CMG: Si ju lindi pasioni për instrumentin e fizarmonikës dhe muzikës në përgjithësi?
Agim Kola: Unë i kam filluar mësimet e muzikës në moshën 5 vjeçare nën kujdesin e babait tim, që në atë kohë ishte fizarmoniçist i estradës së Peshkopisë. Mësimet e solfezhit i kam marrë nga kompozitori Zef Çoba, që punonte në Peshkopi në atë periudhë. Ndërkohë shkollën e mesme të muzikës e kam kryer në Durrës, ku studiova për klarinetë meqë nuk kishte degë për fizarmonikë, të cilën e studioja privatisht. Pas shkollës së mesme konkurova në Institutin e Lartë të Arteve në degën e kompozicionit, ku në vitin 1986 u diplomova si kompozitor dhe u caktova fizarmoniçist në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore ku edhe zhvillova veprimtarinë time si instrumentist, kompozitor, orkestrues dhe drejtues. Ansambli në atë kohë ndahej shpesh në grupe, kështu që Agim Krajka drejtonte njërin grup, unë drejtoja tjetrin. Mbas vitit 1991 kur Krajka u vendos në SHBA unë drejtova orkestrën deri në ditën e vendosjes time në SHBA në vitin 1994.
CMG: Si i kujtoni vitet kur drejtonit orkestrën e Ansamblit Popullor?
Agim Kola: Kam punuar rreth 9 vite në Ansamblin Popullor dhe atë kohë e kujtoj me shumë nostalgji sepse punoja nën drejtimin e mjeshtrit Agim Krajka në fillim, që kishte arritur një tingëllim krejt specifik të orkestrës. Ishte koha e lavdishme e krijimtarisë së Çesk Zadesë, Tish Daisë, Agim Krajkës, Panajot Kanaçit, Gëzim Kacelit, Besim Zekthit dhe shumë të tjerë. Instrumentistët e orkestrës ishin ndër muzikantët më të mirë të vendit si Edmond Xhani, Qerim Xhihani dhe të gjithë të tjerët pa përjashtim ishin më të mirët që kishte vendi në atë kohë. Unë mësova shumë nga orkestracionet e Çesk Zadesë dhe Agim Krajkës dhe të gjitha veprat në atë kohë kishin karakter kombëtar dhe ruajtja e vlerave të muzikës kombëtare ishte prioritet. E them këtë sepse sot ka lëvizur pak ai prioritet. Në atë kohë bëhej punë e shkëlqyer në drrejtim të ndikimeve turke, sllave apo greke, që edhe pse nuk mund të eleminoheshin 100%, bëhej çmos që të ruhej karakteri shqiptar. Pas vitit 1991 kur Krajka u vendos në SHBA, unë kam drejtuar orkestrën deri në ditën e vendosjes time në SHBA në vitin 1994. Ndër aktivitetet që mora përsipër në atë kohë ishte recital i parë i Merita Halilit, mbrëmja e këngës shkodrane që pata menduar të bëja dhe një spektakël tjetër me këngën dibrane, korçare e të tjera, por u largova, megjithatë pati shumë sukses. Disa angazhime të tjera jashtë ansamblit kanë qenë koncerti me këngë italiane dhe spanjolle, ku në atë kohë ishte Agim Duro, Ruzhdi Karaj dhe Adrian Trebicka që këndonte këngë spanjolle.
CMG: Pas një jete artistike të suksesshme në Shqipëri si ishte integrimi në SHBA me jetën personale dhe atë artistike?
Agim Kola: Në vitin 1994 ansambli mori pjesë në dy festivale ndërkombëtare në Kanada dhe SHBA. Pastaj dhamë disa koncerte për bashkëatdhetarët tanë në Nju Jork, Detroit dhe Çikago. Në Nju Jork na takon Kastriot Tusha që kishte ardhur para nesh dhe na thotë që disa dibranë po kërkonin një orkestër meqë po hapnin një lokal të ri me muzikë për shqiptarët. Menduam të rrinim disa muaj dhe të ktheheshim, por pas 6 muajsh filluam përpjekjet për dokumenta dhe për të sjellë familjen në SHBA. Arsyet e largimit ishin disa, ku njëra ishte sepse thuhej që ansambli do të bëhej me vetëadministrim, pra do të mbahej me biletat e koncerteve që shiteshin. Kjo ishte absurde sepse krijoi një lloj paniku, se ishte e pamundur të paguheshin rreth 60 artista me bileta të shitura. Arsyeja tjetër ishte që nuk kihsa shtëpi, isha i sapomartuar dhe kisha një vajzë një vjeçe. Kjo ishte arsye shumë e fortë që më bëri të qëndroj në SHBA.
CMG: Si ishte integrimi juaj në ditët e para të vendosjes me familjen në SHBA?
