Inteligjenca artificiale në jetën e njeriut
2023-06-30 14:40:18

Teknologjia është pjesë e përditshmërisë sonë. Të gjithë ne kemi kontakt me teknologjinë, por sa e njohim atë,  sa na ndikon në jetën tonë? Me zhvillimin e mëtejshëm të teknologjisë njeriu përballet me pasojat e teknologjisë. Për të mësuar rreth inteligjencës artificiale, rregullimit të saj me ligj dhe lidhjes së saj të pandashme me jetën e individëve intervistuam gazetarin e teknologjisë, Brenton Bënja krijuesi i Geek Room, një hapësirë informative, që përditësohet me informacion për të gjithë dashamirësit e teknologjisë.

Brenton Bënja (Foto Geek Room)

Brenton Bënja (Foto Geek Room)

Inteligjenca artificiale në jetën e njeriut

CMG: Brenton jeni një gazetar i fushës së teknologjisë dhe themelues i “Geek Room”. Të mësojmë çfarë është kjo hapësirë e krijuar nga ju?

Brenton Bënja: Geek Room është e vetmja media online dedikuar teknologjisë në Shqipëri, e themeluar në vitin 2018. Në bazë ditore publikojmë online artikuj apo edhe video rreth informacioneve më të fundit në fushën e teknologjisë, por edhe rreth mënyrave se si njerëzit mund të përdorin më mirë pajisjet e tyre teknologjike.

CMG: Kjo është e domosdoshme besoj për të gjithë

Brenton Bënja: Mendoj që këto video na kanë bërë akoma më të ndjekur dhe më të njohur, sepse njerëzit i ruajnë në telefonin e tyre për t’i përdorur më pas kur ju duhen.

CMG: Ku jeni të aksesueshëm?

Brenton Bënja: Jemi në Youtuve, Instagram dhe Tik Tok, por dhe në website.

Brenton Bënja nëë intervistë për CMG

Brenton Bënja nëë intervistë për CMG

CMG: Është një gjë shumë e mirë që teknologjia po avancon me “shpejtësinë e dritës”, por ka dhe një aspekt social që sipas statistikave shoqëritë thuajse në të gjithë botën janë në plakje. A do të mund ta ndjekë shoqëria njerëzore hapin e shpejtë të teknologjisë?  Si mund ta përkufizojmë inteligjencën artificiale ? Kur i ka fillesat dhe a ka lloje?

Brenton Bënja: Në kuptimin më të thjeshtë inteligjenca artificiale është një replikë ose një imitim i inteligjencës njerëzore, por nga ajo kompjuterike. Nëse për inteligjencën njerëzore na duhen shumë vite shkollë, eksperiencë për formimin tonë, inteligjencës artificiale AI mund t’i duhen 2-3 ditë dhe për t’u përmirësuar mund t’i duhen vetëm 2 sekonda. Format se si funksionon dhe mënyrat se si AI është e lidhur ndikojnë që ajo të bëhet inteligjente në mënyrë jashtëzakonisht shumë të shpejtë. Pikërisht këtu lindin frikërat, dyshimet.

CMG: Sepse sa më inteligjente bëhet ajo, aq më pak inteligjentë na duket vetja ne?

Brenton Bënja: Pikërisht. Si teknologji AI nuk mund të themi që është e re. Janë vitet 1950-60 kur inteligjenca artificiale në mënyrën e saj më primitive u prezantua dhe shembulli më i thjeshtë është makina llogaritëse. Këtyre makinave u kë mësuar funksionet bazë dhe në bazë të kërkesave që ti bën, ajo bazohet te informacioni që ka për të të dhënë rezultatet.Aty ku AI u përdor më shumë janë fabrikat, industria e rëndë është ajo që përdori së pari inteligjencën artificiale. Mund të marrim si shembull një fabrikë përpunimi frutash me anë të disa skanerave nxjerrin mënjanë frutat e prishura, që nuk duhet të dalin në seri.

