Enriquen Iglesias vjen në Tiranë për herë të parë për Javën e Kulturës Spanjolle, ku sonte do të mbajë një koncert madhështor në sheshin ‘Skënderbej’. Të gjithë personat që kanë prerë biletat janë plot me emocione dhe mezi po presin koncertin e tij, që më në fund do të mbahet në Shqipëri. Ky nuk do të jetë i vetmi koncert i këtyre përmasave, sepse pas tij do nisin përgatitjet për emra të tjerë me famë botërore që do të mbërrijnë këtë verë në Shqipëri. Pas Enrique Iglesias, më 20 korrik do të mbajë koncertin e tij Ricky Martin dhe në shtator një tjetër emër i madh i muzikës operistike Plácido Domingo do të performojë me koncertin e tij në Tiranë. Pritet që në çdo koncert të ketë me mijëra të rinj dhe qytetarë jo vetëm nga Shqipëria, por edhe të huaj, të cilët kanë mundësinë të ndjekin këto koncerte në Tiranë. Në intervistë për Radio Ejani gazetarja Iva Tiço, njëkohësisht zëdhënëse për mediat e këtyre koncerteve madhështore flet për zhvillimin e tyre dhe interesimin e publikut.
CMG: Ka qenë i madh interesi nga publiku për të ndjekur koncertin e artistit të mirënjohur E. Iglesias. Si e sheh ti këtë ngjarje artistike?
Iva Tiço: Interesi ka qenë vërtetë shumë i madh dhe këtë unë e kam ndjerë pasi kam pasur një fluks të madh mesazhesh në rrjetet e mia sociale, celular, ku të gjithë ishin të interesuar për bileta për koncertin. Interesi ka qenë gjithashtu edhe nga gazetarët dhe mua më vjen jashtëzakonisht mirë. Për vite me rradhë unë kam qenë gazetare dhe e shoh si një ngjarje shumë të madhe, kulturore, një koncert si asnjë kaq i madh, që nuk është bërë ndonjëherë, apo emra kaq të mëdhenj që e fusin Shqipërinë në hartën e koncerteve të mëdha që bëhen kudo nëpër botë. Pse jo edhe për të shtuar një lloj turizmi, në mënyrë që ata që vijnë, sidomos të huajt, përveç turizmit bregdetar apo historik nëpër qytete, të mund ta kenë Shqipërinë në listën e tyre edhe për koncerte të tilla të mëdha, që patjetër do të jenë të shumta edhe në vitet në vijim, sepse Shqipëria ofron edhe çmime më të lira se rajoni dhe mund të kthehet në një pikë tërheqëse edhe në këtë lloj turizmi.
CMG: Cili është programi i mbrëmjes së 30 qershorit në sheshin 'Skënderbej'?
Iva Tiço: Detajet nuk kanë dalë, por në këto lloj koncertesh nuk thuhet programi, por ata që e ndjekin Enrique Iglesias, i dinë përmendësh këngët e tij dhe me siguri ato ‘hite’ do të interpretohen edhe në sheshin 'Skënderbej'. Ato që ne dimë dhe mund ta themi është se, këngëtari do të jetë i shoqëruar nga banda e tij muzikore dhe balerinët e tij, të cilët do ta kthejnë në një zjarr të vërtetë sheshin 'Skënderbej'.
CMG: Skena e ngritur për koncertin e artistit Enrique Iglesias është konsideruar si më e madhja në Shqipëri. Disa detaje më tepër?
Iva Tiço: Ditën e dielë në Shqipëri mbërritën 19 kamionë me materiale të skenës, dhe ajo që mund të thuhet është se nga madhësia fizike do jetë më e madhja, por edhe për efektet skenike, akustikën, ndriçimin dhe gjithë të tjerat. Do jetë një skenë që asnjëherë nuk është ndërtuar në Shqipëri, duke ndërtuar dhe standartin më të lartë të zhvillimit të këtyre koncerteve.
CMG: Këtë verë do të kemi koncerte nga shumë artistë të njohur ndërkombëtarë. Si janë pritur këto nga publiku?
Iva Tiço: Koncertet fillojnë me Enrique Iglesias më 30 qershor, më pas kemi më 20 korrik këngëtarin Ricky Martin, një tjetër emër shumë i njohur i muzikës latine, më pas në fund të muajit gusht do jetë Dj me famë ndërkombëtare DJ Martin Garrix, në shtator mbyllet ky cikël i koncerteve me tenorin e njohur Plácido Domingo, ai që njihet si legjenda e gjallë e operas. Publiku e ka pritur me mjaft interes, sapo dolën lajmet ka pasur rekord shpërndarjesh në rrjetet sociale, gati- gati njerëzve nuk i besohej se do të ishin të ftuar këto emra të mëdhenj. Le të shpresojmë që të shkojnë sa më mirë të gjitha.
Mbrëmjen e sotme pritet që të japë koncertin e tij të parë në Shqipëri artisti i mirënjohur spanjoll Enrique Iglesias, kur sot sheshi “Skënderbej” do të kthehet në arenën e muzikës latine. Ai është konsideruar si mbreti i popit latin, i shpallur si artisti më i mirë i të gjitha kohërave nga Billbord Latin Music Awards 2020. Artisti pritet që të dhurojë për të gjithë shqiptarët një mbrëmje të paharueshme. Çmimet e biletave variojnë nga 188 euro zona Vip, 123 euro zona Gold, 90 euro zona Bronze, dhe 62 euro zona Silver. Pas një interesi shumë të madh nga publiku dhe dëshira e madhe për të qenë prezentë të gjithë fansat e tij, u mendua nga organizatorët që të bëhej edhe një ulje tjetër e biletave, të cilat janë bërë publike dhe bëhet fjalë se dolën në shitje edhe bileta nga 28 euro, një çmim disi i përallueshëm për të gjithë. Gjithashtu ka pasur ulje edhe për studentët.
Intervistoi: Sava Lena