Edona Reshitaj, midis dy dashurive, aktrimit dhe këngës
2023-07-02 10:51:56

Edona Reshitaj është një artiste nga Kosova, aktore në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, që lëvron disa fusha të artit. Ajo arrin që paralelisht të punojë me teatrin, filmin, muzikën, por t’i kushtojë kohë edhe familjes së saj të bukur. Në repertorin e saj muzikor përfshihen këngë të njohura angleze, franceze, por mbi të gjitha këngët e vjetra shqiptare. Muzika dhe aktrimi për Edonën janë dy dashuri të cilat ajo nuk i ndan dot. E ftuar në Radio Ejani Edona Reshitaj, na tregon për eksperiencat e saj në teatër, kinema dhe në muzikë, por edhe për planet në vazhdim.

CMG: Edona, kënga jote e fundit është publikuar disa muaj më parë, por unë do e nis me projektin tënd më të ri, shfaqjen “Gaxho” që ti ke interpertuar edhe në Tiranë. Na trego më shumë për këtë?

Edona Reshitaj: Bëhet fjalë për shfaqjen “Gaxho”, një bashkëpunim me Qendrën Multimedia në Prishtinë dhe Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”në Tiranë. Jemi tre aktorë nga Kosova dhe tre nga Shqipëria dhe  mendoj se edhe më tutje duhet të kemi bashkëpunime të tilla për të ndarë eksperiencat tona artistike. Shfaqja është pritur shumë mirë, madje në muajin shtator njerëzit do kenë  mundësinë për ta ndjekur sërish këtë shfaqje. 

CMG: Duke qenë se ti merresh me teatrin, kinemanë dhe muzikën, doja të dija kur merresh me një projekt muzikor, apo koncert recital, i kushton kohën tënde tërësisht muzikës, apo anasjelltas?

Edona Reshitaj: Meqënëse unë në profesion jam aktore dhe jam e punësuar në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, në përgjithësi edhe filmi apo serialet i kanë provat e caktuara, se kanë të bëjnë me një ekip të madh të njerëzve, Sigurisht që në këtë periudhë duhet ta le pak anash muzikën, sepse muzika është disi më individuale. Jam vetë që  e menaxhoj dhe mund të vendos të bëj një pauzë të shkurtër kohore, deri sa ta përfundoj një projekt teatror apo filmi, të cilat zgjasin, jo më shumë se dy muaj,  e më pas i rikthehem. Unë jam shumë aktive me performancat e mia muzikore, por gjatë kohës së shfaqjeve e bëj një pushim nga muzika, duke qenë se jam dhe nënë e dy fëmijëve dhe arti kërkon anagzhim shumë të madh, si muzika, si shfaqjet në veçanti, por edhe xhirimet e filmave. Por nëse përgatiten koncertet recitale, të cilat kanë një datë të caktuar dhe duhet punuar me bendin muzikor, patjetër që duhen caktuar datat, që nëse më del ndonjë projekt tjetër u tregoj që në datat e koncerteve jam e angazhuar aty. 

CMG: Edona, arti nuk ka ardhur rastësisht tek ti, pasi ti vjen nga një familje artistësh. Kush e spikati talentin tënd? Më parë spikatën aktrimin apo këngën tek ti?

Edona Reshitaj: Edhe mami e babi im kanë kënduar. Mami ka qenë në profesion “mami” dhe me babin janë njohur shumë herët, kur kanë qenë në një shoqatë muzikore ku kanë kënduar së bashku, kështu që zërin e  kam të trashëguar prej tyre. Kur kam qenë fëmijë, kam qenë shumë e shkathët, kam bërë imitime, kam kënduar, etj. Kemi pasur produksion muzikor, kemi pasur kamera, kështu që e vogël kam krijuar show-n tim nëpër festa familjare, ditëlindje ku mblidheshim si familje. Unë kam qenë ajo që drejtoja emisionin, këndoja, imitoja njerëz të ndryshëm, figura interesante, familjarë dhe kam pasur një përkrahje të të gjithë familjes. Mbaj mend që vishesha me rrobat e nënës, gjyshit, mamit, babit, duke ndërrruar personazhet. Babi im më thonte se, nëse do kisha këtë talent edhe në të ardhmen, patjetër duhej të  regjistrohesha në Fakultetin e Arteve për t’u bërë një artiste. Bëhet fjalë për vitin 1990.  Gjithashtu unë kam qenë dhe një nxënëse shumë e mirë dhe gjatë gjithë kohë më kanë shoqëruar muzika dhe aktrimi.

