Rea Nuhu në rrugën e bukur të këngës
2023-06-25 09:55:33

Këngëtarja Rea Nuhu është angazhuar me muzikën  që në moshën 10vjeçare si pjesëmarrëse në “The Voice Kids” dhe më në talent show “Gjeniu i vogël 6” ku ka qenë finaliste. Në vitin 2017 Rea këndoi në duet me artistin e mirënjohur Kastro Zizo, ku me këngën "Pa Faj" në  Festivalin “Kënga Magjike” duke u vlerësuar me çmim në finale. Një tjetër duet i Reas  një vit më pas me Kastro Zizon ishte  videoklipi "Dita Ditës". Në të njejtin vit ajo konkurroi në “Kënga Magjike” me këngën "S'mjafton", për të vijuar edhe në 2019  me këngën "Për Mua".  Tashmë e rritur Rea konkurroi dhe në një event muzikor në Maqedoninë e Veriut në 2020 me këngën ritmike "Na Dy", ku u nderua me dy çmime. Këtë vit ajo publikoi këngën e re “A jam rrit?”. Përgjigjet e kësaj pyetje që këngëtarja Rea Nuhu ia drejton vetes, do t’i mësoni në intervistën e saj për Radio Ejani.

CMG: Rea, sapo ke publikuar këngë tënde më të re “A jam rrit?”. Kujt ja drejton këtë pyetje?

Rea Nuhu: Unë këtë pyetje ja bëj vetes, është një dedikim i një dashurie që ka përfunduar dhe i them vetes; A jam rritur? Dhe mendoj se jam rritur.

CMG: Si erdhi kjo këngë dhe cilët janë autorët e saj?

Rea Nuhu: Tekstin  e këngës e kam bërë unë, ndërsa autore e kompozimit është kushurira ime Greis Kozeli, ndërsa orkestrimi është bërë nga Klajv Kajno. Ne punojmë shumë bashkë, madje kemi edhe projekte të tjera në studion “Don Production” të dajës tim Gramoz Kozeli.  Kemi këngë të cilat janë gati për t’i publikuar. Kemi pasur një moment shumë të bukur të jetës për të punuar për këngën “A jam rrit?”

CMG: Tashmë je rritur edhe artistikisht?

Rea Nuhu: Patjetër që po. Prandaj zgjodha këtë lloj fabule në këtë pikë të jetës. Kënga ka rreth një vit që është shkruar, por unë zgjodha që ta publikoj pikërisht tani, ku mendoj se jam rritur.

CMG: Si është pritur kjo këngë, sidomos nga ata që të njohin ?

Rea Nuhu: Është pritur shumë mirë, sidomos për faktin që kam zgjedhur një zhanër jo shumë të prekshëm nga shqiptarët. Këtu tek ne nuk bëhet shumë muzikë R&B dhe isha pak skeptike se si do pritej, a do dëgjohej. Por rezultoi shumë mirë, të gjithë ata që e kanë dëgjuar e kanë pritur shumë mirë, kam marrë shumë komplimenta.

CMG: Si kanë qenë këto komplimenta?

Rea Nuhu: Shumica e komplimentave ka qenë për tekstin, duke më njohur shumë mirë, më kanë thënë se kam ditur t’i shpreh shumë mirë emocionet e mia. Duke qenë teksti im i parë, emocioni ka qenë shuëm i madh për mua. Pjesa tjetër janë fokusuar në pjesën instrumentale, që ishte me motive çame. Pra një këngë R&B e kombinuar me klarinetë është një gjë veçantë, e pa bërë më parë dhe është pëlqyer shumë.

CMG: Nga materialet  muzikore që ke realizuar deri tani, a mendon se kjo është kënga më e realizuar profesionalisht?

Rea Nuhu: Absolutisht, jo. Kjo këngë është më afër zhanrit që unë dëgjoj dhe kam qejf vetë, por të gjitha këngët kanë qenë të arrira, sepse unë punoj me të njëjtën studio gjithmonë me “Don Production” dhe të gjitha kanë qenë të arrira.

CMG: Rea, ti ke qenë pjesë e spektakleve për talente të vegjël e të rinj. Na trego më tepër për këtë?

Rea Nuhu: E kam nisur shumë e vogël muzikën dhe në moshën 10-vjeçare kam marrë pjesë në “The Voice Kids” ku kam shkuar pa lejen e prindërve dhe ata e morën vesh në momentin që u përzgjodha.  Që nga ai moment prindërit më përkrahën dhe mami im u bë fansja ime numër një. Më pas mora pjesë në talent show-n “Gjeniu i vogël”.

CMG: Ti ishe vetëm 10 vjeç, si ndodhi që të shkoje pa prindërit në atë kompeticion?

Rea Nuhu: Unë kam nisur që në moshën 5 vjeç me muzikën, duke qenë se daja im Gramoz Kozeli (të cilin e përshëndes) është kompozitor,e më sillte disqe me këngë të këngëtarëve të ndryshëm. Unë mundohesha që të këndoja mbi zërin e këngëtarëve. Por edhe mami im ka mbaruar për kanto dhe në një farë mënyre e kam në gjak muzikën. Familjarët e dinin që unë kisha vesh për muzikë, por e dinin se unë doja të vazhdoja për muzikë, sepse kam qenë edhe e vogël. Ndërkohë kur isha 10 vjeç pashë në televizior që ishin hapur aplikimet për talent show-n “The Voice Kid’s” dhe bëra aplikimin vetë menjëherë në kompjuter. Kur shkova aty, i thashë mamit që do shkojmë në një projekt shkolle. Kur e fitova atë kompeticion, i tregova mamit që e fitova audionin, dhe tani ti do më ndjekësh në vazhdim. Më pas fitova çmimin e dytë në spektaklin “Gjeniu i vogël”.

