Eralda Baze sjell romanin ‘Dielli më perëndon në lindje’
2023-06-29 10:21:33

Eralda Baze ( foto facebook)

Eralda Baze ( foto facebook)

“Dielli më perëndon në Lindje” është romani i parë i Eralda Bazes, që shënon një sprovë të rëndësishme për letërsinë feministe shqiptare.

Ndonëse ky është libri i parë i Bazes për lexuesit, autorja shpalos mjeshtri në rrëfim, guxim në thyerjen e tabuve, zhdërvjelltësi në ngritjen në art të gjuhës, kulturë në profilizimin e realitetit dhe personazheve, sidomos femrave, – të cilat kthehen në viktima të një bote të egër dhe tejet intrigante.

“Romani ‘Dielli më perëndon në lindje’ është një rrëfim në vetën e parë, nga goja e personazhit kryesor, e cila quhet Era. Ajo është një përkthyese e re  në moshë dhe në profesion”. Tipar i shquar i saj është edhe dashuria  për atdheun. Ajo punon fort për restaurimin e objekteve të ndryshme në komunitet, nxitur edhe nga profesioni që ka si inxhiniere.

Për Radio Ejani, Eralda tregon se  ka një pasion të madh për të punuar për vendin e saj si edhe për të shkruar.

Eralda Baze ( foto facebook)

Eralda Baze ( foto facebook)

CMG: Eralda, si ka nisur kontakti juaj i parë më librin dhe çfarë ju shtyn të shkruani?

Eralda Baze: Zanafilla e kësaj lidhjeje tregohet tek fakti që mua më pëlqen libri dhe që kam një pasion të madh për të.

Kjo më vjen që nga fëmijëria për faktin që jam rritur në mjedis me libra dhe që kam një vëlla binjak dhe kemi nje lloj gare të lezetshme në çdo fushë. Tjetër arsye,  që kam dhe një gjyshe shumë të dedikaur dhe ajo më ka mësuar se si duhet dhe se çfarë duhet të lexoj. Ajo është një lloj Mitrush Kuteli në versionin grua.

Mendoj se marrëdhënia fillestare e njeriut me letërsinë është e natyrshme, instiktive, që në vogëli. Nuk kemi dëgjuar asnjëherë një fëmijë që sapo ka mësuar të flasi, të komunikojë me mjedisin përreth, t’u kërkojë prindërve “Më hapni një llogari bankare”. Lutja e përjetshme e fëmijës, që nuk ka ndryshuar gjatë gjithë historisë së njerëzimit mbetet e njëjta: “Më trego një përrallë”. Unë personalisht, përveç kësaj nevoje natyrale, instiktive, për të dëgjuar rrëfenja, kisha edhe fatin që të rritesha mes librave.

Eralda Baze libri i saj Zambaku i Kanionit  ( foto facebook)

Eralda Baze libri i saj Zambaku i Kanionit  ( foto facebook)

CMG: Prindërit e tu kanë qenë të lidhur me librin?

Eralda Baze: Im atë është mësues, ndërsa ime më ka qenë punonjësja e bibliotekës së qytetit. Shtëpinë tonë, nga të gjitha shtëpitë e tjera shqiptare me mobilimin standard, e dallonte vetëm prania e librave, grumbuj librash gjithandej. Ne fëmijët çdo gjë e bënim me libra; i lexonim, i përdornim si tulla për të ngritur kështjella, madje edhe kur ziheshim, qëlloheshim me libra, sepse, fundja, ata të vrisnin më pak sesa ato pak lodra të shëmtuara pa pikë fantazie prej kauçuku të fortë, që kishim në atë kohë.

CMG: Si i kujton rrëfimet e gjyshes?

Eralda Baze: Gjyshja ime jeton dhe unë i kujtoj çdo ditë rrëfimet e saj, sepse janë rrëfime që më kanë formësuar si karakter letrar. Ato kanë qënë kontakti i pare me librin, por i pavetëidjashëm me botën e rrëfimet në tërësi, ajo më rrëfente drejt fshatit, natyrës etj. Unë atë shije që më ka lënë gjuha  dhe rrëfimet e saj  e kam gjetur edhe tek Mitrush Kuteli vite te më vonë. Ky ka qenë kontakti i parë me të.

