Mesazhet e vizitës së kryeministrit kinez Li Qiang në Gjermani dhe Francë
2023-06-23 09:36:07

Prof. dr. Selami Xhepa në intervistë për CMG

Prof. dr. Selami Xhepa në intervistë për CMG

Në vitin 2022, Kina ishte partneri numër një i vendeve të Bashkimit Evropian në nivel të importeve të BE-së, me 20.8 përqind të totalit të importeve, ndërsa zinte vendin e tretë në eksportet e BE-së, me 9 përqind të totalit të eksporteve të BE-së në botë.

Ndërkohë, Kina vitin e kaluar ishte  partneri i parë tregtar botëror i Gjermanisë, me vëllimin tregtar dypalësh që arriti në rreth 300 miliardë euro  në vitin 2022, ndërkohë që Gjermania është investitori më i madh i Evropës në Kinë. Të dyja vendet në dhjetëvjeçarin e fundit kanë qenë në garë cili vend të ishte eksportuesi i parë më i madh në botë, duke u shkëmbyer me njeri-tjetrin.

Nga ana tjetër, vëllimi tregtar mes Francës dhe Kinës arriti një rekord të ri në tremujorin e parë janar-mars 2023, me 19 miliardë euro.

 

Delegacioni kinez në takim me kancelarin gjerman

Delegacioni kinez në takim me kancelarin gjerman

CMG: Prof. Xhepa, Kina është partneri tregtar më i madh i Gjermanisë, ndërkohë që Gjermania është investuesi më i madh i Evropës në Kinë. Nga ana tjetër, vëllimi tregtar mes Francës dhe Kinës arriti një rekord të ri në tremujorin e parë janar-mars 2023, me 19 miliardë euro. Çfarë rëndësie ekonomike ka vizita e Kryeministrit kinez Li Qiang, e para jashtë vendit të tij që nga muaji mars 2023 kur u bë kryeministër, në Gjermani dhe Francë këtë javë, dhe cilat janë mesazhet, në nivel të bashkëpunimit ekonomik dypalësh, me Gjermaninë dhe Francën?

 

Prof.Dr. Selami Xhepa: Në fakt, partneriteti midis Evropës dhe Kinës është tashmë një praktikë dhe një eksperiencë e mirëkonsoliduar. Ka disa vite që kemi shkëmbime të niveleve të larta. Kjo vihet re edhe në raportet e Komisionit Evropian me qeverinë kineze, por edhe të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Por pa asnjë dyshim, niveli më i lartë vihet re me Gjermaninë, duke qenë ajo lokomotiva e ekonomisë evropiane, si dhe nga ana tjetër, ky shtet është ndër eksportuesit më të mëdhenj të botës,

Njëkohësisht, në marrëdhëniet dypalëshe Kinë-Gjermani, kuptohet që ka një rëndësi të jashtëzakonshme ndërveprimi, duke qenë edhe dy eksportuesit më të mëdhenj globalë sot.

Kështu që edhe vizita zyrtare e kryeministrit kinez pason vizitën zyrtare të kancelarit gjerman, me grupet e biznesit gjerman në Kinë, në Pekin, e cila u zhvillua përpara disa muajsh. Ky është një proces shkëmbimesh.

Në dijeninë time, ka dhe një proces parneriteti, pra të diskutimeve dhe të dialogut në nivelin e partneritetit, midis dy vendeve. Ky është një proces i rëndësishëm, pse siç e thamë, Kina është lokomotivë e ekonomisë botërore, dhe, në këtë kuptim, marrëdhëniet midis këtyre gjigandëve të ekonomisë botërore, kanë një rëndësi të madhe, jo vetëm për të dyja vendet, por mendoj, më shumë edhe për ekonominë e kontinentit tonë në tërësi.

Kështu që e shikoj si një mundësi dhe, me sa e kam ndjekur këtë vizitë zyrtare, e konsideroj një mundësi për të rigjallëruar edhe njëherë marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare dhe për t’i dhënë një shtysë të mëtejshme interesave të biznesit gjerman në Kinë, si dhe, nga ana tjetër, edhe interesave të sipërmarrësve kinezë në Evropë.           