CMG: Pas sukseseve të këtyre konkurseve, ti more pjesë në Festivalin “Kënga Magjike” mes emrave të njohur të muzikës shqiptare.

Rea Nuhu: Pas këtyre kompeticioneve, unë kam marrë pjesë edhe në  aktivitete të tjera, por kanë qenë më tepër shkollore. Por “Kënga Magjike” ishte goditja më e madhe e karrierës time. Kam qenë 17 vjeç kur daja im, Gramozi më thirri në studio e më tregoi për një material muzikor shumë të mirë, sepse unë i kisha kërkuar dajës një projekt për të marrë pjesë në “Kënga Magjike”. Në atë kohë ai mendoi se ishte momenti i duhur, pasi kishte një material me Kastro Zizon, më tregoi muzikën, që në atë moment ishte pa tekst, unë e dëgjoj dhe prekem. Më pëlqeu dhe isha dakord për atë këngë dhe kështu u krijua projekti me Kastron.

CMG: Më pas si vijoi karriera artistike?

Rea Nuhu: “Kënga Magjike” në atë kohë i ka pasur rregullat, që në momentin që merr pjesë me një artist big dhe shkon në finale dhe merr çmim, merr pjesë automatikisht për vitet e tjera si artist big. Mua mu dha kjo mundësi, mora pjesë me Kastron, shkuam në finale dhe fituam çmim, çdo gjë shkoi shumë mirë dhe mora pjesë si artiste big edhe një më pas mora pjesë me një këngë të orkestruar nga daja im Gramoz Kozeli, e me tekst dhe kompozim nga Fifi. Ai ka qenë momenti që ja dola vetë në skenën e “Kënga Magjike” dhe ishe një emocion i rrallë dhe shumë i bukur për mua.

CMG: Rea u bën rreth 17 vite që ti jeton me këngën. Si do i përkufizoje këto vite?

Rea Nuhu: Unë kam jetuar që sa kam lindur me këngë, më tregon mami se unë isha shumë e vogël e nuk mbaj mend. Por mami më vinte gjithmonë në gjumë me muzikë sepse unë e kisha shumë qejf muzikën.

CMG: Ndërsa u bën 8 vite që interpreton live në ambjente të ndryshme, krah emrave të njohur të muzikës shqiptare. Si kanë qenë këto eksperienca për ty?

Rea Nuhu: Të këndoj live është një nga eksperiencat më të bukura që unë do vazhdoj ta bëj. Sepse për mua emocioni më i bukur që mund të përjetojë një artist, është të interpretojë live, ku bëhesh njësh me publikun që këndon bashkë me artistin. Më pëlqen që ta ushtroj si profesion.

CMG: Cila është rryma muzikore që ty të pëlqen më shumë dhe i shkon më tepër dhe vokalit tënd?

Rea Nuhu: R&B , soul, por edhe muzika pop, më pëlqejnë të gjitha zhanret, por tek R&B e shoh veten më mirë për momentin.

CMG: Ky është repertori yt gjatë interpretimeve live?

Rea Nuhu: Gjatë interpretimeve live unë i prek të gjitha zhanret muzikore.

CMG: Po publiku që të ndjek ty Rea, te cila rrymë muzikore preket më shumë?

Rea Nuhu: Publiku shqiptar dihet që ndjehet më mirë në muzikën popullore, prandaj edhe unë kam filluar të interpretoj edhe muzikë popullore, dhe e di që ka filluar të më pëlqejë.

CMG: Në të ardhmen do të të shohim të realizosh ndonjë këngë të muzikës popullore.

Rea Nuhu: Këtë nuk e di. Cover-a po, por nëse mund të bëhet diçka e kombinuar, pse jo popullore me moderne.

CMG: Rea, si e sheh veten pas një dekade në anën artistike?

Rea Nuhu: 10 vite janë shumë. Në përgjithësi ja le momentit, por ka edhe gjëra të tjera që unë dua të marr kohën time. Por unë e shoh veten pas dhjetë vjetësh, në skena të mëdha, duke kënduar muzikë live.

CMG: Cili është synimi yt për të ardhmen?

Rea Nuhu: Patjetër që synimi im është që të kem repertorin dhe këngët e mia, e të bëj koncerte. Një nga synimet e tjera është Eurovisioni, që është edhe më e prekshme mbase edhe para 10 viteve. Gjë tjetër mbase që të krijoj bashkëpunim me muzikantë e artistë të huaj, kjo është një ndër gjërat që dua ta shoh veten dhe ta provoj veten.


CMG: Rea unë jam në dijeni se ti ke disa plane të bukura muzikore në të ardhmen?

Rea Nuhu: Unë kam shumë plane, por ai më i afërti për të cilin po punoj është  një muzikal që titullohet “Mama mia”, kështu që ju pres të gjithëve në datat 25-26 korrik tek Amfiteatri, ku do të interpretojnë emra shumë të njohur e të dashur për publikun shqiptar. Gjëja më e bukur është do të sjellim këngët më të bukura të grupit “ABBA” , kështu që do të dalë një gjë shumë e bukur.

CMG: Uroj që ëndrrat dhe dëshirat e tua të bëhen një ditë realitet!

Rea Nuhu: Faleminderit shumë Sava për ftesën, ishte shumë kënaqësi.

CMG: Tashmë ti je një vajzë e rritur, për të zotëruar një skenë të madhe dhe uroj që të të realizohen.

Intervistoi: Sava Lena