Frederik Hysi ka një karrierë të gjatë dhe të admirueshme në fushën e sportit, dhe veçanërisht gjimnastikës në Shqipëri. Ai prej vitesh ka punuar si mësues i edukimit fizik në gjimnazet e kryeqytetit dhe ka hapur shkollën e parë të dancit në Tiranë. Hysi ka marrë pjesë në disa aktivitete artistike-sportive televizive, duke sjellë një frymë të re përsa i përket vallëzimit. Në një intervistë për Radio Ejani Frederik Hysi tregon për rrugëtimin e tij me sportin e gjimnastikës, aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe vlerësimet që ka marrë gjatë karrierës së tij disavjeçare në këtë fushë.
CMG: Përshëndetje dhe faleminderit për këtë intervistë në Radio Ejani.
Frederik Hysi: Ju falenderoj për ftesën, dhe jam shumë i priviligjuar sepse këtë radio unë e ndjek, ndjek edhe komentet që bëhen për të dhe ndjehem i përkëdhelur që jam këtu.
CMG: Cilat kanë qenë hapat e para me rrugëtimin e edukimit fizik dhe gjimnastikës?
Frederik Hysi: Kjo është një histori e hershme sepse do të kthehemi 60 vjet para, kur u ndodha në qytetin e bukur të Beratit, pasi babai ishte ushtarak .Ai punonte në Tiranë, Vlorë ku linda unë dhe në Berat ku kalova fëmijërinë rreth 10-12 vjet. Ishte pikërisht Berati që më futi në rrugën e sportit, por jo vetëm sepse ndoshta ishte meritë e arsimit në atë kohë apo dhe Berati vetë që kishte një arsim të kultivuar dhe metodologji shumë të mirë për kohën, që krijonte atmosferë dhe tërhiqte nxënësit në aktivitete jashtë shkollore. Unë u atashova pranë një grupi që mësonin elementët e radios, pastaj si pirografi që punonin në kompesatë vizatime të ndryshme me djegie, pastaj në muzikë që nuk më tërhoqi në fakt sepse gjithmonë kam preferuar të jem dëgjues dhe jo ushtrues, por më vonë pikërisht muzika do të më ndihmonte në aktivitete. Mirëpo nga të gjithë këta mësues artistikë dhe sportivë që ishin të gatshëm për të tërhequr çdo fëmijë që kishte prirje, më i zoti nga të gjithë në rastin tim qëlloi ai i edukimit fizik dhe specifikisht i gjimnastikës. Kështu u bëra pjesë e ekipit sportiv të Tomorit ku morëm pjesë në gara në Vlorë, Durrës, dhe isha kampion i të rinjve në Berat. Kjo më përkëdheli pak në sedër dhe hodha vështrimin për më tej. Kjo më shtyu të ndjek ëndrrën dhe u gjenda në shkollën e mjeshtërisë sportive në Tiranë.
CMG: Ju konkuruat pastaj në Tiranë në shkollën e lartë për degën e gjimnastikës?
Frederik Hysi: Unë konkurova, ku ishin mbi 100 konkurentë dhe zgjodhën 10-12 djem dhe vajza, dhe ndër fituesit isha dhe unë. Ky program u ndoq për 8 vjet pranë ish Institutit të Kulturës Fizike dhe Sporteve, sot Universiteti i Sporteve. Ishin vite të bukura, vite të pasionit sepse ishim edhe të rinj. Të nisësh një karrierë sportive ose më saktë me specifika që shpaloste mjeshtëria sportive, me pedagogët më të mirë që kishte Shqipëria si Arqile Marko, Bujar Bujari, Polikseni Vjeshta dhe shumë emra të mëdhenj të gjimnastikës shqiptare na kanë mësuar jo alfën të cilën ne e kishim marrë në rrethet nga vinim, por na mësuan mjeshtërinë e lartë sportive. Rezultatet nuk vonuan, dhe meqë jemi te Radio Ejani është mirë ta citojmë, ajo që kulmoi ishte një çift kinezësh specialistë nga më të dëgjuar që Kina kishte, të cilët erdhën dhe u atashuan pranë Institutit të Kulturës Fizike dhe Sporteve, posaçërisht pranë sportit të gjimnastikës sepse ishin trajnerë. Nga 1973 dhe deri në 1976 këta dy specialistë të mëdhenj i dhanë një shtysë edhe më të madhe gjimnastikës shqiptare.