Mendoj se gjatë vizitës zyrtare, pati një rëndësi të jashtëzakonshme edhe fryma e dialogut dhe bashkëpunimit, e cila ndërtoi ura komunikimi dhe bashkëpunimi, në një kohë që, në fakt, po bëhet gjithnjë e më e vështirë, kjo, edhe në disa realitete gjeopolitike, të cilat, në kontekstin e zhvillimeve aktuale, kanë nevojë që të ndërtojnë dialog të përhershëm.

Përndryshe, nganjëherë, edhe terminologjia gjuhësore mund të prodhojë keqkuptime. Fjala vjen, fjala “decoupling”(shkëputje), fjala”derisking”(çriskim). Pra, ka disa çështje, të cilat janë në axhendën e diskutimit, por që zgjidhja e këtyre problemeve bëhet përmes dialogut dhe përmes komunikimit.

Çdo lloj defaktorizimi, nuk do të kishte gjë tjetër, veçse një rol shumë negativ për ekonominë botërore në tërësi.

 

Konsultimet Kinë-Gjermani (Foto CGTN)

Konsultimet Kinë-Gjermani (Foto CGTN)


CMG: Prof. Xhepa, në vitin 2022, Kina ishte partneri më i madh i importeve të Bashkimit Evropian, me 20.8 përqind të totalit, si dhe destinacioni i tretë më i madh për eksportet e BE-së, me 9 përqind, pas Shteteve të Bashkuara, me 19.8 përqind dhe Mbretërisë së Bashkuar me 12.8 përqind. Çfare impakti do të ketë, në gjykimin Tuaj, kjo vizitë në nivel të vendim-marrjes për politikat ekonomike të BE-së në të ardhmen?

Prof.Dr. Selami Xhepa: Modeli i ekonomisë kineze mbështetet kryesisht tek kërkesa e huaj agregate, pra tek eksportet jashtë vendit. Në këtë kuptim, dinamikat e eksporteve të Kinës kanë një rëndësi të veçantë për normën e rritjes së ekonomisë kineze.

Kemi patur disa debate të rëndësishme gjatë viteve të fundit, nëse Kina duhet të ndryshojë modelin e saj ekonomik, për të kaluar drejt stimulimit të kërkesës së brendshme. Pra, që gradualisht, Kina të zëvendësojë tregun e eksportit si udhëheqës i rritjes ekonomike, në raport dhe në përfitim të rritjes së vëllimit të kërkesës së brendshme.

Sidoqoftë, Kina është një nga ekonomitë që furnizon mbarë botën. Është, si të thuash, manifaktura, prodhuesja globale. Në fakt, do të thoja se ekonomia kineze ushqen kërkesën ekonomike për të gjithë pjesën e ekonomisë botërore dhe, pa dyshim, edhe për ekonominë evropiane.

Duke qenë Kina ndër partnerët më të rëndësishem tregtarë, kuptohet qe edhe diskutimet në nivel të politikave ekonomike, për partneritetin reciprok midis këtyre dy blloqeve, pra Bashkimit Evropian dhe Kinës, kanë një rëndësi të madhe, edhe në këndvështrimin e ndikimeve afatgjata, që këto mund të kenë, mbi ecurinë e këtij procesi.

Duhet të kemi parasysh edhe diçka tjetër. Pavarësisht se të gjithë jemi anëtarë të Organizatës Botërore të Tregtisë, fatkeqësisht, raundi i negociatave të kësaj organizate botërore, që nga viti 2001, pra i famshmi raund i Dohas, nuk ka patur një progres të rëndësishëm.

Kjo i bën negociatat në nivel dypalësh ose rajonal (në rastin konkret kemi një vend me një rajon, me një grup shtetesh, pra Kinën me shtetet e Bashkimit Evropian), një element të rëndësishëm, për të vazhduar të ruhet e njëjta dinamikë, në kontekstin e lehtësimit të shkëmbimeve ekonomiko-tregtare, si burimi kryesor i rritjes së ekonomive dhe i sigurimit të mirëqënies për qytetarët e vendeve përkatëse.