Inteligjenca artificiale ka ekzistuar si teknologji, ndërsa llojet e saj janë të shumta.Sot disa lloje të inteligjencës artificiale janë të bazuara në Large Language Model, pra modelet e gjuhëve të mëdha, që do të thotë që vendos një informacion shumë të madh dhe në bazë të tij të kthen përgjigje. Shembulli më konkret i kësaj është ChatGPT

Inteligjenca artificiale (Foto AbcNews)

Inteligjenca artificiale (Foto AbcNews)

CMG: Si funksionon Ai dhe sa profesione janë të rrezikuara prej saj?

Brenton Bënja: Fatkeqësisht janë shumë profesione, por profesioni kryesor është ai i matematicienit sepse sot makina llogaritëse ka zgjidhur gjithçka. Megjithatë me zhvillimin e 3-4 viteve të fundit kemi dhe shumë profesione të tjera që po rrezikohen. Njeri prej tyre është analisti financiar. Ka shumë analistë financiarë që studiojnë tregun dhe japin parashikime se si mund të sillet një monedhë apo si mund të zhvillohet ekonomia e një vendi. Tani AI e bën këtë automatikisht dhe të gjithë personat që punojnë në banka ju rrezikohet vendi i punës sepse falë AI gjithçka mund të zgjidhet shumë shpejt, por edhe shumë saktë.

Një profesion tjetër shumë i rrezikuar është ai i përkthyesit. Ne sot përdorim shumë Google Translate që është një ndër shërbimet më të përdorura, por ka dhe të tjera të ngjashme dhe nëse do ta testojmë me gjuhën shqipe këto 2-3 vitet e fundit është thuajse perfekte.

CMG: Nëse do t’i referohemi vendeve me teknologji tepër të zhvilluar dhe po të ndalemi në Kinë gjatë periudhës së pandemisë Covid 19 nëpër spitale për të shmangur sa më shumë përhapjen e infeksionit janë përdorur me sukses robotët.

Brenton Bënja: Në fakt përdorimi i AI në mjekësi dhe në edukim për mendimin tim përbën dy nga rastet më pozitive. Përdorimi i robotëve ka lehtësuar punën e infermierëve, duke matur nivelet jetikë të pacientëve, për të shpërndarë ilaçet te pacientët në orarin e caktuar. Në këtë rast infermierëve u është lehtësuar puna, por nuk mendoj sidomos në shëndetësi, që roboti të zëvendësojë njeriun, sepse flasim për jetë njerëzish.

Inteligjenca artificiale (foto Monitor)

Inteligjenca artificiale (foto Monitor)

CMG: Për dekada AI ka mahnitur njerëzimin si një entitet enigmatik dhe i pakapshëm, i përshkruar shpesh në filma fantastiko-shkencorë. Inteligjenca artificiale është një engjëll dashamirës që i shërben njerëzimit me përkushtim, apo një demon keqdashës, që mund të asgjësojë njerëzimin?  I referohem Sam Altman shefi ekzekutiv i Open AI Chat GPT që paralajmëroi se bota mund të jetë pranë krijimit të AI të frikshme dhe duhet një rregullator ndaj saj. Shqetësim për këtë kanë shprehur dhe fizikani Stephen Hawking dhe CEO i Tesla Elon Musk. Vërtet përbën kërcënim AI?

Brenton Bënja: Po të shohim anën pozitive, unë do të doja ta shihja AI si një ndihmesë për të përditëshmen tonë, por nga nëntori i 2022 kur u prezantua Chat GPT  inteligjenca artificiale pati një hov të jashtëzakonshëm. Të gjitha kompanitë që sot po rivalizojnë njera-tjetrën kishin rreth 5 vite që po përgatiteshin për lançimin e AI në këtë formë që e njohim sot dhe njerëzit nuk kishin akoma njohuri dhe nuk e dinin se sa e aftë është ajo.