CMG: Më vonë ju vijuat rrugëtimin sportiv në rolin e mësuesit të edukimit fizik në gjimnazet e Tiranës. Si ka qenë si eksperiencë për ju mësimdhënia?
Frederik Hysi: Në gjimnazin më të mirë që ka Tirana sot “Ismail Qemali” unë isha mësues i edukimit fizik me një normë të reduktuar për shkak se shkoja dhe si trajner te ekipi i 17 nëntorit të Tiranës, ku isha gjimnast dhe trajner njëkohësisht. Ekipi ishte herë nën kampion dhe herë kampion, pra elitë e gjimnastikës në Shqipëri dhe unë isha trajner i këtij ekipi dhe gjimnast kryesor në një vegël të veçantë ku nuk lejohej asnjë njeri që të më afrohej për shkak të nivelit, kali me doreza. Sot me shumë kënaqësi shoh që Shqipëria ka një kampion bote në kalin me doreza, dhe ky është Madvei, një rus i natyralizuar si shqiptar që garon për Shqipërinë. Madvei është kampion bote, kurse unë isha kampion i Shqipërisë për kalin me doreza dhe kjo nuk ishte pak për mua.
CMG: Si e keni përcjellë këtë profesion dhe pasion tuajin tek brezi i ri gjatë viteve që ju ishit mësues i edukimit fizik dhe trajner?
Frederik Hysi: Ndodh në jetë siç ndodhi me brezin tonë që erdhi dhe një periudhë e vështirë, kur ndërroi sistemi, ndërroi metodika dhe shkolla u bë më e hapur. Hapja e menjëhershme sjell edhe çorientim, por shihja me trishtim anijet e ndyshkura që kapnin brigjet e Italisë me mundësinë e ikjes. Unë thashë pse mos të qëndroj këtu, të mos të shkoj në Europë por ta shoh Europën këtu në Shqipëri. E them sinqerisht këtë sepse vendosa dhe qëndrova. Mundësitë i kisha sepse aktiviteti sportiv më jepte kontakte me botën, madje dhe në Greqi, Itali dhe vende të tjera nuk hodha vështrimin fare të qëndroj, që mund të bëhesha edhe një ndihmës trajner, por sa të isha ndihmës atje më mirë isha trajner në vendin tim. Unë qëndrova këtu bashkë me subjektet që stërvisja dhe askush nga ne nuk ka qëndruar jashtë dhe të abuzonte me qëndrimin atje, por jemi kthyer korrekt në vend. Kjo ishte për shkak të frymës që unë kisha krijuar dhe të disa linjave, por këto aktivitete u transformuan jo më me gjimnastikën sportive-artistike, por drejt gjimnastikës aerobike. Kështu që shkova në dy rrugë, Shtutgart dhe në Moskë dhe më pas kam hedhur vështrimin në një aktivitet që për mua ishte më simbolik dhe më i bukur, por shumë i munguar në Shqipëri, siç ishte vallëzimi i sallonit. Kontakti me një ish pedagogun tim të ndjerë Z.Jorgoni i cili ishte shefi i olimpizmit shqiptar dhe dëgjoi dëshirën time për të përhapur vallëzimin e sallonit, më dha një broshurë që ndërkombëtarët e dancit i kishin dhënë në një takim me komunitetin olimpik botëror. Ai më tha se më kishte dëgjuar vetëm mua të flisja për dancin, kështu që e meriton dhe nise ti këtë punë më tha.
CMG: Në cilin vit ju hodhët hapat e para me dancin sportiv?
