Vrojtues Plazhi ( foto personale)
Presidenti i Federatës Shqiptare “Vrojtuesit e Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë” Erdit Gega flet me optimizëm për veprimtarinë e shtuar këtë verë të vrojtuesve të plazhit. Sipas tij, janë trajnuar mbi 1250 trajnues plazhi dhe po shkon drejt uljes numri i fataliteteve. Ka institucione shtetërore që punësojnë vrojtuesit e plazhit. Baza ligjore nuk e toleron mospasjen e vrojtuesit të plazhit, thotë ai. Sipas Gegës, çdo vrojtues plazhi duhet të jetë i pajisur me mjete shpëtimi, ku rregulli numër 1 është humanizmi.
Kur vrojtuesi ndodhet aty të gjithë i drejtohen atij, pasi është i trajnuar dhe certifikuar dhe reagon në momente të ndryshme. Duhet të ketë dylbi, kamerdare, mjete shpëtimi dhe të ndihmës së parë. Një vrojtues nuk mund të niset kurrë pa mjetin e tij. Është shumë e vështirë kur je përballë një njeriu që është duke u mbytur dhe të luftosh pa një mjet shpëtimi. Vrojtuesit janë të trajnuar edhe për të fikëtin, debulesën, pickimet, djegia nga kandilet. Kursi është 100 orë mësimore dhe ka njohuri për bazën ligjore, teknikat e notimit, dyluftimit në ujë hidrometrologjinë dhe ndihmën e parë. Për Radio Ejani Erdit Gega flet për sigurinë e plazheve në këtë sezon veror dhe përgatitjen e vrojtuesve të plazhit
Erdit Gega (Foto Opinion.al)
CMG: Erdit a mund të na tregoni se si është gjendja e sigurisë në plazhe aktualisht?
Erdit Gega: Po patjetër, gjendja në plazhe aktualisht është e qetë dhe të gjithë ne jemi të përgatitur për çfarë do të vijë. Ky është një sezon turistik me më shumë turistë dhe ndërgjegjësimi është i shumëfishuar për të ofruar siguri në plazhe.
Por do të doja të theksoja që kjo nis me individin pra, sa do donte një individ të shkonte në një plazh ku ka vrojtues. Sa e pyet veten para se të bëjë zgjedhjen e një plazhi? Janë të gjithë këto elemente që jo vetëm na shtyjnë drejt një plazhi më të sigurt, por edhe ne e bëjmë punën më mirë dhe kur themi ne, e kam fjalën për të gjitha institucionet bashkë.
CMG: Cili është kriteri bazë për bizneset ?
Erdit Gega: Bizneset të gjitha duhet të jene të gatshme të marrin vrojtues plazhi sepse kështu e parashikon edhe ligji por edhe plazhi bëhet me i sigurtë. Sot që flasim shumica e bizneseve kanë një vrojtues plazhi. Duhet që edhe njerëzit kur të zgjedhin një plazh të shohin nëse ka një vrojtues pasi kjo është për sigurinë e të gjithëve.
Plazhi i Spillese ( foto personale)
CMG: Ju keni një praktikë të përvitshme që trajtoni të rinjtë ?
Erdit Gega: Po ne kemi një praktikë e cila është e përvitshme. Kemi zyrat tona në shumë qytete ku ka plazh dhe përpiqemi t'iu vijmë në ndihmë. Është e rëndsishme që nga viti në vit të kemi edhe praktika të reja.
CMG: Cila janë plazhet më të sigurta në Shqipëri?
Erdit Gega: Nga viti në vit të gjitha plazhet e Shqipërisë janë të sigurtë dhe dinjitozë. Absolutisht që ka përjashtime dhe raste sporadike por këto nuk janë sasi matëse për sigurinë në plazh. Janë dy plazhe që për vitin që lamë pas ishin më të sigurtat dhe ai është plazhi i Shëngjinit dhe Plazhi i Spillesë. Po t’i shohësh vrojtuesit atje zgjohen shumë herët dhe e bëjnë plotësisht punën me dëshirë.
CMG: Ku ndodhin më tepër raste mbytjesh në plazhet tona ?
Erdit Gega: Në bregdetin shqiptar ndodhin më së tepërmi në plazhet ranore, por edhe ato kanë ardhur duke u përmirësuar tashmë. Njerëzit ndonjëherë nuk i respektojnë brigjet detare dhe mendojnë se mund te futen pak më thellë, por aty pastaj dallgët i spostojnë pa kuptuar.
Plazhi i Shengjinit ( foto personale)
CMG: A ka plazhi shqiptar kafshë deti te rrezikshme?
Erdit Gega: Deri më tani nuk është raportuar për diçka të tillë, por deti mbetet i pazbuluar dhe eksploruar tërësisht.
CMG: Ky është një profesion i veçantë, a janë pagat e kënaqeshme dhe ka më shumë djem apo vajza në këtë profesion ?
Erdit Gega: Ky është një profesion që vlerësohet tepër në Shqipëri, pra lodhja justifikohet. Është shumë e nevojshme që të vlerësohet pasi do një përkushtim të madh. Ndërsa sa i përket më shumë femra apo meshkuj vrojtues plazhi, do thoja djem, por ka edhe vajza. Nuk janë të shumta në numër, por konsiderueshëm.
CMG: Cila është keshilla që ju jepni pushuesve?
Erdit Gega: Kam një këshillë dhe ajo është të zgjedhin plazh të qetë dhe sigurtë, mos të mungojnë vrojtuesit, madje pyesni për ta. Në një moment mund t'iu rrezikohet jeta dhe vrojtuesi shpëton jetë!
Intervistoi: Megi Latifi