Historiku i Festivaleve Folklorike të Gjirokastrës
2023-06-28 11:29:25

Valle popullore ne skene  - foto Festivali Folklorik Kombetar Gjirokaster

Valle popullore ne skene  - foto Festivali Folklorik Kombetar Gjirokaster

Festivali Folklorik në Gjirokastër është një ngjarje unike në kulturën shqiptare. Të gjithë e njohim si Festivali Folklorik i Gjirokastrës, por duhet të dimë se Festivali që i parapriu Festivaleve Folklorike Kombëtare të Gjirokastrës, ishte festivali i mbajtur në Tiranë, me siglën “Festivali Kombëtar i Këngës, Muzikës dhe Valleve”.

Festivale të këtij formati janë zhvilluar disa në Tiranë, në vitet 1952,  1957 dhe 1959. Në këtë të fundit morën çmime për herë të parë solistë popullorë si: Laver Bariu, Ndue Shyti, etj dhe gjithashtu u vlerësuan me diploma të ndryshme rreth 400 pjesëmarrës.

Po kështu festivali u zhvillua në Elbasan në vitin 1966 dhe në Lezhë në vitin 1967.

Ndërkohë, Gjirokastra hapi dyert për Festivalin në vitin 1968, kur për herë të parë në skenën e ndërtuar në kalanë e qytetit, u mbajt një festival madhështor, duke konfirmuar Gjirokastrën, si “shtëpia e folklorit”.

fsetivali i vitit 1883 0 foto Enciklopedia shqiptare

fsetivali i vitit 1983 - foto Enciklopedia shqiptare

Në Festivalin e parë, atë të vitit 1968,  morën pjesë mbi 1200 këngëtarë, rapsodë, valltarë dhe instrumentistë, nga 36 rrethet e Shqipërisë dhe rreth 200 interpretues nga hapësirat e jetuara nga Shqiptarët dhe diaspora. Në Gjirokastër janë zhvilluar deri tani 9 festivale, pesë para vitit 1990, përkatësisht 1968, 1973, 1978, 1983 dhe 1988.

Viti 1995 shënon një vecanti, pasi për herë të parë festivali do të shpërngulej nga Gjirokastra në Berat, për t’u rikthyer përsëri në vitin 2000, aty ku u shpalos fuqishëm, në Gjirokastër. Festivale të tilla u mbajtën në vitin 2004, 2009 dhe 2015.

Kështu, në kalanë e Gjirokastrës, në atë skenë të ndërtuar me një skenografi të mbushur me elemente popullore, u konfirmua tradita e  cila vazhdon. Në cdo edicion, në skenë ngjiten njëra pas tjetrës, trupat folklorike, për të përcjellë traditën më të mirë të folklorit të zonave nga vijnë. Një manifestim kombëtar i artit popullor, që edhe sot, si atëherë kur nisi, përfshin këngët, vallet, meloditë, veglat muzikore, veshjet popullore, zakonet dhe doket, por edhe shumë atmosferë, të ftuar, vizitorë që e mbushin plot e përplot qytetin. Nga Qafa e Pazarit e deri në kala, njerëzit qëndojnë në radhë për ta ndjekur festivalin, për të biseduar me njëri tjetrin, për të bërë foto me kostume të ndryshme popullor dhe pse jo, edhe për tia marrë një isoje apo valleje të përbashkët. 

Skena gjate neteve te Festivalit  - foto Festivali Folklorik Kombetar Gjirokaster

Skena gjate neteve te Festivalit  - foto Festivali Folklorik Kombetar Gjirokaster

Ndonëse festivalet zhvilloheshin një herë në pesë vjet, puna nga sektori i kulturës, shtëpitë apo vatrat e kulturës, niste shumë kohë më parë, me hulumtimin në terren të materialeve të pastra, burimore të folklorit. Inspektorët dhe specialistë e muzikës në rrethe, viheshin në garë për të sjellë numrat më të mirë, të cilët pasi punoheshin për shumë kohë deri në perfeksion, konkurronin në skenë dhe vlerësoheshin nga një juri profesioniste. Deri në vitin 1988 janë dhënë çmime për grupet më të mira, ndërkohë që në edicionet e mëvonshe çmimet nisën të ndaheshin për bartësit dhe interpretuesit e folklorit.