Frederik Hysi: Kjo bisedë ishte në vitin 1995 dhe ishte ngërç i madh të flisje për dancin në një kohë shumë të vështirë. Unë e vijova këtë punë pa ndihmën e askujt, por duke i dhënë një platformë prindërve të fëmijëve që ishin të atashuar pranë grupit tim. Ata duhet të vinin bashkë me veshjen dhe shpenzimet e tyre kudo që të shkonim në gara ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit.
CMG: Besoj se nuk ka qenë e lehtë për prindërit dhe fëmijët e tyre për të dhënë këtë kontribut
Frederik Hysi: Me keqardhje sepse shteti nuk kishte mundësi, bashkia gjithashtu, unë jo sepse isha vetëm mësues, por kjo u mbulua me ata pak familjarë duke ndihmuar dhe të tjerë që nuk kishin mundësi. Në atë kohë kemi marrë pjesë në disa gara, si në Budva viti 2000, Athinë viti 2000, në Torino viti 2002, Barcelonë viti 2002, pra në kampionate botërore dhe europiane.
CMG: Falë pasionit që kishin fëmijët dhe juve arritët që të ishit pjesëmarrës në këto gara ndërkombëtare?
Frederik Hysi: Si fillim na tërhoqi ideja e vallëzimit të sallonit sepse është i bukur. Tani nga vallëzimi i dhomës emërtimin e mori në një konsulencë me ish pedafogun tim Arben Jorgoni, që ju dha edhe termi sportiv, sepse unë jam njeri i sportit dhe u gjet obrella e dancit sportiv botëror. Kështu që nën këtë ombrellë u zhvilluan të gjitha këto aktivitete, të cilat mesa jam në dijeni bëhen edhe sot por unë tashmë jam shkëputur sepse jam një pensionist që vetëm dua ta shoh sa më shumë të lulëzojë çdo aktivitet, jo vetëm danci.
CMG: Në dy spektakle televizive ju keni dhënë një kontribut të vyer në fushën e vallëzimit. Flasim për këto spektakle të njohura televizive?
Frederik Hysi: Aktiviteti ndërkombëtar bëri këtë që mua të më bjerë shumë telefoni. Ky aktivitet ndërkombëtar nuk ishte vetëm në këto vende që ne folëm më lart, por mbërriti dhe në Durrës te pista Iliria me spektaklin “12 ëndrrat e një nate vere” të regjisores Vera Grabocka e cila di të bëjë mrekulli. Gjithashtu me Verën kam pasur dhe një bashkëpunim shumë të hershëm në vitin 1992 në spektaklin “12 vallëzime pa një të shtunë”, që u montua gjithë ai aktivitet në palestrën e gjimnazit “Ismail Qemali” ku unë isha mësues. Kur unë isha në një bisedë me Pandi Laçon dhe Vera Grabockën, të tre bëmë që të hapet kjo derë shkolle se do të bënim diçka me subjektin që unë kisha të gjimnastikës aerobike.
CMG: Si lindi ideja për krijimin e shoqatës së dancit sportiv në Shqipëri?
Frederik Hysi: Biseda fillestare ka qenë që në vitin 1994-95 me presidentin e olimpizmit Arben Jorgoni, që të hapej danci dhe këmbëngulja ime ishte që ta hapnim jo nën suazën tradicionale siç ishin strukturuar federatat shqiptare, por të hapej si një model gjerman apo italian, si një shoqatë kombëtare e cila kur të sprovohej atëhere të transformohej në federatë. Në atë kohë ne nuk kishim klub, por si shoqatë kishim degë dhe këto misione u shpërndanë nëpër rrethe dhe u bënë përpjekje, por hapësirat ekonomike nuk lejonin të zhvillohej. Kështu që ne u morëm me individë të caktuar dhe shoqata ngeli me kontribute shumë, me frute të pakta por cilësore sepse kemi marrë pjesë në aktivitete ndërkombëtare shumë prestigjoze
CMG: Mendon se brezi i ri sot është i tërhequr nga gjimnastika apo fitnesi?