Ndërsa sot kjo inteligjencë po na vjen si një bum informacioni, që mund të kodojë, të japë përgjigje shumë të sakta, apo të prodhojë imazhe. Gjithë ky informacion po ngre pikëpyetje, ku do të shkojë, çfarë dhe sa e rrezikshme është? Në këtë aspekt, nga njera anë na ndihmon dhe është pozitive, por nga ana tjetër është e domosdoshme që inteligjenca artificiale të ketë një rregullator. Por asnjë nga shtetet sot në botë nuk është i përgatitur për të prezantuar një bazë ligjore të saktë për të udhëzuar zhvillimin e kësaj teknologjie. Për mendimin tim ndoshta është paaftësi ose nuk kanë qenë të gatshëm, sepse kjo teknologji po zhvillohet prej 5 vitesh. Ku ishin shtetet dhe pse nuk e përgatitën terrenin?

Nga njera anë janë kompanitë që duan të zhvillohen dhe po përfitojnë nga mangësitë ligjore, ndërsa nga ana tjetër është shumë e domosdoshme siç po bëjnë disa shtete, që po paraqesin disa baza ligjore.

CMG: Parlamenti Europian javën e kaluar miratoi ligjin për Inteligjencën europiane, që vendos kufizime mbi gamën e përdorimeve të saj. Në raste shkeljesh kompanitë do të paguajnë gjobë sa 6 % e të ardhurave vjetore. A do të ndikojë ky ligj në përdorimin e AI?

Inteligjenca artificiale (Foto Nacionale)

Inteligjenca artificiale (Foto Nacionale)

Brenton Bënja: Para se të arrijmë tek projektligji, sot ka vetëm një ligj që ekziston kudo në botë, në SHBA, Kinë dhe Europë sipas të cilit kompanitë që kompanitë që zhvillojnë AI duhet të zotohen që zhvillimi i saj është në të mirë të njerëzimit.  Por ky nuk përbën një rregullator konkret. Parlamenti Europian e ka propozuar projektligjin dhe shtetet një e nga një duhet të përshtasin legjislacionin, i cili pritet të kufizojë AI në industri që kanë risk të lartë. Për shembull në transport dhe mjekësi duhet që përdorimi i AI të kufizohet dhe monitorohet

CMG: Chat GPT bëri debutimin e tij në fillim të këtij viti. Çfarë është Chat GPT dhe sa i domosdoshëm është për njerëzit?

Brenton Bënja: Chat GPT është një website online tek i cili mund të bësh pyetje nga më të ndryshmet.

CMG: Është një lloj i  Google Search?

Brenton Bënja: Jo. Sepse Google si përgjigje të jep një website, të cilit mund t’i referohesh, kurse ChatGPT të jep vetë një përgjigje.Madje përveç përgjigjes edhe të zgjidh. Nëse i thua më shkruaj një artikull mbi AI pas 10 viteve, e shkruan këtë artikull

CMG: Sa të sakta janë përgjigjet e Chat GPT?

Brenton Bënja: Saktësia është shumë e lartë. Ti mund t’i thuash se të pëlqen artikulli por duhet ta bësh më të shkurtër, atëhere Chat GPT e ripërpunon dhe e shkurton artikullin.

CMG: A mund të përdoret Chat GPT në gjuhën shqipe?

Brenton Bënja: Po mund të përdoret, ndonëse nuk është shumë efikas. Dua t’u them përdoruesve se Chat GPT dhe forma të tjera të inteligjencës artificiale nuk duhet t’i përdorin në ambjentet e punës apo të shkollës.

CMG: Cilat janë dallimet midis Chat GPT dhe homologëve kinezë Wenxin Yiyan të Baidu?