CMG: Ti  kur ke qenë e vogël ke punuar në mënyrë autodidakte, apo me profesionistë të të dyja fushave ?

Edona Reshitaj: Unë herën e parë kam xhiruar një film kur kam qenë 9 vjeç, ku kam luajtur rolin e një djali, pasi i kam pasur floket e shkurtra. Babai im e ka xhiruar atë film pasi ai ka pasur produksion dhe bëri një video me titullin “Malli i mërgimtarit”. Ka qenë shumë e prekshme në atë kohë. Unë luaja rolin e një djali të vogël që ishte në mërgim dhe që mërzitej sepse ishte larg atdheut. E mbaj mend që babi im më vendosi afër disa qepë ne mënyrë që të dukesha sikur po qaja, ky ka dhe qenë roli im i parë më serioz. Më pas në kohën e studimeve, kam filluar me shfaqjet në Universitetin e Arteve, e kam vazhduar më tej. 

CMG: Po sa i takon muzikës?

Edona Reshitaj: Ne kemi pasur  të gjitha instrumentet muzikore, ku vinin këngëtarë të ndryshëm që inçizonin këngët e tyre  tek ne. Babi im ka qenë kompozitor dhe tekstshkrues. Në atë kohë ne na iknin dritat shumë shpesh dhe në ato momente këndonim, pra muzika më ka shoqëruar vazhdimisht. Më pas kur u rritëm pak filluam të shumëzonim kasetat, sepse kemi pasur një mini-fabrikë të shumëzimit të kasetave. Nisi puna jonë si fëmijë me shumëzimin e kasetave, si dhe vendosja fotografitë përkatëse nëpër kuti, etj. 

CMG: Le të flasim edhe për këngën. Kur nise të këndoje?

Edona Reshitaj: Kur kam qenë e vogël kam kënduar në shkollë, në aktivitete të shkollës, por një periudhë të kohës nuk kam pasur qejf të këndoja, sepse nuk më pëlqente që të vinte një mësues dhe të më thonte të këndoja, pa dashur unë vetë që ta bëja këtë gjë. Pra nëse unë doja të këndoja, këndoja, por nëse dikush insistonte që unë të këndoja, unë nuk doja që të këndoja. 

Gjatë shkollës së mesme nuk kam kënduar fare, se isha e mërzitur me mësuesin e muzikës, si natyrë rebele që isha. Personi kyç që më ka shtyrë mua për të kënduar ka qenë mami, sepse babi dhe mami e kanë lënë vetë muzikën për arsye të ndryshme, e më vonë e kanë kuptuar se kanë bërë një gabim shumë të madh. Prandaj mami im insistonte që unë ta vazhdoja muzikën, në mënyrë që mua mos më mbetej pishman. Ajo vendosi mos të më lejonte që të këndoja në shtëpi, në mënyrë që të merrja inisiativën të merresha me muzikë. 

CMG: Dalja jote e parë si këngëtare profesioniste në skenë kur ka qenë?

Edona Reshitaj: Dalja më pas ka qenë në vitin 2005, këtu mund të them që organizimin e ka bërë burri im i ardhshëm, sepse në atë kohë ka qenë koleg i imi në fushën e aktrimit. Ai kishte një lokal ku organizoi  bandin dhe  filluam me një repertor të vogël të këndonim në një lokal  në Prishtinë. Aty njerëzve filloi t’ju dukej interesante sepse unë çdo këngë e sillja në stilin tim, jo ashtu siç ishte në origjinal, madje aty nisa të mendoja për të sjellë në një version ndryshe të këngëve të vjetra, të cilat të rinjve mund t'i dukeshin jo të kohës. Ato këngë që unë i solla në version tjetër filluan të preferoheshin aq shumë nga rinia, sa dikush mendoi se kënga “Kur më vjen burri nga stani” që unë e këndoja, ishte kënga ime.

CMG:  Në fakt nga këtu më lindi edhe mua ideja për të të intervistuar, pasi i sjell shumë bukur këngët tona qytetare shqiptare dhe me një stil tejet të veçantë. Ti ke edhe këngë të tuat të reja, të cilat i ke sjellë për publikun. Njëra prej tyre ka qenë rreth një vit më parë. 

