Eksportet e ulura shqiptare: si mund të ndihmohen?
2023-06-30 09:56:47

Eksportet (Foto Dosja.al)

Eksportet (Foto Dosja.al)

Gjatë muajit maj 2023, në uljen e eksporteve shqiptare ndikuan grupet e mallrave “Materiale ndërtimi dhe metale” me 10,4 përqind më pak dhe  “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”, me 7,1 përqind më pak.

Përtej vështirësive me koniukturën e pafavorshme të çmimeve në disa tregje ndërkombëtare për eksportet tona, eksportuesit janë përballur edhe me rritjen e kostove të tyre, për shkak të uljes prej 10.4 përqind të vlerës së këmbimit të euros në periudhën qershor 2022-maj 2023 në tregun vendas.

Praktikisht, për eksportuesit shqiptarë, kjo rënie 10.4 përqind e vlerës së këmbimit të euros në tregun e Shqipërisë përbën një humbje neto, pasi ata i shesin produktet e tyre në euro dhe të gjitha shpenzimet e pagave të punëtorëve, lëndëve të para, energjise elektrike dhe taksave, i përballojnë në lekë.

Qeveria ka marrë disa masa emergjente për të ndihmuar eksportuesit, sikurse eshte pezullimi i pagesave te kesteve mujore te tatim-fitimit deri ne fund te ketij viti, apo edhe rimbursimi i menjehershem i Tatimit mbi Vleren e Shtuar brenda 3 ditëve, por eksportuesit shprehen se këto masa nuk mjaftojnë dhe nevojiten të tjera. Eksperti Eduard Gjokutaj komenton uljen e eksporteve dhe masat që duhen marrë në këtë drejtim

Eksperti E. Gjokutaj në intervistë për CMG

Eksperti E. Gjokutaj në intervistë për CMG

CMG: Sipas INSTAT, në katërmujorin janar-prill 2023, eksportet shqiptare u tkurrën ndjeshëm, në krahasim me janar-prill 2022. Pse kjo rënie?

Eduard Gjokutaj: Mendoj se eksportet shqiptare përgjithësisht ndjekin një ciklikë të caktuar, përsa i përket sezonalitetit, por dhe e angazhimit, në raport me kërkesat e partnerëve.  Duket se në këtë moment, kemi një frenim të tyre, për shkaqe që nuk vijnë thjesht nga këto që unë përmenda, por të ndikuara nga faktorë të brendshëm.

U bë kohë tashmë që eksportuesit po ankohen, për shkak të disfavorizimit nga kursi i këmbimit, i cili po ul konkurrueshmërinë, si dhe, po i pakëson kapacitetet e tyre, për të dalë në tregjet me kontrata të reja.

Nga ana tjetër, një problem i cili nuk po trajtohet, është ai i shkurtesave të numrit të punonjësve. Këto shkurtesa i bëjnë të gjithë prodhuesit shqiptarë për eksport, ata që janë të angazhuar në prodhimet e konfeksioneve, por edhe ata në prodhimet e energjitikës, që të mos pranojnë oferta më shumë. Kjo sjell pakësim të eksporteve tona, rrudhje të tyre.

  CMG: Qeveria ndërmori disa masa mbrojtëse, pas kërkesave këmbëngulëse të eksportuesve, si rimbursimi i TVSH-së në 3 ditë, ngrirja e pagesave të kësteve të tatim-fitimit deri më 31 dhjetor 2023, për prodhuesit që eksportojnë mbi 70 përqind të prodhimit të tyre. Sa i kanë ndihmuar eksportuesit këto masa, në gjykimin tuaj? A janë ato të mjaftueshme?

Eduard Gjokutaj: Vetë eksportuesit, nga sa i kam ndjekur me vëmendje, thonë që janë masa që ju vlejnë, por nuk arrijnë t’i japin zgjidhje problemit të tyre madhor.

Pra, Ministria e Financave, së bashku me ministritë e tjera, të cilat janë ministritë e linjës, për sektorët e ndryshëm të eksporteve shqiptare(p.sh. Ministria e Bujqësisë, e Energjitikës, etj.), duhet të përgatisin një master plan, i cili të parashikojë një paketë masash që duhen marrë, si dhe si duhet dalë nga kjo situatë, e cila nuk konsiderohet tashmë afatshkurtër, por ka një tendencë që duhet të konsiderohet edhe për një periudhë afatmesme.