Eralda Baze ( foto facebook)

Eralda Baze ( foto facebook)

CMG: A kishe ndjesi habie në fillim?

Eralda Baze: Unë gjyshen mund ta krahasoj me diçka shumë të veçantë. Nëse e keni paraysh ‘Lizën në Botën e Çudirave’ dhe tunelin në të cilin ajo futej për të dalë nga një vend në tjetrin, gjyshja ime ishte mister i cili më rrethonte dhe rrethon ende mua.

CMG: Cili ka qenë qëllimi juaj në veprën ‘Dielli më perëndon në lindje’?

Eralda Baze: Të jem e sinqertë, gjatë gjithë kohës që kam qenë duke shkruar, mendoja se po trajtoja dramën e dashurisë mes dy të rinjve që vijnë nga botë të ndryshme, nga kultura të ndryshme, dashurinë e vështirë mes vetë Lindjes dhe Perëndimit, me pak fjalë. Por, për habinë time, pasi e kam përfunduar librin, lexuesi im i parë, botuesi im, “më hapi sytë” me zbulesën e tij. Ai ishte i pari që arriti në të njëjtin konkluzion si ju tani, se në fakt linja që dominon fund e krye romanin është pikërisht përditshmëria dramatike, vuajtjet për të mbijetuar me dinjitet të intelektualëve shqiptarë në përgjithësi dhe të intelektualeve në veçanti. Me sa duket, kjo temë ka pikuar, ka rrjedhur me një heshtje ulëritëse nga subkoshienca ime... Kjo është mistika e të shkruarit ndoshta...

Unë zakonisht romane lexoj dhe romane shkruaj, është ajo fjala që romani është një dhe mënyra e interpretimit është aq sa  ka lexues.

Eralda Baze  libri i saj Dielli me Perendon ne lindje( foto facebook)

CMG: Cilat janë disa nga komentet që keni dëgjuar për letërsinë tuaj?

Eralda Baze: Unë kam dëgjuar që ma kanë cilësuar si letërsi feministe, sepse të gjithë e shohin sipas perspektivës së tyre dhe megjithatë, më vonë unë e konstatova që kishte doza feminizmi.

CMG: Të jesh shkrimtar nuk është e thjeshtë, apo jo?

Eralda Baze: Dua të bëj një krahasim, nëse mëson një gjuhë të huaj dhe kur kalon pak kohë ti nuk mendon më për periudhën kur e ke mësuar si gjuhë, por automatikisht ajo bëhet gjuha jote dhe të kthehet në përditshmëri. Kështu ka ndodhur edhe me mua sepse unë kam lexuar që në vogëli ndaj nuk di të them.

Tashmë letërsia është dita ime dhe drita ime në jetë, e ndiej veten të kompletuar kur merrem me shkrimin pasi më fut në të tjera ndjesi dhe botë të pazbuluar .

Eralda Baze  libri i saj Dielli me Perendon ne lindje( foto facebook)

Eralda Baze  libri i saj Dielli me Perendon ne lindje( foto facebook)

CMG: Ju keni edhe një tjetër pasion që është natyra, udhëtimi dhe restaurimi. Jeni kontribuese në restaurimin e disa veprave monumentale, të cilat kanë një rëndësi të lartë dhe këtë gjë ju e bëni me inicativë personale?

Erlada Baze:  Unë e bëj tërësisht me iniciativë personale dhe mendoj që kjo është gjëja më ë bukur për të menduar si shtetas i këtij vendi dhe që mund të kontribuoj tek vendi im. Shqipëria ka shumë vende të bukura, por shpehs edhe të harruara, ndaj njerëzit duhet të ndërgjegjësohen  për të menduar më tepër për këto vende historike, të cilat janë trashëgimi e vendit tonë.

CMG: A është Shqipëria vendi ku do zgjidhje të jetoje përgjithmonë?

Eralda Baze: Po, këtë gjë e them me bindje pasi përpos faktit dhe tundimeve të shumta edhe ftesave apo eksperiencave jashtë vendit, unë jam kthyer këtu dhe kam qëndruar. Preferoj të luftoj për vendin tim dhe t’ia jetoj bukuritë që e rrethojnë.

Intervistoi: Megi Latifi