Si traditë, festivali niste me parakalimin e grupeve folklorike të veshura me kostumet e zonave që përfaqësonin e pastaj në bazë të një kalendari të paracaktuar, ndiqej programi konkurrues. Në çdo mbrëmje ngjiteshin në skenë 2-3 trupa dhe të gjithë kishin një minutazh të barabartë kohe për ta mbushur me program.

Një festival i tillë me pjesëmarrje të gjerë vazhdonte për një javë dhe sheshi i kalasë dhe ambientet rreth tij mbusheshin me spektaktorë të shumtë. Qyteti oshëtinte, njerëzit nuk gjenin ved ku të uleshin. Dhe në fund, grupet artistike që mbyllnin koncertin, niseshin për në Libohovë dhe jepnin atje koncert.

Valle ne skene  - foto Festivali Folklorik Kombetar Gjirokaster

Valle ne skene  - foto Festivali Folklorik Kombetar Gjirokaster

Skena në vite është krijuar nga skenografi Ilia Xhokaxhi, ndërsa këtë vit kemi një koncept ndryshe. Skenografia e Festivalit Folklorik të Gjirokastrës po cilësohet si një prej pikave më të forta të edicionit të 11-të, pasi ka ruajtur pjesën bazë të elementëve të dikurshëm të realizuar nga skenografi Ilia Xhokaxhi, ndërkohë që në këtë festival artistja spanjolle Ines Esnal sjell një skenografi bashkëkohore dhe impresionuese, bazuar simbolikisht në fijet dhe endjen tradicionale të pëlhurës në tezgjah duke e gërshetuar me motive të traditës.

Festivali Folklorik Kombëtar është veprimtaria më e madhe dhe më e rëndësishme kulturore dhe folklorike, kombëtrae dhe mbarë kombëtare që zhvillohet në Shqipëri. Kjo veprimtari, sipas statutit të miratuar nga Ministria e Kulturës, zhvillohet në kalanë e Gjirokastrës 1 herë në 4 vjet. Në të marrin pjesë grupe folklorike nga 12 qarqe në Shqipëri si dhe grupe nga shqiptarët e Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut si dhe nga arbëreshët e Italisë, Turqisë, Amerikës, Greqisë dhe grupe folklorike nga vende të ndryshme si të ftuar.

Mikpritja gjirokastrite gjate diteve te festivalit - foto Festivali Folklorik Kombetar Gjirokaster

Mikpritja gjirokastrite gjate diteve te festivalit - foto Festivali Folklorik Kombetar Gjirokaster

Këtë herë, festivali do të zgjasë 8 ditë dhe pritet të evidentojë aspekte të harrura të trashëgimisë kulturore. Për herë të parë nuk do të ketë konkurrim por një komision ekspertësh të etnografisë, folkut, trashëgimisë kulturore dhe muzikologë që do të vlerësojnë prurjet më origjinale si dhe kalimin e elementëve të traditës nga brezi në brez. Festa e Folklorit, nis paraditeve në në të gjitha rrugicat e qytetit të Gjirokastrës, ku kureshtarët mund të shohin si bëhet gdhendja në gur, dru apo qëndistaria, përgatitja e kafesë mbi gurin e nxehtë, gatimi i recetave të vjetra dhe vallet tradicionale, për të kulmuar mbrëmjeve, ku kalaja oshëtin nga tingujt e traditës.

Bukuria dhe pasuria e shpirtit shqiptar po shfaqen edhe këtë herë me të gjitha ngjyrat e veta në tinguj, valle, rite e kostume, për t’u ndjerë si asnjëherë më parë të lidhur me njëri-tjetrin, pa dallime krahinash, jug apo veri, diasporë e vizitorë të ardhur nga e gjithë bota, për të shijuar këtë ngjarje të shumëpritur!

Një eksperiencë unike që vërtet ia vlen ta përjetosh një herë në katër vjet në Gjirokastrën po kaq unike.

Neritana Kraja

Turiste ne Gjirokaster me rastin e festivalit o foto Festivali Folklorik Kombetar Gjirokaster

Turiste ne Gjirokaster me rastin e festivalit o foto Festivali Folklorik Kombetar Gjirokaster