Agim Kola: Roland Gjoza e ka përshkruar mirë në një tregim me titullin “Puthja e zezë” dhe jua sugjeroj ta lexojnë të gjithë ata që ëndërrojnë të vijnë këtu. Është një ndërmarrje e jashtëzakonsheme, një jetë që thyhet përgjysëm dhe fillon përsëri, dhe sado të jesh i përgatitur prapë është shumë e vështirë nga të gjitha aspektet. Janë disa gjëra që duhet t’i kenë parasysh edhe rinia e sotme që ka synim emigracionin. Sa më i ri aq më mirë sepse mëson gjuhën më shpejt, je më i fortë fizikisht dhe shumë gjëra të tjera. Kur i ke kaluar të dyzetat mendohu mirë sepse nuk do të jetë aq e lehtë. Kjo tregon që integrimi për mua nuk ka qenë aq i lehtë sepse nga ana artistike këtu në Nju Jork ka aktivitete private më së shumti dhe rrallë ndonjë aktivitet publik siç është festivali shqiptar që organizohet nga Kisha “Zonja e Shkodrës” ose ndonjë koncert i organizuar nga shoqata të ndryshme me raste festash.
CMG: Keni marrë pjesë në evente artistike të organizuara nga komuniteti shqiptar në Nju Jork?
Agim Kola: Unë kam pasur fatin që të bëj një shkollë për master këtu, ku mora mësime nga një kompozitor i famshëm. Krijimtaria e muzikës serioze nuk është e lehtë këtu të dalë në pah, sepse kjo lloj muzike nuk e ka dashamirësinë e publikut siç e ka në Europë. Në Nju Jork është vetëm një orkestër sinfonike dhe një opera. Kështu që karriera ime devijoi pak në këtë drejtim, në drejtimin e teknologjisë së instrumentave të pianos, karrierë të cilën e fillova në shkollë këtu dhe pastaj në shkollën e muzikës në Manhatan. Aktualisht jam në një kolegj ku drejtoj departamentin në shërbimin teknik të rreth 100 instrumentave. Falë lidhjeve të ngushta me Shqipërinë disa vepra të miat janë luajtur atje, si variacionet për klarinetë, që vazhdojnë të luhen dhe janë në repertorin e klarinetistëve në shkollën e lartë. Një piano trio që e pati marrë Lorenc Radovani me një treshe artistësh, kuartet harqesh dhe kam një koncert për klarinetë dhe shpresoj të luhet së shpejti.
CMG: Mbani kontakte me ish kolegë artistë dhe miqtë tuaj nga Shqipëria?
Agim Kola: Padiskutim që mbaj kontakte sepse kam shumë miq dhe kolegë që i kujtoj dhe më kujtojnë, jo vetëm në Shqipëri por edhe nëpër botë. Miku im është Edmond Zhulali dhe jemi rritur bashkë që fëmijë, por dhe shumë të tjerë që i pres dhe më presin sa herë vij në Shqipëri.
CMG: Vini shpesh në Shqipëri dhe çfarë ju mungon më tepër nga vendlindja?
Agim Kola: Unë vij pothuajse çdo vit sepse kam edhe prindërit në Tiranë. Më mungon shoqëria më së shumti, më mungon jeta sociale atje që këtu nuk e ke, më mungojnë plazhet e rralla që kemi në Shqipëri, ushqimet dhe gatimet tradicionale. Ka shumë gjëra që më mungojnë sepse unë u largova 31 vjeç dhe gjysma e jetës ishte atje, kështu që nuk mund të hiqen aq shpejt kujtimet e bukura.
CMG: Aktualisht luani vetëm në isntrumentin e fizarmonikës apo dhe të klarinetës?
Agim Kola: Klarineta më shërbeu sepse e njoh si instrument shumë mirë dhe kam shkruar për të edhe kur isha atje, por dhe këtu shkruaj herë pas here. Kam një shok në Shqipëri, Bashkim Barbullushi që mi ka luajtur të gjitha veprat. Ai është një ndër klarinetistat më të mirë që ka Shqipëria. Ai ka luajtur romancën time të parë kur isha në akademi, ka luajtur variacionet e mira për herë të parë dhe kemi pasur një bashkëpunim shumë të ngushtë. Klarinetën nuk e luaj më sepse e bëjnë të tjerët më mirë se unë, kurse fizarmonikën mundohem ta luaj sepse e kam pasion që fëmijë. Kam një fizarmonikë shumë të mirë, të njëjtin model që ka pasur Krajka kur ka qenë në Shqipëri, që ka qenë ndër fizarmonikat më të rralla që ekzistojnë në botë tani. Gjithashtu shkruaj për fizarmonikë sepse edhe luaj vetë, dhe mundohem të le diçka ngaqë kam dhe në shtëpi një studio regjistrimi. Kam mbaruar dhe një shkollë për këtë punë, kështu që mundohem t’i bëj dhe t’i regjistroj, t’i miksoj dhe masterizoj të gjitha bashkë dhe i nxjerr pastaj me raste, sepse kjo është kënaqësia që kemi këtu.
CMG: Do të kishit dëshirë të riktheheni me një koncert solistik në bashkëpunim me orkestrën e RTSH-së ose të operas në Shqipëri?
Agim Kola: Koncert solistik ndoshta jo, por kam pasur një kërkesë të një fizarmoniçisti të talentuar Indrit Cakaj, që më bëri një ftesë për t’i organizuar një koncert. Kështu që jam në kontakt me personelin e operas që të prenotojmë sallën për të bërë një koncert. Unë vetë po shkoj rreth 60 vjeç dhe nuk është mosha tani për të mbajtur fizarmonikën në krah një orë e gjysmë për të bërë recital. Unë tani kam eksperiencë në drejtimin e koncerteve dhe besoj që nëse koncerti i Indritit do të realizohet, besoj se do dalë me shumë sukses dhe publiku do ta presë me shumë simpati.