Forumi Veror i Davosit, kundërshtohet “shkëputja” dhe nxitet bashkëpunimi
2023-06-28 15:20:24

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Më 27 qershor, në qytetin Tianjin të Kinës Veriore, u hap Takimi i 14-të i Kampionëve të Rinj, i njohur edhe si Forumi Veror i Davosit, për vitin 2023. Kjo është hera e parë në katër vjet që ky aktivitet ndërkombëtar mbi ekonominë dhe zhvillimin zhvillohet me prani fizike.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Platformë për njohjen e perspektivës ekonomike

Zv.drejtori i departamentit të çështjeve ndërkombëtare të Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të Kinës, Gao Jian, u shpreh: “Sivjet, tema e Forumit Veror të Davosit është ‘Fryma e sipërmarrjes: Fuqia nxitëse për ekonominë botërore’. Kjo veprimtari do të ofrojë një platformë shkëmbimesh për qarqet politike dhe të biznesit të vendeve e rajoneve të ndryshme. Një gjë e tillë do t’i ndihmojë pjesëmarrësit të njihen thellësisht me gjendjen ekonomike të Kinës, të kuptojnë më mirë hapjen me nivel të lartë të Kinës dhe të konsolidojnë besimin e tyre për të investuar në Kinë.”

 

Kryetari i Rajonit të Kinës së Madhe të Forumit të Davosit Chen Liming u shpreh që si temë e sivjetshme është caktuar të jetë fryma e sipërmarrjes, me synimin që të riaktivizohet kjo frymë dhe gjallëria e sipërmarrjeve si shtylla kryesore e inovacionit. Sipas tij, në këtë forum, “pjesëmarrësit do të kërkojnë së bashku rrugën e mëkëmbjes ekonomike dhe do të nxisin ekonominë botërore të zhvillohet drejt një të ardhme më të barabartë, më të vazhdueshme dhe më elastike”.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

“Shkëputje”? Jo!

Me zhvillimin e këtij aktiviteti ndërkombëtar, bota sërish e ka kthyer vëmendjen nga Kina. Në një nënforum të zhvilluar më 27 qershor para hapjes zyrtare të Forumit Veror të Davosit, kryeministrat nga Zelanda e Re, Vietnami dhe Barbardosi, si dhe sekretarja e përgjithshme e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), shprehën mendimet e tyre për hapjen, bashkëpunimin e multilateralizmin, duke kundërshtuar “shkëputjen”.

 

Për një periudhë kohore, fjala “shkëputje” është përdorur shpeshherë në ekonominë botërore dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Sipas studimeve nga OBT-ja, nëse dy grupet e mëdha tregtare do të bënin “shkëputje”, ekonomia globale do të pësonte një humbje prer 5%, çka është baras me vëllimin e ekonomisë së Japonisë.

 

Lidhur me këtë, sekretarja e përgjithshme e OBT-së Ngozi Okonjo-Iweala vuri në dukje që tregtia globale është në ngadalësim, dhe nëse do të ketë ndarje dhe “shkëputje” të mëtejshme, gjendja do të përkeqësohej më tej dhe ekonomitë e reja e ato në zhvillim do të pësonin ndikimet më të rënda.

 

“Ne nuk mund të paguajmë koston e ‘shkëputjes’. Duhet t’i kushtojmë vëmendje të plotë kësaj çështje dhe të evitojmë ‘shkëputjen’,” bëri thirrje Okonjo-Iweala. Ajo përmendi gjithashtu që, bashkë me nxitjen e rifillimit të rritjes globale, duhet medoemos të ndërmerren politika dhe masa përfshirëse, me qëllim që e gjitha bota të çohet në procesin e rritjes ekonomike.

 

“Shumë vende në zhvillim dhe rajone të varfra nuk kanë marrë pjesë në valën e globalizimit. Tani, duhet të nxitet zhvillimi gjithëpërfshirës dhe të zgjidhet mosbalancimi global i pasurisë me masa të reja, si digjitalizimi dhe ekonomia e gjelbër. Kjo do të sjellë më shumë mundësi për të ardhmen,” theksoi kreu i OBT-së.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Në ceremoninë e hapjes, presidenti i Forumit të Davosit, Klaus Schwab, u shpreh që në këtë aktivitet, liderët e rinj nga 90 vende të ndryshme përfaqësojnë mendjet më të dalluara dhe më të zgjuara. “Ju jeni të gjithë pionierë, sipërmarrës, ndryshues dhe krijues. Ju po krijoni kufirin e ri të zhvillimit të njerëzimit. Interesat tuaj janë të lidhur, ju mbani përgjegjësi shumë të madhe dhe duhet të garantoni që këto risi t’i shërbejnë njerëzimit dhe jo e kundërta,” theksoi Schwab.

 

“Ndërsa vazhdojmë luftën kundër ndarjes globale dhe përpiqemi për dialog, mirëkuptim dhe bashkëpunim, duhet të mbështesim një të ardhme, ku të gjitha palët përpiqen bashkë për të mirën e njerëzimit,” shtoi ai.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

E ardhme me pjesëmarrjen e Kinës

Për të ardhmen ekonomike, veçanërisht për ekonominë kineze, Schwab ka besim të plotë. Ai u shpreh që Kina është futur në momentin kyç të shtimit të gjallërisë ekonomike dhe nxitjes së bashkëpunimit ndërkombëtar. “Kina ende ka potencial gjigant dhe mund të ofrojë mundësi të mira për ndërmarrjet e botës. Objektivi për rritjen ekonomike rreth 5 % i vendosur nga qeveria kineze më 2023 është ambicioz dhe inkurajues. Në gjashtëmujorin e parë, Kina ka pasur arritje të dukshme në ekonomi, diplomaci dhe shumë fusha të tjera,” theksoi Schwab.

 

Sivjet është 10-vjetori i paraqitjes së nismës “Një brez, një rrugë”. Gjatë këtyre vjetëve, Kina ka nënshkruar dokumente bashkëpunimi me 150 vende dhe 30 organizata ndërkombëtar. Chen Liming bëri të ditur që në Forumin Veror të Davosit ka një nënforum të posaçëm mbi “Të ardhmen e ‘Një brez, një rrugë’”. Me zgjerimin e bashkëpunimit me vendet pjesëmarrëse të kësaj nisme, Kina po nxit ngritjen e nivelit të tregtisë dhe investimeve me palët përkatëse, çka ka stimuluar zhvillimin e tyre ekonomik e shoqëror. “Shpresojmë që me shkëmbimet në këtë forum, palët të gjejnë zgjidhje për të ndërtuar një botë më të bukur,” tha Chen Liming. (Jiang Lei)