Ministri hungarez i Tregtisë: Shkëputja me Kinën, vetëvrasëse për Evropën
2023-06-28 18:00:17

Foto nga VCG

Çdo lëvizje për "shkëputje" apo edhe "çrrezikim" lidhur me Kinën do të jetë një akt "vetëvrasjeje" për Evropën, tha të martën ministri i Tregtisë dhe i Punëve të Jashtme i Hungarisë Peter Szijjarto në konferencën vjetore të Forumit Ekonomik Botëror në Tianjin të Kinës Veriore.

Duke qenë se Kina ishte burimi më i madh i importeve të BE-së dhe blerësja e tretë më e madhe e mallrave të BE-së në vitin 2022, Szijjarto theksoi se kufizimi i lidhjeve me Pekinin do të shkatërronte në thelb ekonominë e rajonit. "Si mund të shkëputesh pa vrarë ekonominë evropiane?" shtroi pyetjen ai.

Szijjarto i tha gazetarit të rrjetit televiziv CNBC se Hungaria nuk e sheh Kinën si një kërcënim a rrezik, por si vend me të cilin "nëse bashkëpunon, mund të marrësh shumë përfitime", dhe kështu ai nuk sheh asnjë arsye për të ashtuquajturin "çrrezikim".

Ai theksoi gjithashtu se ka një dallim të madh ndërmjet perceptimit politik dhe realitetit në terren, duke shtuar se atmosfera politike në Evropë është "shumë ideologjike, shumë emocionale", por trajtimi i Kinës si një rivale është i padobishëm e udhëheqësit evropianë duhet të jenë më të arsyeshëm përballë "realitetit". (Artan)