Uvertura diplomatiko-strategjike e kryeministrit kinez në Evropë
2023-06-26 17:21:26

Z. Li Qiang, zhvilloi këto ditë udhëtimin e parë të tij në Evropë si kryeministër i Kinës, dhe si numri dy i politikëbërjes së Pekinit. Ky është edhe udhëtimi i tij i parë jashtë vendit që nga marrja e detyrës në Mars të vitit 2023. Agjenda e ngjeshur dhe figurat e larta politike që u takuan, tregojnë se rëndësia e marrëdhënieve Kinë-Evropë është përherë e më shumë në rend të ditës. Kancelari gjerman Olaf Scholz, Presidenti francez Emmanuel Macron, Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, e shumë të tjerë, treguan me pritjen e Z. Li Qiang se fokusi ndaj Kinës është prezent dhe me interes të plotë.

Një nga detyrat e tij më të rëndësishme të pozicionit të kryeministrit në Kinë, ka qenë dhe është menaxhimi i kursit ekonomik të vendit si detyrë primare. Dhe duke parë agjendën e tij zyrtare, u vu re se  z. Li promovoi pa reshtur lidhjet tregtare dhe ekonomike, dhe foli për të bindur këdo që  takoi në Evropë se Kina është e hapur për biznes, vendi po bën reforma të vashdueshme dhe dëshiron të ketë më shumë investitorë ndërkombëtarë. Eshtë një udhëtim që po pranohet gjerësisht edhe nga media evropiane se ndihmon në nxitjen e lidhjeve të Kinës me kontinentin në drejtimin e duhur.

Në Berlin drejt një fryme të re bashkëpunimi

Ndalesa në Berlin ishte shënjuar nga simbolika. Kancelari Scholz e priti kryeministrin Li dhe delegacionin e tij me nderime ushtarake. Kjo tregon që Gjermania ende dëshiron të qëndrojë miqësore me Kinën, partneren e saj më të rëndësishme tregtare. Nga ana tjetër, përfaqësues të biznesit gjerman ishin tejet entuziastë për këtë vizitë. Vizita në Gjermani është e domosdoshme dhe bizneset gjermane dhe evropiane mirëpresin takime dhe mundësi të shtuara tregtare pasi Kina është tregu kyç për eksportuesit gjermanë, nga Adidas tek Audi,  nga BMV tek Volkswagen, të gjithë e duan tregun Kinez, tha Presidenti i Dhomës së Tregtisë Kinë-BE.

Fokusi madhor në fakt nga Li dhe Scholz ishte për biznesin. Kjo është mëse e kuptueshme pasi mjafton të mendojmë se xhiro tregtare midis dy vendeve vitin e kaluar ishte mbi  320 miliardë dollarë, dhe Kina është partneri më i madh tregtar i Gjermanisë, për të tetin vit radhazi.

Si dy vende me ndikim të madh në botë Kina dhe Gjermania duhet të punojnë më ngushtë së bashku për të dhënë më shumë kontribute për paqen botërore dhe zhvillimin. Duket qartë që nga zgjedhja e Berlinit si ndalesë e parë se Kina i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve Kinë-Gjermani, dhe duket qartë gatishmëria e palës kineze që të punojnë së bashku me Gjermaninë për të promovuar mbarëvajtjen e këtyre marrëdhënieve. 

Scholz-it iu bë një pyetje në lidhje me një shkëputje të mundshme të Gjermanisë nga Kina, por ai direkt hodhi poshtë supozimet. “E kam thënë shpesh dhe ia kam theksuar gjithashtu sot kolegut tim Li, ne nuk kemi interes për një shkëputje ekonomike nga Kina” tha Scholz.

Në të vërtetë Kina ka një treg të madh, një sistem të plotë industrial me burime njerëzore të bollshme, një themel të fortë ekonomik pozitiv afatgjatë dhe  bazat e ekonomisë së saj nuk kanë ndryshuar. Më tej, ka aftësinë dhe besimin për të promovuar një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm. Gjermania ka një nivel të lartë të zhvillimit ekonomik dhe forcë të fortë shkencore dhe teknologjike, kështu që Berlini dhe Pekini mund të bashkëpunojnë shumë mirë si forca komplementare.

Në Paris me një qasje globale për problem lokal

Kryeministri Li Qiang takoi presidentin francez Emmanuel Macron në Paris. Kina dhe Franca, ndajnë një perspektivë të përbashkët strategjike dhe gjithëpërfshirëse mbi shumë çështje. Kryeministri kinez tha se vizita e tij në Francë synon të zbatojë konsensusin e rëndësishëm të arritur nga dy krerë të shteteve, duke cituar vizitën e Macron në Pekin para disa javësh. Thellim i bashkëpunimit me Francën ishte kryefjala e takimeve të Li, duke venë në dukje se pala kineze inkurajon ndërmarrjet e saj të investojnë në Francë dhe se kompanitë franceze janë të mirëpritura të ndajnë mundësitë e zhvillimit të Kinës.