Edona Reshitaj: Po kjo ka qenë një këngë me titullin “Më shumë se e bukur je”, dedikuar të gjitha vajzave të reja të cilat vitet e fundit, që kur ka filluar fluksi i rrjeteve sociale i japin rëndësi shumë pamjes, e nuk i shfrytëzojnë kapacitetet e tyre intelektuale për të arritur diçka në jetë, por veçse nëpërmjet pamjes fizike. Kjo dukuri e shoqërisë sonë filloi të më pengonte, veçanërisht kur takova disa vajza që tani janë të moshës 30 vjeçare, ku ka ardhur dikush tjetër më e re se ajo dhe asaj i ka ikur koha pa arritur gjë tjetër në jetë. Për këtë arsye doja t’ju bëja thirrje vajzave për ti shfrytëzuar të gjitha kapacitetet e tyre e të jenë të dobishëm në jetë.

CMG: Përsa i takon planeve të reja muzikore, ke diçka për të sjellë për publikun? 

Edona Reshitaj: Me thënë të drejtën që prej kohës së pandemisë, unë i kam edhe 5 materiale të reja që i kam kompozuar, por që fatkeqësisht i kam lënë pak pas dore për shkak të impenjimeve të tjera që kam në aktrim. Besoj se do i sjell së shpejti ato materiale, të cilat kanë kauza të vetat. Koncertet e mia në fakt kanë kauza të vetat. Koncerti i parë është quajtur “E kuqja dhe e zeza” e ka pas këngë për Marigonën, Skënderbeun, koncert artistik për flamurin tonë kombëtar. Koncerti i dytë ka qenë “Zonjat e kangës” e është bërë një tribut e rëndësishme për të gjitha figurat që kanë lënë gjurmë në këngën shqiptare. Unë kam përzgjedhur këngët e këngëtareve që nuk jetojnë më, për të mos vdekur kurrë me veprat që i kanë lënë. Numri i tyre është shumë i madh, por meqënëse koncerti nuk ka mundësi dhe kapacitet për t’i përfshirë të gjitha, kam mundur të përzgjedh prej trevave të ndryshme, dhe ato që unë kam gjetur lidhshmëri edhe me veten. Ripërpunimet e këngëve i bëj vetë dhe ndonjë këngë që më jep një frymëzim për ta sjellë në një version të ri. Më pëlqen të bëj këngë për kauza të ndryshme, e kam një tjetër këngë për femrat sërish, por s’po e bëj publike se nuk e di se kur do të publikohet. 

CMG: Përveç angazhimit tënd këto kohë me teatrin, do të të shohim  me ndonjë  një material të ri muzikor.

Edona Reshitaj: Kam shumë dëshirë që koncertin “Zonjat e kangës” me e sjellë  në Tiranë dhe në Shkup, për shkak se aty përveç këngëtareve të Kosovës, janë edhe tributë për këngëtaret shqiptare, këngë të njohura qytetare shqiptare.

CMG: Cilat këngë ke përzgjedhur nga Shqipëria?

Edona Reshitaj: Në atë koncert kanë qenë këngë të Vaçe Zelës, Marie Kraja, Fitnete Rexha, Tefta Tashko, por edhe Merita Halili e vetmja prej të gjitha këngëtareve që është gjallë. Ndërsa nga Kosova janë Nexhmije Pagarusha, e shumë të tjera. Ka qenë një përzgjedhje prej 10 këngëtarësh, sepse nuk mund të bëhej një koncert shumë i gjatë se duhet një ditë e tërë për t’i përmbledhur të gjitha.  Koncertin kam dashur që ta sjell në Tiranë, por në ato momente nisi periudha e pandemisë dhe mbeti pa u realuzuar këtu. Pas pandemisë unë isha shtatzënë me vajzën time dhe gjithçka u shty. Shpresoj që shumë shpejt të vij me projektin edhe në Tiranë. 

CMG: Aktrimin ti e ke profesion, por këngën e konsideron pasion apo profesion?

Edona Reshitaj: Si aktrimi ashtu edhe muzika janë për mua pasione por edhe profesione, sepse i dua shumë e i kam pjesë të jetës që kur kam qenë  e vogël. I kam të dyja njësoj, i kam si dy krahë që nuk mund të funksionojnë pa njëra -tjetrën.

CMG: Sa e ndihmojnë këto dy profesione njëra- tjetrën? Mendoj se në aktrim të ndihmon shumë kënga, po aktrimi a të ndihmon në muzikë?

