Në kujtim të shkrimtarit Naum Prifti
2023-06-26 10:50:09

Naum Prifti- foto Pamfleti

Naum Prifti- foto Pamfleti

Javën që shkoi letërsia shqipe humbi njërin nga autorët e saj më të shquar: tregimtarin, dramaturgun, skenaristin Naum Prifti, i cili ndërooi jetë në moshën 91-vjeçare. Naum Prifti, është një figurë shumëdimensionale, që u rezistoi me dinjitet viteve. 

Jetëshkrimi i tij është një nga më të begatët e autorëve shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI, me mbi njëqind tituj veprash të botuara përgjatë një krijimtarie që kap një periudhë më se 70-vjeçare.

Disa nga tregimet e tij janë përkthyer në gjuhë të ndryshme botërore,  si dhe disa kanë marrë çmime ndërkombëtare, siç është tregimi “Dimri i urisë” që ka rrëmbyer çmim “Honour Prize”, më 2005.

Studiuesi kanadez i letërsisë shqipe, Robert Elsie, në tekstin e tij “Historia e letërsisë shqipe” e radhit Naum Priftin në mesin e autorëve kryesorë të modernitetit letrar shqiptar, duke spikatur tek vepra e tij vlerat e dallueshme estetike si: skicimin e mprehtë të karaktereve, thellësinë e mesazheve artistike, gjuhën e pasur dhe të lëmuar, mendimin që herë-herë arrin deri në persiatje filozofike, ngrohtësinë e ndjenjës dhe shkallën e lartë të humanitetit etj.

Naum Prifti i takon brezit të shkrimtarëve më të shquar të letërsisë shqipe të periudhës së realizmit socialist, me Dritëro Agollin, Ismail Kadarenë, Fatos Arapin.

 Ai erdhi në letërsinë shqipe kur asaj i mungonin zërat e modernitetit letrar. Emri i Naum Priftit u nënshkrua në shumë vepra ku me mjeshtri u shkrinë tradita me modernen, burimorja me fantazinë.

Naumi kishte dhunti si dramaturg dhe repertori i tij në këtë gjini është shumë i pasur me vepra, Plumbat e shkronjave”, “Një verë e thatë”, “Zani-Partizani”, komedia “Dasmë pa nuse”, “Talent i rrallë”, etj. Me kërkesën e baletmaestros Agron Aliaj, Naum Prifti shkroi edhe një libret baleti me titullin “Bijtë e shqipes”. Libreti u nderua me çmimin e parë në Konkursin Kombëtar në 1974.

Mbi të gjitha, Naum Prifti shquhet në gjininë e tregimit. Regjisorët mendonin njëzëri se tregimet e Naum Priftit konvertoheshin lehtë në skenarë të suksesshëm. Prandaj filmat kishin motive dhe subjekte të tij: “Pylli i lirisë” nga tregimi “Ndjekësi i kuajve” me skenar të Kiço Blushit, “Tokë e përgjakur”, bazuar te tregimi “Litar i zjarrtë”, me regji të Kristaq Mitro e Ibrahim Muça, “Tre vetë kapërcejnë malin”, prodhim i Kosovafilm me regjisor Besim Sahatçiu (gjyshi i Rita Orës) dhe skenar të Skënder Blakaj.

Ky tregim u kthye në skenar filmi edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë. Si skenarist u paraqit me filma në ekranin e TV apo të kinemasë. “Era e ngrohtë e thellësive”, “Kush vdes në këmbë” me bashkëskenarist Vladimir Priftin, “Fejesa e Blertës” me bashkëskenarist Roland Gjoza.

Naum Prifti portret (majtas) dhe duke firmosur karrigen e shkrimtarve (djathtas) foto Pamfleti

Naum Prifti portret (majtas) dhe duke firmosur karrigen e shkrimtarve (djathtas) foto Pamfleti

Tregimi i tij “Pika e ujit” u punua në film multiplikativ nga një ekip i talentuar në Kinostudion “Shqipëria e Re”, që hodhën themelet e filmit vizatimor shqiptar.

Emri i Naum Priftit spikat veçanërisht në letërsinë për fëmijë. “Nuk ka gjini të lehta dhe të vështira në art, sepse arti në kuptimin e mirëfilltë është përpjekje e pareshtur, kërkim i përhershëm dhe rrekje për të arrirë shprehje të përkryer artistike”, thoshte Naum Prifti.

Kaq e thellë është modestia e tij dhe vlerësimi për moshat e reja, sa Naum Prifti u angazhua si pjesëtar i ekipeve për tekstet shkollore, një punë me të cilën nuk do angazhohej asnjë “shkrimtar elitist”.

Vitet në emigracion vijojnë me një punë të palodhur krijuese për shkrimtarin Naum Prifti. Përmbledhja me novela dhe tregime “Grigja e shpirtit” konsiderohet ndër veprat më të arrira të Naum Priftit. Ky libër përmban tregime e novela të shkruara gjatë disa dekadave, por ato u botuan në vitin 2003.

Po cili është jetëshkrimi i Naum Priftit?

Naum Prifti lindi në Kolonjë, më 7 mars 1932, ku ka kryer shkollimin e parë. Në 1953, mbaron Politeknikumin Mjekësor në Tiranë. Punoi një vit si ndihmës mjek në Sanatoriumin e Korçës. I pasionuar pas letërsisë, vazhdoi studimet për Gjuhë e Letërsi Shqipe në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Gjatë viteve 1954-1960 ka shërbyer si redaktor në revistën Hosteni. Ndërsa nga 1960-67 si redaktor në revistën “Ylli”. Më pas ka punuar si arsimtar nga 1967-70 në Divjakë të Lushnjes.

Në 1970-72 ka pasur përgjegjësinë si redaktor përgjegjës për buletinin “Skena e fëmijëve”, pranë Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, Tiranë dhe si inspektor teatri në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës gjatë 1974-76. Në këto vite ka shërbyer edhe si pedagog i jashtëm për Letërsinë Shqipe në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1991, Naum Prifti emigroi jashtë atdheut, ku vazhdoi të japë ndihmesën e tij për komunitetin shqiptar atje dhe për letërsinë shqipe. Në vitin 1995, zgjidhet sekretar i Federatës Panshqiptare Vatra, detyrë që e ka ka kryer për shumë vite me radhë.

Ka fituar shumë çmime për veprat letrare si vëllime me tregime, novela, letërsi për fëmijë, humor dhe skenarë filmash. Në vitin 2001 nderohet nga Ministria e Kulturës dhe Lidhja e Shkrimtarëve me çmimin: “Penda e Argjendë”, për vëllimin me legjenda “Nëna e Diellit”. Për punën e tij të gjatë, të vazhdueshme letrare dhe me nivel artistik, është Dekoruar nga Kuvendi Popullor me Medaljen e Punës dhe "Urdhrin Naim Frashëri klasi ll-të".

Neritana Kraja