Nga adhurues i robotikës në kampion bote
2023-06-28 10:29:08

Wu, një student për inxhinieri mekanike në Universitetin e Shangait, udhëhoqi ekipin kinez drejt fitores në Konkursin Botëror të Robotikës që u zhvillua në SHBA, duke u kthyer në shtëpi me disa medalje të rëndësishme. 21-vjeçari nuk ka shumë që merret me robotikë dhe nga një pasion i hershëm u shndërrua në një angazhim serioz duke i prirë një skuadre elitash në këtë fushë, aq sa të punonin fort e të dilnin fitimtarë në kompeticione botërore.

Nga adhurues i robotikës në kampion bote

Me afrimin e pushimeve verore, 21-vjeçari Wu Ruixing nga Universiteti Jiao Tong  i Shangait (SJTU), është i zënë me planifikimin e vitit të fundit të diplomimit. Përveç përgatitjes për provimet për pranimin në studimet pasuniversitare, Wu, si drejtues i një ekipi kampion botëror të robotikës VEX, po mendon edhe për të ardhmen e ekipit.

I themeluar në vitin 2018, ekipi i Universitetit të Shangait ka një rekord të lakmueshëm në Garat e Robotikës VEX në të gjitha nivelet, gjatë të cilave studentët e mbi 20.000 ekipeve nga 50 vende kanë për detyrë të projektojnë dhe ndërtojnë një robot për të konkurruar kundër ekipeve të tjera në një inxhinieri të bazuar në një sfidë. Për sezonin e konkurrencës 2022-2023, Wu udhëhoqi ekipin e tij për të fituar kampionatin botëror.

Wu Ruixing përfaqëson skuadrat kineze si bartëse të flamurit në ceremoninë e hapjes së Kampionatit Botëror të Robotikës VEX 2022-2023 në Dallas, SHBA, më 27 prill/China Daily

Wu Ruixing përfaqëson skuadrat kineze si mbajtësi i flamurit në ceremoninë e hapjes së Kampionatit Botëror të Robotikës VEX 2022-2023 në Dallas, SHBA, më 27 prill/China Daily


Një total prej 80 ekipesh universitare nga mbi 40 vende dhe rajone morën pjesë në Kampionatin Botëror të Robotikës VEX 2022-2023, i cili u mbajt në prill në Dallas, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë konkursit dhjetëditor, studentët pjesëmarrës nga Universiteti i Shangait fituan disa çmime, duke përfshirë “Kampion Botëror i Sfidës së Aftësive Robot EX U” dhe “Kampion i Divizionit të Dizajnit”.

Wu ende ndihet i emocionuar kur flet për udhëtimin e tyre drejt majës. “Për shumicën prej nesh, duke përfshirë edhe mua, ishte hera e parë që merrnim pjesë në kampionatin botëror, që ishte edhe motivuese dhe disi dërrmuese. Kemi gdhirë shumë net për t'u përgatitur për garën, por ia vlejti kur ngritëm trofeun”, tha ai.

Në kampionatin botëror ndodhi diçka e papritur që forcoi ndjenjën e krenarisë kombëtare të Wu-së. Gjatë ceremonisë së hapjes, Wu, gjithashtu flamurtari i delegacionit kinez, zbuloi se flamuri kombëtar kinez i ofruar nga organizatorët ishte me të meta. “Kishte diçka që nuk shkonte me flamurin, kështu që insistova që organizatorët të na jepnin një të saktë”,- tha Wu. Me përpjekjet e tij dhe studentëve të tjerë kinezë, në minutën e fundit u vendos një flamur kombëtar korrekt.

Por incidenti nuk ndikoi në performancën e ekipit atë ditë. Objekti i lojës së këtij viti, “Spin Up”, ishte të arrihej një rezultat më i lartë se ekipi kundërshtar i robotikës, duke përfunduar dhe detyra shtesë në përballjen kokë më kokë. Ekipet mund të konkurronin gjithashtu në aftësitë robotike, ku robotët përpiqen të shënojnë sa më shumë pikë që të jetë e mundur. Gjatë kësaj gare, skuadra e Wu-së ishte gjithnjë në krye falë dizajnit të tyre të jashtëzakonshëm robotik dhe aftësive të kodimit. Ata arritën të kishin më shumë se 100 pikë më shumë se rivali i tyre më i afërt.

Si një platformë globale, konkursi u mundësoi studentëve të komunikojnë dhe të mësojnë nga bashkëmoshatarët e tyre nga e gjithë bota. Wu u impresionua shumë nga dizajnet unike robotike nga universitete të tjera, duke përfshirë Universitetin Shtetëror të Arizonës dhe Universitetin e Wisconsin-Platteville. “Ata ishin kundërshtarë të fortë. Wisconsin-i ishte një mbrojtës i mirë dhe Skuadra Pyro nga Universiteti Shtetëror i Arizonës ofroi një strategji krejt të re loje që ishte vërtet shpërthyese. Ata madje instaluan një pajisje në robot për të larguar disqet e kundërshtarit nga koshi”,- kujtoi Wu.

Duke u kthyer në shtëpi me këto rezultate të frytshme, ekipi u bë protagonisti kryesor në kampus, por Wu nuk është dehur nga fitorja. “Na u deshën më shumë se gjashtë muaj për të përfunduar robotët për Kampionatin Botëror dhe tani duhet të fillojmë përgatitjet për sezonin e ri të garave”,- tha ai.

Ai gjithashtu planifikon të zgjerojë ekipin - i cili aktualisht përbëhet nga rreth 50 persona - dhe të krijojë një ekip rezervë. “Ne po mirëpresim edhe më shumë studentë që të bashkohen me ne pasi nuk ka të bëjë vetëm me konkurrencën. Ka të bëjë me bashkëpunimin, rritjen dhe ndjekjen e përbashkët të dijes”,- vuri në dukje Wu.

Për Wu, është konkurrenca që e ndihmoi të gjente një pasion më të thellë për robotikën. Ai ka pasur një dashuri për robotikën që në fëmijëri dhe ka zgjedhur të studiojë inxhinieri mekanike në universitet. Kur ai dëgjoi se kishte një konkurs robotik në kampus një vit e gjysmë më parë, ai dhe disa nga miqtë e tij vendosën të regjistroheshin. “Gjatë atij konkursi, unë pashë një hendek të madh mes meje dhe lojtarëve më të mirë, gjë që më motivoi të bashkohem me ekipin dhe të marr më shumë përvojë dhe stërvitje”,- tha ai. I shtyrë nga interesi dhe shpirti i tij i paepur, Wu filloi të merrte pjesë në gara të ndryshme. “Këto eksperienca më kanë ndihmuar edhe në studimet e mia. Për shembull, dikur dizajnova një robot kërcyes për lëndët e mia dhe fitova çmimin e parë në një aktivitet akademik në shkollë, duke e shtuar akoma më shumë dashurinë time për këtë temë”, tha ai.

Tani si kampion bote, Wu është edhe më i vendosur për të ndjekur një karrierë akademike në robotikë dhe ai shpreson që ekipi i tij do të vazhdojë të angazhohet dhe të ndërveprojë me edhe më shumë dashamirës të robotëve në të ardhmen. “Ne kemi ndërtuar një komunitet me burim të hapur ku dashamirësit e robotëve në mbarë botën mund të punojnë dhe të rriten së bashku”,- tha ai.