FMN tregon masat që duhet të marrë qeveria shqiptare për rritjen e pagave
2023-06-26 10:48:18

FMN (revista monitor)

FMN (revista monitor)

Fondi Monetar Ndërkombëtar në deklaratën e fundit për Shqipërinë ka paralajmëruar se inflacioni mund të zgjasë më shumë se parashikimi mes kushteve të shtrënguara të tregut të punës dhe rritjeve të pagave në sektorin publik, gjë që mund ta detyrojë Bankën e Shqipërisë të përshpejtojë shtrëngimin e politikës monetare.

“Ekonomia e Shqipërisë ka shfaqur qëndrueshmëri përballë goditjeve të njëpasnjëshme.  Këtë vit, rritja ekonomike pritet rreth 3 për qind, e mbështetur nga kërkesa e qëndrueshme  konsumatore, turizmi dhe aktiviteti i ndërtimit.  Ne mbështesim angazhimin e autoriteteve për konsolidim fiskal dhe theksojmë, se rritjet e ardhshme të pagave në sektorin publik duhet të shoqërohen me masa domethënëse për të ardhurat dhe përfitime në efikasitetin e sektorit publik.  Synimi i Bankës së Shqipërisë për të vijuar normalizimin e politikës monetare është i duhuri. Në rast se inflacioni zgjat më shumë se parashikimet, mes kushteve të shtrënguara të tregut  të punës dhe rritjeve të pagave në sektorin publik, ritmi i shtrëngimit duhet të përshpejtohet”- thuhet në raport.

pagat (sot gazeta)

pagat (sot gazeta)

Sipas FMN-së këtë vit, rritja ekonomike pritet të jetë e moderuar, rreth 3 për qind.

“Ekonomia shqiptare ka tejkaluar pritshmëritë në vitin 2022, duke u rritur me 4.8 për qind, mbështetur nga kërkesa e fortë konsumatore, flukset hyrëse të turizmit dhe aktiviteti i ndërtimit.  Deficiti i llogarisë korrente dhe deficiti fiskal u ulën në mënyrë të konsiderueshme, paralelisht  me një vlerësim të lekut. Këtë vit, rritja ekonomike pritet të jetë e moderuar, rreth 3 për qind, për  shkak të ngadalësimit të rritjes ekonomike të partnerëve tregtarë, tërheqjes së politikës  mbështetëse dhe kushteve më të shtrënguara financiare. Besimi i vazhdueshëm i  konsumatorëve dhe turizmi do të mbështesin aktivitetin ekonomik për këtë vit. Inflacioni ka  ardhur gradualisht në rënie, por mbetet ende mbi objektivin e Bankës Qendrore.” – thuhet më tej.

Sipas vëzhgimeve të FMN-së, inflacioni mund të zgjatë më shumë, i nxitur nga kushtet e shtrënguara të tregut të punës dhe nga rritjet e konsiderueshme të pagave në sektorin publik.

“Parashikimi kushtëzohet nga një pasiguri e madhe. Rritja ekonomike e partnerëve tregtarë më  Shqipëri. Inflacioni mund të zgjatë më shumë, i nxitur nga kushtet e shtrënguara të tregut të punës dhe nga rritjet e konsiderueshme të pagave në sektorin publik, duke ndikuar edhe në pagat e sektorit privat. Një përshkallëzim i luftës së Rusisë në Ukrainë dhe moti i pafavorshëm, si faktor në  prodhimin e energjisë elektrike, mund të sjellin një përsëritje të goditjeve të ofertës. Nga ana  tjetër, ekonomia mund të jetë përsëri më e qëndrueshme se pritshmëritë, falë ecurisë së fortë  në turizëm.” 

 Gjithashtu bëhen edhe rekomandime se si qeveria duhet të menaxhojë rritjen e pagave.