Brenton Bënja: Baidu ka lançuar para 3-4 muajve rivalin e Chat GPT por për momentin është i aksesueshëm vetëm nga zhvilluesit, pra personat që zhvillojnë AI edhe mund ta përdorin. Nga ana tjetër, ne si media njohim vetëm deklaratat zyrtare të Baidu-së dhe është rivali kryesor i Chat GPT sepse së pari përdor të njejtin model, Large Language Model. Së dyti, po flasim për Kinën ku numri i përdoruesve do të jetë shumë herë më i madh. Duke qenë se gjuha kineze është ndryshe në të shkruar dhe në të folur mendoj që Baidu do të jetë shumë herë më e saktë në informacionet që do të japë.

CMG: A do të jetë shumë e domosdoshme për njerëzit Chat GPT?

Inteligjenca-Artificiale-dhe-puna-(Foto Monitor)

Inteligjenca-Artificiale-dhe-puna-(Foto Monitor)

Brenton Bënja: Duhet që për momentin ta përdorin për argëtim. Për të kuptuar se çfarë është inteligjenca artificiale është mirë të regjistrohen dhe ta njohin. Mendoj se është një mjet që na hap shumë horizonte dhe për të kuptuar se çfarë është AI , si mund ta përdorim dhe deri ku mund të shkojë se përveç tekstit mund të gjenerojë dhe imazhe.

CMG: Sa i përket ruajtjes së privatësisë nga inteligjenca artificiale, kur ka të bëjë me skanimin e fytyrës dhe elemente të tjera, si do të arrihet të ruhen?

Brenton Bënja: Bashkimi Europian me rregullatorin e ri që ka propozuar lidhur me përdorimin e AI, i ka dedikuar një paragraf më vete përdorimit të të dhënave personale, të cilat duhet të jenë të menaxhuara vetëm nga autoritetet shtetërore. Pra asnjë kompani private nuk mund të përdorë të dhënat biometrike, si skanimi i fytyrës, apo shenjat e gishtave, me nënsistemet e tyre.

CMG: Vitet e fundit dëgjojmë gjithnjë e më shumë një fjalor teknologjik, si pjesë e realitetit tonë. Shqipëria në çfarë niveli paraqitet lidhur me zhvillimet e reja teknologjike, përfshirë dhe inteligjencën artificiale, krahasuar me vendet e tjera të rajonit?

Brenton Bënja: Në bazë të informimit të publikut, dhe këtu do të fokusohesha tek të rinjtë, fatmirësisht Ai dhe të gjitha teknologjitë sot janë online, që do të thotë se janë lehtësisht të aksesueshme.Njerëzit me kuriozitet këto teknologji po i eksplorojnë, ndërsa për teknologjitë që nuk janë online, jemi prapa. Lidhur me fillimin e start-up-eve, që bazohen në teknologji Shqipëria dhe i gjithë rajoni janë premtues. Ka ardhur një moment që investitorët janë të interesuar për start-up-et. Ky është momenti që investitorët po hedhin sytë nga start-up-et e Shqipërisë dhe rajonit.

CMG: A është Shqipëria e kërkuar nga nomadët digjitalë?

Brenton Bënja: Potenciali i Shqipërisë është për të pritur nomadë digjitalë. Këta janë persona që punojnë online në çdo cep të botës, mund të jenë grafik dizajnër, apo që menaxhojnë rrjetet sociale. Numri i nomadëve digjitalë sa vjen e rritet, por arsyeja kryesore përse ata punojnë nga vende të ndryshme lidhet me natyrën, por dhe nivelin ekonomik të këtyre vendeve. Indonezia si një vend me shumë plazhe është një ndër vendet që tërheq më shumë nomadë digjitalë. Ndërsa në Europë është Portugalia vendi që preferojnë të punojnë nomadët digjitalë. Ndërsa Shqipëria fatmirësisht i ka të gjitha, plazhet, malet, kulturën, çmimet e ulta dhe potencialisht mund të bëhet një destinacion për nomadët digjitalë

Intervistoi Eda Merepeza