Macron duke përshëndetur vizitën e Li  u shpreh se vendi i tij i kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve me Kinën, është e gatshme të punojë  për të rritur koordinimin përmes Dialogut Strategjik Francë-Kinë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë së Kinës, investimet franceze në Kinë gjatë pesë muajve të parë të këtij viti u rritën me 429.7%, vëtëm kjo shifër tregon një rritje drastike të bizneseve franceze në Kinë tregon një hap të ri atje ku deri para pak kohësh, kishte relaticisht pak prezencë.

Nga ana tjetër, diplomacia franceze ka mbajtur gjithmonë një imazh shumë të pavarur ndërkombëtarisht. Si Kina, ashtu dhe Franca, po përpiqen të punojnë për disa nga çështjet më të nxehta ndërkombëtare. Ministrja e Jashtme franceze, përmendi në publik se ka disa kontakte me palën kineze për mundësinë se Franca e vetme, ose Franca si përfaqësuese e BE-së, do të ftohen në samitin e BRICS në Johanesburg në muajin gusht. Pra, Franca po sheh opsione të mëtejshme, si individuale në rang shteti, ose kolektive për të parë më tej në platformat globale të Kinës.

Përveç diplomacisë, në Paris këto ditë rendi financiar botëror ishtë  në fokus, ku u zhvillua edhe  “Samiti për Paktin e Ri Global të Financimit”. Si në politikën e jashtme ashtu edhe në ekonomi Kina mbështet vendet në zhvillim, dhe kjo u shpreh edhe në këtë samit. Përballë hendekut global të financimit të zhvillimit, Kina i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që sinqerisht të bashkëpunojë për të zgjidhur problemet e vendeve në zhvillim, veçanërisht të vendeve më vulnerabël.

Marrëdhëniet Kinë-Evropë: nuk ka përse të ketë rivalitet

Keqkuptimet mund të zgjidhen më së shumti përmes komunikimit dhe shkëmbimeve intensive, dhe kjo vlen edhe për marrëdhëniet Kinë-Evropë. Gjatë vizitës së kryeministrit Li në Evropë, ndjehet vullneti i fortë i Kinës dhe Evropës për të komunikuar dhe shkëmbyer ide dhe qendrime, gjë që është e tejet rëndësishme dhe është themeli konceptual për të krijuar hapësira më të mëdha bashkëpunimi.

Flitet për shkëputje, flitet për “ç’rrezikim” nga të gjitha anët,  por Kryeministri Li tha: “Rreziku më i madh është mosbashkëpunimi, dhe rreziku më i madh i fshehur i sigurisë është moszhvillimi”.

Duket se problemi më i madh i Evropës tani nuk është nëse do të bashkëpunojë me Kinën, por ku të pozicionohet bashkëpunimi. Megjithatë, kur bashkëpunimi reciprokisht i dobishëm zëvendësohet nga -politizimi, ideologjia dhe dogmatizmi, ai në mënyrë të pashmangshme do të shkaktojë dëme në mjedisin e bashkëpunimit. Rezultati përfundimtar do të jetë konfrontimi politik, dilemat e sigurisë dhe konkurrenca vicioze.

Kina dhe BE-ja jo vetëm që kanë përfituar jashtëzakonisht shumë nga zhvillimi i njëra-tjetrës, por  gjithashtu kanë krijuar një konsensus të gjerë për të punuar së bashku. Mikpritësit francezë dhe gjermanë të z. Li theksuan rëndësinë e komunikimit dhe koordinimit me Pekinin, jo vetëm për të promovuar bashkëpunimin e tregtisë dhe investimeve, por edhe për të adresuar sfidat globale dhe çështjet e pikave të nxehta dhe zhvillimin e teknologjisë.

Së fundmi, Parisi dhe Berlini ecin përpara në promovimin e autonomisë strategjike të BE-së, dhe vizita e kryeministrit Li atje shërben si një sinjal për Bashkimin Evropian se Kina është e prirur që t'i përmirësojë marrëdhëniet dhe të reduktojë çdo tension.  Evropa po duket se do të kalibrojë marrëdhëniet e saj në drejtime të ndryshme dhe takime të këtij lloji të kontribuojnë si një kanal shtesë komunikimi në nivel politik.

Kina po ndryshon, Evropa po ndryshon dhe po ashtu edhe marrëdhëniet Kinë-Evropë po ndryshojnë. Ndryshimi është absolut dhe nuk ka asgjë për t'u frikësuar, detyra e liderëve politikë është që të menaxhojnë si duhet ndryshimin në ruajtje të paqes, prosperitetit dhe bashkëpunimit.

Dr. Marsela Musabelliu