Foto nga VCG
Ekipi kinez mundi atë japonez 73-71, duke fituar Kupën e Basketbollit për Femra të Azisë në Sidnei të dielën.
Ky është titulli i 12-të i Kinës në historinë e kësaj veprimtarie, si dhe i pari që nga viti 2011, duke përfunduar serinë e pesë fitoreve radhas të Japonisë dhe duke e barazuar Kinën me Korenën e Jugut për sa u përket herëve të fitimit të kësaj kupe.
Japonia udhëhoqi 35-26 duke shkuar në gjysmën e dytë të ndeshjes, por Kina e zvogëloi diferencën në tre pikë përpara çerekut të fundit, ndërsa qendra Han Xu shënoi shtatë pikë rresht duke e rritur moralin e ekipit kinez në fillim të çerekut të tretë.
Lojtarja më e vlefshme e turneut, 23-vjeçarja Han, shënoi 26 pikë dhe pati 10 kapje topi, duke përfshirë një vendimtare që ruajti kryesimin e Kinës ndërsa mbeteshin më pak se 20 sekonda lojë.
Han, 2.08 metra e gjatë, pati gjithashtu një rol kyç në shpalljen e Kinës nënkampione në Kupën Botërore të Femrave vjet. Pas ndeshjes, lojtarja e ekipit "Liberty" të Nju-Jorkut të WNBA-së, tha: "Shoqet e ekipit tonë janë shumë të talentuara, të shkëlqyera dhe të guximshme. Unë kam besim tek ato; shpresoj se mund ta kontrolloj situatën në momente kritike dhe të veproj si një shtyllë për të udhëhequr lojtaret e reja të ekipit."
Ekipi i vendit organizator, Australisë, që doli në vendin e tretë, dhe i Zelandës së Re, që u rendit në vend të katërt, iu bashkuan dy ekipeve finaliste, duke u kualifikuar për në Olimpiadën e Parisit 2024.
Sfida tjetër për basketbollistet kineze do të jenë Lojërat Aziatike, të cilat do të mbahen në Hangzhou të Kinës në shtator.