Thënë ndryshe, eksportuesit tashmë i kanë paraqitur kërkesat e tyre. Duhet një përfshirje edhe e zyrave të këshillimit që këshillojnë këto biznese, si dhe Ministria e Financave me ekspertët dhe këshilltarët e vet, dhe kështu të bëhet një shoshitje, për të shkuar drejt adresimit të problemeve të tyre, në një dokument, i cili të tregojë se deri ku do të shkoje risku që do të mbajë qeveria, por edhe çfarë risku do të mbajnë eksportuesit.

 

INSTAT për eksportet (Foto Ora News)

INSTAT për eksportet (Foto Ora News)

CMG: Në nivel të sistemit bankar, banka jonë qendrore dhe shoqata e bankave të nivelit të dytë, u kanë ofruar eksportuesve dy mënyra mbrojtëse. E para, në lidhje me mbështetjen që ato mund t’u japin eksportuesve për kontratat e së ardhshme(futures), me kurs fiks këmbimi, dhe e dyta, për çdo eksportues që ka marrë një kredi dhe ndodhet në vështirësi momentale likuiditeti, të ristrukturojë këtë kredi. I gjykoni këto dy masa të dobishme për eksportuesit?  

 

Eduard Gjokutaj: E para, masat duhet të jenë gjithëpërfshirëse. Natyrshëm që të veçuara, këto kanë një efekt. Edhe pse besoj se eksportuesit nuk ndjehen të akomoduar thjesht me ristrukturimin e kredisë, i cili si veprim është i ngjashëm me shtyrjen e pagesës së kësteve të tatim-fitimit, nga Ministria e Financave.

Ajo që vlen për eksportuesit është një kreditim, huadhënie me norma të ulta interesi, gjë që ata nuk e gjejnë.

Nga ana tjetër, duhet parë që të plotësohen kërkesat jo vetëm të eksportuesve të mëdhenj, por edhe të eksportuesve të vegjël, start-up-eve, të cilat kanë nevojë jo vetëm për pjesën e kreditimit financiar, por edhe për asistencë fiskale dhe, në përgjithësi, edhe asistencë ligjore, me qëllim që bujqit, fermerët e rinj që eksportojnë, pjesa e industrisë së re të veshjeve dhe konfeksioneve, të jenë të asistuar, në mënyrë që të kenë një peshë më të lehtë fiskale dhe rregullatore, sidomos për rastin e bujqësisë.

 CMG: Në nivelin e eksportuesve, janë tetë shoqata të tyre, ku përfshihen edhe shoqatat e turizmit, pasi ai është një shërbim që eksportohet, që i janë drejtuar me një letër qeverisë. Cilat janë kërkesat e tyre që ende qeveria dhe sistemi bankar nuk i ka plotësuar dhe do të duhej të plotësoheshin, që ata të konkurrojnë në mënyrë të barabartë në tregjet përkatëse të eksporteve?

Eduard Gjokutaj: Unë do të filloja me ato që janë më të rejat, të lidhura dhe nga efekti i presionit të tregut. Eksportuesit kanë kërkuar një stabilizim të kursit të këmbimit, të cilin ata duan ta përdorin për të bërë planifikime të reja për kontratat. Nga ana tjetër, kanë kërkuar një konsultim paraprak për çdo nismë që merr qeveria. Këtu kam parasysh pagën minimale, e cila, edhe në statistikat e fundit të INSTAT, tregon që nuk është zbatuar në atë masë që është miratuar nga ligji, por ka ndjekur atë ritmikë që e kanë shprehur shumë ekspertë si shqetësim.

Nga ana tjetër, qeveria duhet t’u krijojë kushte bizneseve të eksportit për një fuqi punonjëse më të aftë se më përpara. Kjo, në fakt, nuk është diçka që mund të bëhet brenda momentit, por duhet treguar qartësisht se kur këto kontigjente të trajnuara do të hyjnë në funksion të këtyre bizneseve.