Kryeministri kinez në Francë (Foto Xinhua)

Kryeministri kinez në Francë (Foto Xinhua)

       

CMG: A mund të lexohet kjo vizitë e kryeministrit kinez edhe si një mesazh qetësimi ndaj atyre sipërmarrësve ose aktorëve kryesorë të zhvilluar të Bashkimit Evropian, që kishin shprehur shqetësime lidhur me sigurinë e tregjeve të Azisë, sidomos të Kinës?

Prof.Dr. Selami Xhepa: Në fakt, kanë ndodhur procese të rëndësishme politike në Kinë. Kemi tashmë një qeveri të re, të dalë nga Kongresi i fundit. Dhe është normale që qeveria e re  bën gjithmonë një tur udhëtimesh në vendet partnere, të cilat janë të rëndësishme, edhe nga pikëpamja gjeopolitike. Këtë e shikoj si pjesë e të njëjtit tur të njohjes dhe të dialogimit me qeveritë e vendeve të tjera.

Nga ana tjetër, është e vërtetë që ka patur një rritje të skepticizmit, sidomos për disa reforma që kanë nisur kohët e fundit në Kinë, që lidhen kryesisht me sektorin financiar.

Pra, Kina ka ndërmarrë disa reforma, për një kontroll më të mirë të veprimtarisë në tregjet financiare. Kjo ka krijuar një skepticizëm tek investuesit e huaj jashtë Kinës.

Unë mendoj që në vizita dhe udhëtimë të tilla, është rasti dhe mundësia që vendet të eksplorojnë edhe njëherë, të shpjegojnë më së miri reformat në kontekstin e tyre të brendshëm dhe qartësimin e investuesve të huaj, në mënyrë që te shmangen ato elementë që unë i quajta “derisking”, pra i eliminimit të rrezikut.

Këto në fakt janë shfaqur që nga pandemia, pasi pandemia ishte rasti i parë, që lokalizimi, në mënyrën se si ishte zhvilluar, kishte rreziqe. Kjo, pasi mbylljet mund të prodhojnë ndërprerje serioze në zinxhirin global të furnizimit. Për pasojë, të gjitha vendet po e rishqyrtojnë kontrollin e risqeve, në industri të caktuara. Dhe kjo është pjesë e të njëjtës filozofi.

Pra, ne kemi një proces të rëndësishëm dialogu, sa i takon të ardhmes së globalizimit, por kjo nuk duhet perceptuar si risk. Kjo duhet perceptuar si një mundësi për të dialoguar dhe për të ndërtuar një qartësi më të madhe, përsa i takon perspektivave të zhvillimit në afatin e mesëm dhe në afatin e gjatë.         

CMG: Çfarë më bëri përshtypje në këtë vizitë të kryeministrit kinez në këto të dyja vende, ishte besimi i përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, qoftë atij gjerman dhe qoftë atij francez...

 

Prof.Dr. Selami Xhepa: E vërtetë.

 

Li Qiang në Forumin në Gjermani (Foto CGTN)

Li Qiang në Forumin në Gjermani (Foto CGTN)

CMG: Këta në takimet e drejtpërdrejta me kryeministrin kinez, u shprehën besimplotë në zhvillimin ekonomik të Kinës. Shpreheshin se me zor presin për plane të reja për thellimin e bashkëpunimit dhe për investime të përbashkëta.  

 

Prof.Dr. Selami Xhepa: Është e vërtetë. Evropa është një investues i rëndësishëm jashtë vendit, ashtu sikurse mendoj që Kina është investuesi më i rëndësishëm global sot në tregjet e tjera, duke i ndryshuar edhe paradigmat teorike. Kjo, sepse paradigmat teorike janë që vendet e pasura investojnë në vendet në zhvillim. Në rastin konkret, kemi një vend në zhvillim si Kina, që investon në vendet e pasura. Ajo luan një rol të rëndësishëm në tregun e investimeve globale.

Pa dyshim që dhomat e tregtisë përkatëse të Evropës në Pekin, por, nga ana tjetër, edhe vetë komuniteti i biznesit evropian, kanë interesa dhe ambicie serioze për të investuar në tregjet e Kinës, ashtu sikurse, siç e dimë të gjithë, edhe korporatat amerikane.

Pra, ka një lloj gare dhe konkurrence globale, për të qenë pjesë e këtij tregu kinez, që është ndër tregjet më dinamike të botës së sotme.

