Foto nga VCG
Të hënën, presidenti kinez Xi Jinping i bëri thirrje Lidhjes Rinore Komuniste të Kinës (CYLC) që të mbajë misionin e saj për të bashkuar më tej të rinjtë kinezë dhe të japë kontribut më të madh për realizimin e rilindjes kombëtare.
Xi, që është gjithashtu sekretari i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Kinës (PKK) dhe kryetari i Komisionit Qendror Ushtarak të Kinës, i tha këto gjatë takimit me anëtarët drejtues të Komitetit Qendror të sapozgjedhur të CYLC-së.
CYLC e zhvilloi kongresin e 19-të kombëtar në Pekin nga 19 deri më 22 qershor, me pjesëmarrjen e afro 1500 delegatëve, të cilët përfaqësojnë 73 milionë anëtarët e kësaj organizate në mbarë Kinën.
Ky është kongresi i parë kombëtar i CYLC-së pas Kongresit të 20-të Kombëtar të PKK-së.
Foto nga VCG
Duke vënë në dukje që CYLC është një mbështetje dhe forcë rezervë e PKK-së, Xi tha që puna e kësaj organizate duhet të bëhet sipas detyrës kryesore të përcaktuar në Kongresin e 20-të Kombëtar të PKK-së.
Për mbi 100 vjet, marrja e detyrës kryesore të Partisë si tema kryesore dhe drejtimi i lëvizjes rinore dhe i punës së të rinjve kinezë është një përvojë bazë, u shpreh ai.
CYLC është krijuar në vitin 1922, si një organizatë e të rinjve nën udhëheqjen e PKK-së. Kongresi i parë i saj paraqiti idenë për ndërtimin e një shoqërie komuniste, çka ka injektuar fuqinë e besimit në zemrën e brezave të rinj. Në shekullin e fundit, CYLC e ka vendosur misionin e rilindjes kombëtare si përgjegjësinë themelore për të rinjtë e vendit, duke e përqendruar punën e vet te shumica dërrmuese e punëtorëve dhe fermerëve të rinj, si edhe e të rinjve në përgjithësi.
Sipas statistikave të publikuara nga CYLC në maj, numri i anëtarëve të saj në fund të vitit 2022 arriti 73.58 milionë.
Xi e nxiti CYLC-në të drejtojë përgatitjen e të rinjve për të marrë pjesë në kauzën e socializmit dhe të PKK-së.
Ai theksoi rolin e rëndësishëm të CYLC-së në edukimin e anëtarëve të saj dhe të të rinjve, duke i drejtuar ata të studiojnë dhe të kuptojnë Mendimin e Socializmit me Karakteristika Kineze në Epokën e Re.
Deri tani, mbi 3.7 milion të rinj kanë marrë trajnime dhe udhëzime nga programi "Marksisti i ri", njoftoi gazeta "China Youth Daily". CYLC ka shpallur një rregull menaxhimi në shkurt për të përmirësuar zgjedhjen e trajnuesve e të të trajnuarve dhe funksionimin e këtij programi.
Gjatë pesë viteve të kaluara, në drejtimin e CYLC-së, të rinjtë kinezë kanë treguar guximin dhe kompetencën e tyre në nxitjen e zhvillimit me cilësi të lartë, fitoren e betejës kundër varfërisë dhe luftën ndaj pandemisë së COVID-19.
Në fushën shkencore, rreth 80 % e pjesëmarrësve në programet kyçe kombëtare të kërkim-zhvillimit janë nën 45 vjeç, bëri të ditur Ministria e Shkencave dhe e Teknologjisë e Kinës në shkurt.
Foto nga VCG
Gjatë pandemisë së COVID-19, të rinjtë rrezikuan jetën e tyre për të luftuar sëmundjen vdekjeprurëse. Më shumë se 5.5 milionë të rinj kinezë punuan në frontet kryesore, sipas një libri të bardhë mbi të rinjtë të publikuar nga Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit vitin e kaluar.
Nga 28 mijë e 600 infermiere nga ekipet mjekësore të dërguara në provincën Hubei, ku shpërtheu së pari epidemia e COVID-19 në Kinë, 90 % ishin të lindura në vitet '80 dhe '90 të shekullit të kaluar, vihet në dukje në këtë dokument.
Në fjalimin e tij para drejtuesve të sapozgjedhur të CYLC-së, Xi bëri thirrje që CYLC-ja të mobilizojë shumicën e të rinjve kinezë të marrin pjesë aktivisht në modernizimin e Kinës e të veprojnë si pionierë në inovacionin shkencor e teknologjik, rigjallërimin rural, zhvillimin e gjelbër, shërbimet sociale dhe mbrojtjen e kufirit.
“Një vend lulëzon vetëm kur rinia ka gjallëri,” theksoi Xi në raportin e Kongresit të 20-të Kombëtar të PKK-së. Ky është një opinion i ritheksuar nga ai në shumë raste.
“Në përpjekjet tuaja për shndërrimin e Kinës në një vend modern socialist në të gjitha aspektet, rinia dhe gjallëria juaj do të shpërthejnë me të gjithë shkëlqimin,” tha Xi në raport. (Jiang Lei)