Foto ilustruese per librat e veres per femije - Foto VerbNow
E ku ka shok më të mirë sesa një libër për vogëlushet gjatë pushimeve të verës. Kësaj radhe, jemi konsultuar me platfomën më të madhe online të librit shqip, Bukinist.al dhe blogun Leximtari, duke bërë një përzgjedhje mes librave më të shitur dhe mbi kërkesat e lexueve deri më tani. Kemi një listë rekomandimesh, e cila është një përzgjedhje mes autorëve shqiptarë klasikë apo modernë, të ditëve tona. Padyshim kësaj liste nuk mund t’i mungojë Mitrush Kuteli, Gaqo Bushaka, Petro Marko, Dionis Bubani apo Bedri Dedja, të cilët kanë ardhur me ribotime të librave të tyre. Librat për fëmijë të shkruar prej tyre i kanë qëndruar kohës dhe mbajnë të gjallë interesin e vogëlushëve. Por mes titujve, gjejmë edhe autorë të tjerë bashkëkohës.
“Aventurat e Çapaçulit” nga Dionis Bubani
“Aventurat e Çapaçulit” ka fituar çmimin e Shoqatës Mbarëkombëtare të Letërsisë për Fëmijë, 2001. Eshtë një prozë humoristike për fëmijë, plot ngjarje të papritura, situatat të komizmit dhe plot batuta. Libri ka 75 faqe të cilat lexohen nga një frymë, pa harruar të vëmë shpesh herë buzën në gaz.
Foto ilustruese per librat e veres per femije - Foto npr
“Kalamajtë e pallatit tim 1” nga Bedri Dedja
Këto janë rrëfime që shënjojnë jetën e lexuesve të vegjël, pasi jo vetëm rrjedhin natyrshëm, por të krijojnë përshtypjen sikur shkrimtari është edhe një shok e pjesëmarrës në lojërat, shqetësimet, gëzimet dhe brengat e tyre.
Një copëz letër, mbetur “e burgosur” në zarf, mban një sekret që shpaloset në faqet e fundit të këtij romani plot aventura, të cilat nisin në Tiranë e më pas zhvendosen në një fshat malor.
Xhamat e thyer në shtëpinë e banorit më të ri të pallatit, zbulojnë një nga një fqinjët e kateve të tjera, e ndjekin deri në oborr fëmijët e moshave të ndryshme që argëtohen në lojëra e vrapime, që dinë të krijojnë skuadrat e tyre apo të organizojnë kohën e lirë.
Ata janë fëmijë që ndonjëherë i derdhin të gjitha energjitë në fushat e lojës, por nga ana tjetër, bëjnë përpjekje të mëdha për të përballuar situatat e ndryshme, që u krijohen në shkollë e në jetën e përditshme.
“Pushimet e Çufos” nga Gaqo Bushaka
Leximi i “Çufoja dhe bubi Kaçurrel”, “Çufoja në shtëpinë e çudirave”, “Filmi i gjeneral Çufos” dhe “Pushimet e Çufos” ka bërë që ky personazh të mbijetojë dhe të bëjë prapësira për afro tre dekada.
leximet e veres - Foto Kumon
“Shpella e piratëve” nga Petro Marko
Shpella e piratëve është një nga romanet e mirënjohura të shkrimtarit tonë të dashur Petro Marko. Ky roman është dramatizuar dhe inskenuar në disa variante dhe ndonëse libri është botuar për herë të parë në 1964, te ish Shtëpia botuese “Naim Frasheri”. Një libër i suksesshëm që ka nohur mbi dhjetë ribotime, duke vertetuar se pavarësisht libri fokuson fëmijët, është një libër që nuk ka moshë.
“Xinxifilua dhe përralla të tjera” nga Mitrush Kuteli
Prralla që do të rrëfej tanithi na ka ardhur gojë më gojë nga moti i lashtë e i stërlashtë, kur gjithë kafshët e tokës, gjithë shtërpinjtë e ujit e gjithë shpesët e qiellit flisnin gjuhën e njerëzve, siç flas unë e siç flet zotrote, o këndonjës.
Ky është vetëm një pasazh nga libri që është shkruar me finesë dhe një mjeshtri të përkorë të Mitrush Kutelit. Në këtë libër do të gjeni ariun, ujkun e dhelprën, laraskën e kaposhin e stolisur me gjithfarë puplash, iriqin, breshkën e plot kafshë të tjera.
“Aria hidh e prit” nga Valbona Banka
Ky libër është vetëm fillimi i rrugëtimit të Arias çamarroke, plot vitalitet dhe energji pozitive: Nje histori për dashurinë pa kushte që buron në zemrën e çdo femije! Forcën brenda vetes dhe të vërtetën që thyen barriera dhe kapërcen kufijte! Libri është hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Mediaprint”, me redaktore Arta Markun.
Leximet e veres - foto La parent
“Ana nga Tirana” nga Rudina Çupi
Një rrëfim i koduar, i shkruar me rebuse, me fjalë të krijuara duke ndërthurur figura e shkronja. Ky libër ndërveprues, pjesë e serisë “Luaj e shkruaj” për lexuesin fillestar, nxit mendjemprehtësinë dhe logjikën, si dhe shprehjen e anës krijuese.
“Aventurat me ishullin lundrues” nga Viktor Canosinaj
Një roman i llojit të fantazisë për moshën 10-14 vjeç, i shkruar nga një prej autorëve më të spikatur të letërsisë për fëmijë. Vigi, një djalë 11-vjeçar, me anë të një filmi të realizuar në kompjuter nga një shoqja e tij e ngushtë, përjeton një sërë ngjarjesh fantastike, që vënë në provë karakterin e tij, duke e paraqitur ndryshe nga ç’është në të vërtetë. Në fund, Vigi merr vesh se gjithçka është një mesazh i gjatë kompjuterik i dërguar nga shoqja e tij e ngushtë me rastin e ditëlindjes së tij.
“Tezja dhe shkopinjtë magjike” nga Edi Gogu
Shumë njerëz ëndërrojnë të kenë një shkop magjik, fëmijët sidomos e ëndërrojnë një të tillë për të ndryshuar shumë gjëra. Ndërsa tezja e romanit tonë, Lola, ka jo një, por plot dhjetë shkopinj magjikë. Këta histori të bukura do të shoqërojnë fëmijët gjatë sezonit të verës, duke ndërthurur ndodhitë e tezes magjike me fantazitë e lexuesit të vegjël. Libri është botim i vitit 2022 dhe është përgatitur për botim nga Shtëpia Botese Albas.
Neritana Kraja