandë ku kam planifikuar të bëj disa ditë pushime me prindërit dhe familjen time. Gjithashtu në Tiranë do mundohem të vizitoj gjithë vendet historike të Shqipërisë, edhe për t’i treguar fëmijëve sepse në disa vende nuk kam arritur t’i dërgoj kur kam ardhur në vizitat e kaluara. Pra do t’i vizitojmë të gjitha vendet historike të Shqipërisë dhe Kosovës, por që gjatë gjithë kohës do të rri pranë familjes dhe miqve si dhe të vizitoj vendet më të bukura dhe historike, për t’i treguar dhe fëmijëve historinë e Shqipërisë.
Intervistoi: Gazmend Agaj