Frederik Hysi: Për hir të së vërtetës mbas këtyre aktiviteteve televizive që u ndjenë shumë, janë hapur sallat e para të dancit, sigurisht të parën e hapa unë. Diku te rruga e Dibrës u hap një sallë në një faqe muri me pasqyra, që ushtroheshin jo vetëm fëmijë e të rritur, por na vinin edhe para martesës çifte për të mësuar se si do të performonin në ditën e dasmës, dhe të tjerë individë që ishin inspiruar nga ky aktivitet qoftë i imi televiziv apo edhe shqiptarët që ktheheshin nga emigracioni, që ishin ushtruar në Itali dhe Greqi. Këto prurje i konsiderova duke bashkëpunar me ata për të hapur salla të tjera, por jo për t’i parë me xhelozi që të ishin pjesë e jona, sepse sallat e dancit dhe të fitnesit janë një formë biznesi, por është një biznes familjar që nuk ka vend për një të tretë, për një epror që të shohë që dhe ai të ketë përfitimin e tij. Aktualisht në Tiranë ka salla të tilla specifikisht për dancin sepse trendi i kohës është muzika latine dhe vallëzimet latine.
CMG: Cila ka qenë arsyeja që u tërhoqët nga danci sportiv?
Frederik Hysi: Historia e tërheqjes time nuk është lodhja, plakja apo mosha, por ka ardhur si të thuash nga distanca ndërmjet Shqipërisë, sepse unë e ndaj jetën time tani ndërmjet Kilit të largët dhe Shqipërisë. Vajza ime ka ndërtuar jetën aty dhe unë herë shkoj atje dhe herë rri këtu. Një ditë mora një ftesë interesante përmes telefonit në një takim balloje dhe ka qenë nga një zonjë kineze e cila më vonë më rezultoi që ishte Zv.Ambasadorja e Kinës në Shqipëri në vitin 2010. E befasuar për vallëzimin e sallonit në Shqipëri më ftoi që të shkoja për të trajnuar mbi 20 kolegë kinezë dhe u ndodha në një sallë balloje brenda selisë së ambasadës kineze. Kjo ishte një eksperiencë shumë e veçantë sepse kur u ndodha përballë 20 të rriturve me detyra të rëndësishme në tregti dhe industri, ku kisha një ndjenjë përgjegjësie shumë më të madhe nga ku kisha qenë deri dje. Mirëpo komunikimi u bë shumë më i thejshtë sepse ishin aq të disiplinuar, aq të përkushtuar saqë detyrën e mësuesit apo instruktorit ta bënin fare të lehtë. Butësia dhe korrektesa e tyre e bënte punën të ecte shumë bukur dhe brenda dy-tre muajve që kishim këtë bashkëpunim unë i pashë ata të vallëzonin vals, tango, por çudia ishte që kur i propozova latinet nuk i kishin në këndvështrimin e tyre. Shumë shpejt mësova që në Kinë ishte rizgjuar pak më herët sepse po përgatiteshin vite përpara për lojrat olimpike që do zhvilloheshin në Kinë dhe shihnin aktivitetin multisportiv, dhe vizioni i sportit kinez kishte qenë që vallëzimi i sallonit të strukturohej në edukimin në tërësi në Kinë përmes edukimit fizik. Kur kam mësuar që Kina ka 50 milion vallëzues konkurent unë jam befasuar dhe sot rezulton të ketë 100 institucione sportive në nivelin e universitetit tonë të sporteve që lëshojnë diploma bachelor. Kontakti im me kinezët më bëri që të interesohesha për vajzën sepse kishte aplikuar për shkollë të nivelit master pasi mbaroi këtu bachelor në degën e drejtësisë dhe po shikonte të bënte një master ndërkombëtar për marrëdhënie ndërkombëtare në Angli, SHBA apo Itali. Unë i thashë vajzës që pse mos të shkonte në Kinë, duke i thënë se Kina është prezente në Europë me produktet, kulturën, sportin e të gjitha. Kështu që aplikoi dhe fitoi një të drejtë studimi në një universitet prestigjoz në Pekin. Gjithashtu ajo qëndroi edhe një vit në Kinë si mësimdhënëse, por ma mori me vete një dajlosh që studionet dhe ai atje, dhe ndërtoi jetën me të në Kili.
Intervistoi Gazmend Agaj