“Planifikoj të hap qindra fabrika në Kinë në dekadën e ardhshme”, tha Henrik Stamm Kristensen, themelues i një kompanie daneze të teknologjisë ushqimore. Në Forumin e 14-të Veror të Davosi-it, ai i tha Grupit Mediatik të Kinës se tregu gjigant dhe sistemi i fuqishëm logjistik në Kinë e kanë tërhequr të ndërtojë aty qendra të prodhimit të lokalizuar.
Foto:VCG
Në forumin që po zhvillohet në qytetin Tianjin të Kinës Veriore, marrin pjesë mbi 1500 përfaqësues të qarqeve politike, akademike e të biznesit. Gjatë shkëmbimit të mendimeve, shumë pjesëmarrës përdorën fjalën “e brishtë” për të përshkruar gjendjen ekonomike globale. Ndërsa Forumi, me temën “Fryma e sipërmarrjes, forca shtytëse e ekonomisë botërore”, e ka vënë “rinisjen e rritjes” si një ndër pikat kryesore në fokus, gjë që pasqyron dëshirën e fortë të përbashkët të njerëzve në vende të ndryshme.
Rritja kërkon një forcë nxitëse. Si ekonomia e dytë më e madhe dhe tregtuesja e mallrave numër një në botë për gjashtë vjet radhazi, Kina është vënë natyrshëm në qendër të vëmendjes. Në dekadën e kaluar, rritja mesatare vjetore e ekonomisë kineze arriti në 6.2 %, duke kontribuuar për mbi 30 % të rritjes së ekonomisë globale dhe duke u bërë forca më e madhe nxitëse e kësaj rritjeje. Presidenti i Forumit Veror të Davosit Borge Brende u shpreh në një intervistë se kontributi i Kinës për rritjen e ekonomisë botërore mund të arrijë sivjet në 36 %.
"Kush do që ta humbasë një treg aq të madh?" pyetën në mënyrë retorike shumë të intervistuar të huaj për CMG-në. Ata janë të mendimit se rritja e ekonomisë kineze ka forcë të madhe të brendshme. Ndërkohë, ata kanë besim te Kina për sa i përket tregut të konsumit, stabilizimit të rritjes, aftësisë parandaluese të inflacionit dhe krijimit të risive.
Kryeministri Li Qiang merr pjesë në mbledhje të Forumit Veror të Davosit, 27 qershor 2023(Foto:Xinhua)
Një ditë para nisjes së Forumit Veror të Davosit, u publikua “Programi i Kinës për zhvillimin e energjisë së hidrogjenit”. Ky dokument përmban 35 masat e Kinës për të realizuar arritjen e kulmit të lëshimit të karbonit para fundit të vitit 2035, duke hedhur një hap të rëndësishëm në rrugën e transformimit drejt “lëshimit zero” të karbonit në botë. Ndërkohë, vjet renditja e Kinës në listën e treguesve të risive u ngrit në vendin e 11-të, në krye të vendeve me të ardhura të mesme. Pritet që, me përparimin drejt zhvillimit me cilësi të lartë dhe zbatimin e strategjisë së zhvillimit të nxitur nga risitë, më shumë mundësi të rritjes ekonomike mund të çlirohen në Kinë.
Ndërmarrjet janë më të ndjeshme ndaj tregut. Megjithëse ka disa zëra në Perëndim që nxisin “shkëputjen” dhe “çrrezikimin” prej Kinës, pjesëmarrësit në forum u shprehën në mënyrë të qartë se një veprim i tillë do të thotë “çbashkëpunim” dhe “’heqje e mundësive”, gjë që është kundër ligjeve ekonomike dhe e papranueshme. Me një botë të ndërlidhur ngushtë, moszhvillimi dhe mosbashkëpunimi janë rreziqet e vërteta.
Foto:VCG
Tani Kina po nxit pandërprerë hapjen me jashtë, duke ftuar gjithë botën të përfitojë nga zhvillimi i saj. Me lehtësimin e mëtejshëm të kufizimeve në sektorë si shërbimet moderne, zgjerimin e hapjes institucionale, shtimin e mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale, ndërmarrjet do të gjejnë më shumë mbështetje në Kinë. Ndërkohë, në gjysmën e dytë të këtij viti, në Kinë do të organizohen Forumi i Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Nivelit të Lartë ‘Një brez, një rrugë’, Panairi Ndërkombëtar i Importit i Kinës, Ekspozita e 1-rë Ndërkombëtare e Zinxhirit të Furnizimit e Kinës etj. Lidhur me këtë, sipërmarrësi kanadez Alex Zhavoronkov komentoi se Kina gjithmonë bën gjëra që janë në të mirë të të gjithëve.(Zhang Yan/Artan)