Ambjenti i konkurrueshmërisë lidhet edhe me atë që përmendëm, pra një sistem financiar shumë më elastik, për t’ju përgjigjur nevojave për uljen e kostos, dhe, nga ana tjetër, duhet ulja edhe e kostove të lëndëve të para, të cilat vijnë nga importi dhe prishin të gjithë atë zinxhirin e prodhimit e qarkullimit, duke ndikuar në një rritje të kostos së tyre finale, për produktin që eksportojnë. Kjo sjell, nga ana tjetër, uljen e konkurrueshmërisë.

 

CMG: Ju përmendët me të drejtë mundësinë e kredive të buta, me interesa të subvencionuara nga ndonjë organizatë donatorësh, ose edhe nga vetë buxheti i shtetit. A mund të realizohet kjo masë, sidomos për sektorin e veshjeve dhe këpucëve, që përbën 40 përqind të eksporteve të Shqipërisë, që të realizojnë ciklin e mbyllur të prodhimit, të ashtuquajturat produkte “Made in Albania”?

 

Eduard Gjokutaj: Në fakt, qeveria ka diskutuar ndër vite, për hapjen e një banke zhvillimi, e cila të ishte me kapital publik dhe të ndihmonte pikërisht këto nisma, të cilat bankat private, por edhe mungesa e një tregu sekondar kapitalesh, e fondeve të investimit, të cilat mund të luanin një rol shumë pozitiv dhe ndihmues, e bëjnë të domosdoshëm si veprim.

Ne do të sugjeronim ndërhyrje të tilla. Brazili, për shembull, ka përdorur një qasje shumë me vlerë. E quan “pedalimi fiskal”. Pedalimi fiskal është një bankë e krijuar për nevoja të shtetit. As shteti në këtë nismë, nuk vihet në siklet, përsa i përket huamarrjes, për të mos e ekspozuar, por ndihmon atë treg dhe sektor eskportesh që ka më shumë nevojë. Është një formë moderne banke zhvillimi, ku të gjithë ngelen të kënaqur.   

CMG: Si e parashikoni ecurinë e eksporteve shqiptare gjatë këtyre muajve sfidues të verës, kur euro ka të ngjarë të ulet dhe më shumë, në raportin e këmbimit me lekun, për shkak të remitancave më të mëdha dhe sezonit turistik të verës?

Eduard Gjokutaj: Problemi i euros tashmë është i lidhur me shumë zhvillime që ka ekonomia dhe financat në tërësi. Ne kemi rastin më të fundit të daljes së Shqipërisë me emetimin e një eurobondi të ri. Kjo lëvizje kërkon mbajtjen e disa parametrave. Këtu kemi të bëjmë me normat e interesit, të cilat janë të lidhura me pjesën e eurobondit, me pjesën e kursit të këmbimit, i cili ndihmon shlyerjen e eurobondit për momentin dhe, në përgjithësi, me atë që quhet mbajtja e një likuiditeti të mjaftueshëm për programet qeveritare.

Në një farë mënyre, kur i kërkohet qeverisë që të marrë masa për stabilizimin e këmbimit të euros në tregun tonë, ka në vetvete një lloj konflikti interesi. Kjo, pasi, nga njëra anë, qeveria dhe Banka e Shqipërisë janë të interesuara të mbajnë këtë lloj statukuoje, për arësye se edhe statistikisht, por edhe në aspektin e tregjeve ndërkombëtare, ju japin një siguri më shumë, por nga ana tjetër, kërkohet që ky kurs këmbimi të ndryshojë, për arësye se nevojitet një ndërhyrje, duke patur parasysh atë që ju me të drejtë thoni, që sezoni turistik veror vjen me një vrull dhe furi.   

Do të kemi në treg një euro edhe më të dobët, derisa të bjerë këmbana finale dhe te gjenden zgjidhje, por mirë është që Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë të prononcohen për qëllimet dhe planet e tyre, që të mos krijohen probleme spekulative në treg. 

CMG: Një industri e mirëfilltë eksportuese e vendit është turizmi shqiptar. A do të dëmtohet turizmi shqiptar, nga ulja e ndjeshme e euros në tregun e Shqipërisë?

