Posteri i Festivalit Folklorik Kombetar te Gjirokastres (Facebook)
Në edicionin e sivjetëm të Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës përveç këngëve e valleve, grupet pjesëmarrëse do të jenë të kompletuara edhe me kostumet popullore sipas krahinave që përfaqësojnë, ndërsa risi këtë edicion do të jetë përfaqësimi i grupeve të të rinjve që kultivojnë muzikën folklorike. Klodian Qafoku, Udhëheqës Artistik i grupit folklorik të Qarkut të Tiranës tregon në Radio Ejani risitë në këtë edicion të festivalit.
Klodian Qafoku (Facebook)
CMG: Si po shkojnë përgatitjet e grupit folklorik të Qarkut të Tiranës që do të marrë pjesë në edicionin e sivjtshëm të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës?
Klodian Qafoku: Përgatitjet janë drejt finalizimit të programit artistik të Qarkut të Tiranës në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës. Pas provave me sektorë të ndryshëm, si orkestra që është baza e grupit, këngëtarët, valltarët e të tjerë, tani është momenti kyç i bashkimit dhe provat e fundit i kishim tek skena e Amfitetarit të Liqenit, pasi është një skenë më e madhe dhe ngjason pak me skenën e festivalit, pra është si një arenë e festivalit. Aty kemi bërë prova deri në ditën e nisjes së festivalit.
Kalaja e Gjirokastres ku do te zhvillohet festivali folklorik (Facebook)
CMG: Si është bërë përzgjedhja e grupeve folklorike të këtij qarku që do të marrin pjesë në festival?
Klodian Qafoku: Pas ftesës së Kryetarit të Qarkut të Tiranës Aldrin Dalipi, që unë të udhëheq artistikisht grupin strukturuam dy platforma me Ministrinë e Kulturës, ku bashkë me koreografin Arian Sukniqi dhe koordinatorin Fatmir Velija filluam punën përmes udhëtimeve në zona të ndryshme të bashkive përkatëse që mbulon Qarku i Tiranës. Kemi shkuar nga afër për të parë dhe për të mbledhur materiale nga zona e Zall Bastarit, Ansambli Tirana, Kamza, Krraba dhe zona të tjera. Pra kjo ka qenë platforma që ne kemi ndjekur në fillim, dhe pastaj me Ministrinë e Kulturës sipas progarmit që ne kishim përfshirë të gjitha ata zona, përcaktuam dhe numrat fitues që do të konkurojnë në festivalin e Gjirokastrës.
Grupi artistik i Elbasanit gjate provave (facebook)
CMG: A ka pjesëmarrës të moshave të reja në përbërje të grupeve?
Klodian Qafoku: Patjetër që ka grupmosha nga 9 deri 12 vjeç që janë pjesë e grupit folklorik të Qarkut të Tiranës. Janë dy valltarë të Kavajës dhe disa valltarë të tjerë të zonës së Kamzës, që janë pjesë e qarkut.
CMG: Sa artistë nga Qarku i Tiranës do të ngjiten në skenën e festivalit?
Klodian Qafoku: Qarku i Tiranës duke qenë se përbëhet nga disa bashki dhe grupet janë Zall Bastar, Tiranë, Kavaja, Krraba, pra jemi mbi 60 artistë që do të ngjitemi në kalanë e festivalit.
Grupi artistik i Ansamblit Tirana gjateprovave (Facebook)
CMG: Ju keni qenë dhe në juri të festivaleve të mëparshme foklkorike dhe keni shumë eksperiencë në fushën e foklorit. Si e shikoni këtë traditë të festivalit që rikthehet pas tetë vitesh në Kalanë e Gjirokastrës?
Klodian Qafoku: Po është e vërtetë, sepse në vitin 2015 është organizuar festivali i fundit folklorik. Tradita mbetet traditë se festivali pa traditë nuk mund të zhvillohet. E rëndësishme është dhe mebtet dëshira e madhe që artistët të shkelin në skenën e kalasë si për herë të parë ashtu dhe ata që janë veteranë të këtij festivali, sepse e reja nuk është gjë tjetër veçse një variacion i së vjetrës. Unë këtë e kam si parim, që ne vërtetë do të sjellim ndoshta në thonjza risi por që nuk i ndahemi traditës dhe kjo është shumë e rëndësishme.
Grupet folklorike gjate provave per ne festival (Facebook)
CMG: Ky vit do të jetë ndryshe sepse nuk do të ndahen çmime për grupet pjesëmarrëse. Cili është mendimi juaj për këtë pjesë?
Klodian Qafoku: Në fakt ky vit do të ketë vetëm diploma dhe çertifikata, pra në këtë edicion Ministria e Kulturës ka vendosur që mos ti fusë grupet në garë më njëri-tjetrin. Unë mendoj që kanë bërë mirë sepse ngeljes së kahershme të lakmisë së grupeve apo individëve brenda bashkive apo qarqeve për medalje apo dekorata e ka shndërruar festivalin folklorik gjithmonë nga një festë miqsh në një garë kundërshtarësh, brenda llojit dhe ndërmjet krahinave. Pra unë mendoj se është më mirë të përhapet tradita e folklorit në mënyrë të barabartë.
CMG: Mendon se Festivali Folklorik Kombëtar është tempulli i vërtetë i vlerave të muzikës së mirëfilltë popullore?
Klodian Qafoku: Unë mendoj jo, sepse tempulli i muzikës qëndron tek ne, jo në atë kala. Ajo kala është magji thjesht për transmetimin, por tempulli qëndron tek gjithësecili nga ne.
Grupe folklorike gjate provave (facebook)
CMG: Grupi artistik i Qarkut të Tirëns në cilën ditë të festivalit do të performojë në Kalanë e Gjirokastrës?
Klodian Qafoku: Në datën 26 qershor në mbrëmje Qarku i Tiranës prezanton fabulën e saj 30 minutëshe, duke shpresuar se do të jetë një shfaqje emocionuese dhe këto numra nuk janë paraqitur më parë, si dhe numra të tjerë artistik që kemi marrë nëpër zona të ndryshme të Tiranës.
CMG: Faleminderit për intervistën dhe suksese në festival.
Klodian Qafoku: Faleminderit shumë
Intervistoi: Gazmend Agaj