“Ne mbështesim angazhimin e autoriteteve për arritjen e një balance primare jonegative në vitin  2023, një vit përpara afatit të përcaktuar në Ligjin Organik të Buxhetit (LOB). Synimi drejt një teprice primare prej 1.5 për qind në vitin 2024 do të ndihmojë për rikrijimin e shpejtë të hapësirave fiskale dhe për të garantuar rezistencë ndaj goditjeve të ardhshme. Kjo qasje do të  ulë edhe presionet inflacioniste. Theksojmë se rritja e buxhetit për pagat e sektorit publik duhet  shoqëruar me masa domethënëse për të ardhurat dhe përfitime në efikasitetin e sektorit publik dhe të mos rrezikojë objektivat afatmesme të konsolidimit fiskal.” 

Pritshmëri ka edhe për zgjerimin e bazës tatimore.

“Strategjia afatmesme e të ardhurave duhet të ankorojë një konsolidim fiskal të besueshëm dhe  agjendën e reformave në fushën e tatimeve. Ne mbështesim ligjin “Për të ardhurat” miratuar së  fundmi, i cili pritet të zgjerojë bazën tatimore. Zbatimi në kohë i masave të tjera të planifikuara  për rritjen e të ardhurave tatimore është po ashtu me rëndësi. Reforma të tjera për administrimin  e të ardhurave, përfshirë rritjen e pajtueshmërisë së individëve të pasur, plotësojnë përpjekjet  e politikave tatimore. Përparimi i vazhdueshëm i reformave strukturore fiskale do të forcojë  menaxhimin e financave, investimet dhe monitorimin e rrezikut.” 

te ardhurat (tatimet.gov.al)

te ardhurat (tatimet.gov.al)

Shtresat në nevojë janë më të prekura nga rritja e inflacionit, ndaj kërkohet një ulje e mëtejshme për të mos dëmtuar këtë kategori.

“Ulja e mëtejshme e inflacionit është thelbësore, sidomos për të mbrojtur familjet në nevojë. Ne  mbështesim synimin e Bankës së Shqipërisë për të vijuar me normalizimin e politikës monetare  dhe vëmë re se kjo politikë mbetet lehtësuese, pavarësisht rritjes së normës bazë të interesit  në mars. Nëse inflacioni vijon të jetë më i qëndrueshëm se parashikimi, ritmi shtrëngues duhet  të përshpejtohet. Ne përkrahim një qasje ndaj vendimeve të politikës monetare, e cila është  fleksibël dhe e mbështetur në të dhëna. Ndërhyrjet në kursin e këmbimit duhet të kufizohen për rastet e çrregullimeve të kushteve të tregut, duke ruajtur rolin e kursit të këmbimit si amortizues  i goditjeve.” – thuhet në deklaratën e shpërndarë nga ekipi i FMN-së.

Vlerësohet menaxhimi i bërë nga ana e sistemit bankar.

“Sistemi bankar ka dëshmuar rezistencë ndaj goditjeve të njëpasnjëshme, por shtrëngimi i  kushteve financiare mund të ekspozojë dobësitë e tij. Në përgjithësi, sistemi bankar ka pozicion  të fortë sa i takon kapitalit dhe likuiditetit, por numri më i lartë i huave me probleme mund ta  gërryejë këtë kapital. Në këtë kontekst, mirëpresim përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për  forcimin e kuadrit rregullator dhe mbikëqyrës, përfshirë krijimin gradual të shtesave më të  mëdha të kapitalit bankar. Ne inkurajojmë monitorimin e vazhdueshëm të rrezikut të kredisë bankare, rrezikut të kursit të këmbimit dhe atij të normave të interesit. Mbledhja e më shumë të  dhënave mbi sektorin e pasurive të paluajtshme do të jetë kyçe për zhvillimin e mëtejshëm të  kuadrit makroprudencial.” 

Një ekip i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i kryesuar nga Anke Weber, zhvilloi një vizitë në Shqipëri gjatë datave 13-19 qershor, për të diskutuar zhvillimet e fundit makroekonomike, parashikimin ekonomik dhe politikat prioritare.