Eduard Gjokutaj: Unë besoj se turizmi do të ndjekë një ritmikë që e ka marrë tashmë, të paktën në dy vitet e fundit, ku do të kemi një rritje jo vetëm të numrit të vizitorëve, por edhe një rritje të kohëqëndrimit, për arësye se tashmë kemi një shtim të njësive të akomodimit.

Vizitorët vendas, të mos e harrojmë, të cilët janë potencial shumë i madh përsa i përket turizmit, edhe ata kanë një përhapje jo vetëm në njësitë formale të akomodimit, por edhe në ato informale, pra në apartamentet e banimit dhe në vende të tjera. Nga ana tjetër, turistët në vetvete, edhe pse kemi një euro të dobët, do të shpenzojnë aq sa kanë planifikuar, duke qenë se janë më së shumti turistë familjarë, me buxhet të kufizuar.

Natyrshëm që do të kemi një turizëm, i cili do të ketë përmirësim, në raport me vitin e kaluar, por jo një bum, për arësye se bumin e sjell turizmi elitar apo ai lloj turizmi që mund të shpenzohen shumë para.

 

Ecuria e eksporteve (Foto Monitor)

Ecuria e eksporteve (Foto Monitor)

CMG: Çfarë mund të bëjë qeveria në planin afatshkurtër, pra të momentit të emergjencës për eskportuesit, që ende nuk e ka bërë, në gjykimin tuaj?  

 

Eduard Gjokutaj: Duhet bërë një analizë e përgjithshme për barrën fiskale që kanë eksportuesit, pasi ata janë të përjashtuar nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), kanë një shtyrje të pagesës së tatim-fitimit, por në tërësi, duhet llogarituar sa kjo e tëra ju kushton, si dhe kostot e tjera, që ata gjykojnë se e kanë të dosmosdoshme që të ulen.

Në këtë moment, qeveria mund të ndërhyjë me politika nxitëse. Përse jo, duhet të kemi, ndoshta, për prodhuesit vendas, edhe një rishikim të marrëveshjeve të ndryshme. Mund të kemi një ngrirje të përkohshme të marrëveshjeve, për të ndihmuar prodhuesit shqiptarë, në favor të politikës anti-dumping.

Nga ana tjetër, rishikimi i të gjitha kostove të rritura që vijnë nga importi, në mënyrë që qeveria të asistojë eksportuesit jo vetëm me paketën rregullatore dhe financiare, por edhe me një paketë gjithëpërfshirëse, do të ishin masa që do të akomodonin përkohësisht disa nevoja imediate të eksportuesve. 

 

CMG: Eksportuesit janë shprehur se krahas fuqisë punëtore, një nga zërat kryesorë të shpenzimeve të tyre e përbën konsumi i energjisë elektrike. Duke qenë se kemi një vit hidrik të bollshëm në rreshje dhe situata me çmimet ndërkombëtare të energjisë elektrike është përmirësuar, a mund të mendohet një subvencion qeveritar i përkohshëm mbi çmimin e energjisë për eksportuesit?

 

Eduard Gjokutaj: Të paktën mund të themi që mund të ketë rregjime të përkohshme fiskale, pasi vendosja e çmimeve preferenciale apo prishja e asaj statukuoje të tregut, mundet të ndikojë zinxhirin e prodhimit me efekte të tjera.

Unë do të thosha që jo të gjithë eksportuesit e kanë njësoj konsumin e energjisë. Industria minerare dhe industria që lidhet me shfrytëzimin e burimeve energjitike e përdorin më shumë.

Ajo që mund të bëhet, sikurse u bë në kohën e pandemisë nga Covid-19, është një ngrirje e përkohshme e disa taksave, gjë që mund të lehtësojë eksportuesit. Duhet kuptuar se jemi në një ekonomi ku qeveria nuk mund të marrë çdo risk përsipër.

Është edhe risku i biznesit, i cili duhet të gjejë rrugë të reja dhe të mos e presë gjithshka nga qeveria.   Të paktën për kërkesat që konsiderohen legjitime dhe qeveria mund t’i bëjë, natyrshëm që duhet të hyjë në negociata me eksportuesit sa më shpejt.

 

Intervistoi Fatos Çoçoli