CMG: Si e konsideroni qasjen ekonomike të kryeministrit kinez Li Qiang, përballë sfidave të globalizimit, por njëkohësisht, edhe besimin e shprehur të kancelarit gjerman Scholz dhe të presidentit francez Macron në takimet e zhvilluara, duke qenë se jemi në një epokë ku duket se globalizimi po merr gjithnjë e më shumë një lloj zbehjeje dhe ka një lloj mosbesimi nga ana e shumë vendeve, në tregtinë globale?

Prof.dr.Selami Xhepa, President  i Universitetit Europian të Tiranës (Foto CMG)

Prof.dr.Selami Xhepa, President  i Universitetit Europian të Tiranës (Foto CMG)

Prof.Dr. Selami Xhepa: Në fakt, po të shikohet thellë, fokusi i diskutimit ka qenë “green economy”, ekonomia e gjelbër dhe çështjet e klimës. Ne duhet të shikojmë për gjëra që na bashkojnë. Edhe fokusi i diskutimeve në takimet e nivelit të lartë që janë organizuar, lidhet pikërisht me ato që përbëjnë sfida për njerëzimin.

Mendoj që ndoshta globalizimi kishte shkuar shumë larg, sikurse e thonë edhe shumë studjues dhe shumë profesorë. Kishte shkuar shumë larg dhe ndoshta kishte nevojë jo për një ritërheqje, por për një rishqyrtim të balancave midis përfituesve dhe humbësve, në mënyrë që të kemi një globalizim që punon për të gjitha vendet, dhe jo vetëm për një grup vendesh.

Kështu që nga kjo pikëpamje, kjo periudhë qetësie, “slowbalization”, sikurse e quan studjuesi i njohur Nouriel Roubini, është një periudhë interesante, nga pikëpamja e rishqyrtimit edhe njëherë të këtij sistemi të globalizimit në ekonominë botërore.

Thënë kjo, ka një mori çështjesh të rëndësishme në axhendën e sotme, që kërkojnë pa asnjë diskutim, bashkëpunim ndërkombëtar. Këto çeshtje nuk mund të zgjidhen në nivel të politikave kombëtare. Dhe çfarë përbëjnë eksternalitetet më kritike të botës së sotme, janë çështjet e klimes dhe të tranzicionit të gjelbër.

Kjo është një sfidë për Evropën dhe është një sfidë, pa dyshim, edhe për Kinën. Ne kemi parë që qasja e Kinës ka qenë miqësore. Kina ka ndërmarrë angazhime edhe në Protokollin e Parisit, edhe në gjithë traktatet ndërkombëtare, përsa i takon kontrollit të klimës. Pra, kontrollit të emetimit të ndotësve në atmosferë, që është instrument i kontrollit të klimës. Nga kjo pikëpamje, duket që po paguan, në fakt, edhe një kosto dhe një faturë, pasi ritmet e rritjes ekonomike kanë rënë dhe rënia e ritmeve të rritjes ekonomike i dedikohet kostos që vendi do të duhet të paguajë për tranzicionin energjitik. Kështu që nga kjo pikëpamje, kjo lloj balance e interesave afatshkurtra dhe afatgjata ka nevojë për një koordinim ndërkombëtar. Përndryshe, asnjë vend në vetvete, nuk mund ta mundë dhe ta mbajë nën kontroll këtë shqetësim. Kështu që unë këtë pashë që ishte dhe tema kryesore e diskutimit.

Në rastin konkret, edhe investimet e përbashkëta në këtë fushë mendoj që janë fokusi kryesor, sikurse ka edhe rivalitet. Kooperimi dhe rivaliteti janë të pranueshëm dhe janë dy anë të së njëjtës medalje. Ky rivalitet lidhet kryesisht me teknologjitë e reja dhe me aspektet e tjera ekonomike.

Vendet po shikojnë tek ato gjëra që i bashkojnë dhe që janë sfida të mëdha për njerëzimin në përgjithësi. Dhe kush më shumë se sa të mëdhenjtë kanë përgjegjësi për të vendosur një balancë të duhur në zhvillimin e ekonomisë dhe shoqërisë botërore.      

 

Intervistoi Fatos Çoçoli