Edoan Reshitaj: Edhe aktrimi më ndihmon në këngë, por dihet që kënga në aktrim më ndihmon, pasi kemi shumë shfaqje muzikore ku unë jam shumë e plotësuar. Ndërsa aktrimi më ka ndihmuar pasi unë shumë herë kam dalë para skenës dhe kam ditur si ta trajtoj skenën. Dhe sot në performancat muzikore njerëzit që më ndjekin (dhe unë jam e vetëdijshme për këtë gjë), më thonë se; "nuk je  thjeshtë një këngëtare që këndon, por je një artiste që jep gjithçka në performancat e tua". Unë bëj një mini-show, që i angazhoj edhe njerëzit , u bëj edhe pak humor, etj.

CMG: Si të bësh mjuzikëll, por cili është mjuzikëlli yti i preferuar? 

Edona Reshitaj: Unë i kam disa, por një që doja që ta luaja edhe në jetë është roli që e luan Liza Minnelli në mjuzikëllin "Cabaret". Eshtë një prej roleve që kam qejf ta këndoj, por këtë e veçova se ndoshta mund të kem mundësinë që ta interpretoj ndonjëherë. 

CMG: Bashkëshorti yt është artist, por sa ju ndihmon kjo gjë për ta bërë artin së bashku dhe për të mbajtur familjen? 

Edona Reshitaj: Unë jam prej atyre që thonë se çiftet në profesionet e njëjta e ndihmojnë shumë njëri- tjetrin, pra nuk e pengojnë. Sidomos arti që është pak kompleks dhe në mentalitetin tonë mund të ketë shumë paragjykime, prandaj mendoj se është më mire që partneri të jetë i të njëjtit profesion, sepse e njeh  shumë mirë atë profesion, të ndihmon dhe të shtyn për më tej. Ne na ka ndihmuar shumë pozitivisht pasi gjatë gjithë kohës e inkurajojmë njëri-tjetrin, e ndihmojmë, e përkrahim dhe jemi kritikët më të sinqertë të njëri-tjetrit. Kjo gjë na ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë. 

CMG: Do na flasësh pak edhe për  familjen tënde të bukur? 

Edona Reshitaj: Unë kam një djalë që e ka emrin Dukë, është një artist i vogël, ka lindur i tillë. Madje kolegët e mi kur e shihnin Dukën 1-2 vjeç më thonin : "oh sa i çuditshëm!", sepse i bënte disa gjëra sikur të ishte i madh. Çdo gjë përpara dorës së tij e improvizonte sikur të ishte kitarë.

CMG: Epo ka lindur mes artistëve, nuk kishte ku të shkonte ndryshe. 

Edona Reshitaj: Edhe unë kur kam qenë shtatzënë i kam vendosur muzikë, gjithashtu jam marrë shumë me muzikë dhe me art në atë kohë dhe  kjo lidhet edhe me periudhën kur nëna është shtatzënë, çfarë bën nëna merr dhe fëmija. Duka ka një talent dhe një vesh absolut për muzikën. Që në moshën tre vjeçare i ka rënë pianos dhe i bie pianos, krijon këngë të vetat, por është shumë talent edhe në aktrim, është ekspresiv, karizmatik. Ndërsa Hana, vajza e vogël që është 2 vjeç e disa muaj, nuk ka shfaqur ndonjë talent, por tani që djali është më i madh dhe kur këndon  ai, vazja e imiton, si të vegjlit që imitojnë të mëdhenjtë. 

CMG: Cilat janë objektivat që i ke vënë vetes për në vazhdim?

Edona Reshitaj: Në art nuk mundesh që të përcaktosh se çfarë do të bësh në të ardhmen sidomos kur merresh me 2-3 degë artistike  të cilat e mbulojnë njëra- tjetrën dhe shpesh mendimet për realizimin e tyre nuk realizohen. Unë i kam në plan disa projekte muzikore, mendoj që të bëj një koncert, të realizoj ato 4-5 këngët e mia të cilat i kam shkruar dhe janë gati. Gjithashtu kemi për të shkruar një film të radhës , që gjatë verës ta xhirojmë, kam disa projekte të teatrit të cilat do të vijnë nga shtatori e tutje. Filmin "Adnan Kafazi" sapo e kemi promovuar në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, por po mendojmë edhe nëpër Evropë , madje mendoj për të shkruar edhe përtej Evropës në Angli e në Amerikë, pra jemi në fazat përgatitore. Ka qenë një periudhë shumë e bujshme, por mendoj se ka për të ardhur  edhe një periudhë edhe më e bujshme. 

Intervistoi: Sava Lena