Artisti i mirënjohur i muzikës rrok Adhurim Demiri, më në fund solli koncertin e tij unplugged elektro akustik me pjesëmarrjen e miqve të tij, emra të njohur të muzikës shqiptare si Aleksandër Gjoka, Eneda Tarifa, Redon Makashi, Renis Gjoka, Sokol Shehu, Einar Nelku, si dhe me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të kantautorit të skenës shqiptare Elton Deda, drejtuesi i formacionit të bendit muzikor. Një dëshirë e cila nisi menjëherë pasi Adhurimi solli këngën “Mall bulevardi”, ashtu siç quhej edhe ky koncert, i cili mblodhi miq të artistit, por edhe shumë nostalgjikë të brezit të tij. Koncerti erdhi në një version që rrallë shohim artistë në Shqipëri, në versionin unplugged, në një ambjent me një akustikë mjaft të mirë, si salla e Qendrës Kulturore e Kishës Ortodokse në Tiranë mbrëmjen e 26 qershorit. Koncerti do të ruhet gjatë në memorien e artistit, por edhe publikut që e ndoqi live, duke kënduar këngët e tij. Në intervistë për Radio Ejani dhe CMG ai rrëfen emocionet e tij para koncertit.
CMG: Flasim për koncertin unplugged “Mall bulevardi.
Adhurim Demiri: Nëpërmjet këtij koncerti dua të përcjell mesazhin që "Shqipëria bëhet nga shqiptarët". Ky është një koncert unplugged elektro- akustik me pjesëmarrjen e shumë emrave të njohur të muzikës shqiptare si Aleksandër Gjoka, Eneda Tarifa diva e muzikës shqiptare, Redon Makashi,Renis Gjoka, Sokol Shehu që është i ftuar special, Einar Nelku që është një kitarist dhe vokalist i mrekullueshëm, Elton Deda që është dhe drejtuesi i formacionit të bendit.
CMG: Çfarë ka të veçantë ky koncert?
Adhurim Demiri: E veçanta është se koncerti është elektro- akustik me një pjesëmarrje nga muzikantë profesionist, ku do performohen këngët më të mira të repertorit tim si 'Mall bulevardi', 'Invictus', 'Endem si një bohem', 'Jeta si koha', etj. Kënaqësi që është pjesë e rëndësishme e këtij koncerti Eton Deda Mjeshtri i madh i formacionit muzikor. Në programin e koncertit do të performohen edhe këngë të huaja nga covera të njohura botëror . Në fund do të performojmë në skenë me të gjithë të ftuarit, duke dhënë edhe një mesazh se "Ne jemi zëri i vetë jetës'. Në mënyrë që të kthehen njerëzit këtu në kuptimin moral dhe fisnik të fjalës, sepse kjo lloj 'hemoragjie' që po krijohet nga ikja e brezit të ri, nuk është gjë e mirë. Por një ditë do rikthehemi të gjithë, sepse ky vend do bëhet vetëm nga ne.
CMG: Si ka qenë interesi i publikut për të ndjekur këtë koncert?
Adhurim Demiri: Pjesëmarrja dhe interesimi ka qenë shumë i mirë deri tani. Ky nuk është koncert i imi personal, ky është koncert i të gjithëve, të këndohet nga publiku prandaj e kam menduar unplugged, sepse në këtë mënyrë vjen më e ngrohtë për publikun dhe është si një lloj bashkëbisedimi me të. Është një mesazh që duhet përcjellë edhe nga artistë të tjerë. Patjetër që ka shumë që e kanë bërë këtë gjë, por ne kemi një detyrim karshi publikut që këto mesazhe të mos rreshtin kurrë. I përgëzoj të gjithë pjesëmarrësit, publikun sepse ne nga ata jemi në skenë sot.
Artisti shqiptar Adhurim Demiri, i cili suksesin e tij e ka pasur në fillim të viteve ’90 me grupin X, nuk është ndarë nga muzika. Edhe pse prej vitesh e ka ndërtuar jetën në Austri, ai vazhdon të realizojë këngë të reja për publikun shqiptar. Ishte rikthimi i tij me këngën “Mall bulevardi”, për të vazhduar me “Invictus”,”Endem si një bohem”, të cilat të shoqëruara edhe me videoklip, erdhën për publikun shqiptar, duke u vlerësuar edhe me çmime në spektaklin “Netët e klipit shqiptar”. Këngët mendohet të kenë jetëgjatësi sepse të gjitha kanë fabula dhe përcjellin mesazhe. Tashmë ai erdhi me këtë koncert për publikun, i cili do të mbahet mend gjatë në memorien e artistit.
Intervistoi: Sava Lena