Kryeministri kinez fillon vizitën zyrtare në Francë
2023-06-22 11:56:58

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Të mërkurën pasdite, me ftesën e qeverisë franceze, kryeministri kinez Li Qiang mbërriti në aeroportin Olly të Parisit, për të bërë një vizitë zyrtare në Francë dhe për të marrë pjesë në Samitin për një Pakt të Ri Global të Financimit.

 

Kryeministri kinez u shpreh që marrëdhëniet ndërmjet Kinës dhe Francës kanë ruajtur një nivel të lartë zhvillimi dhe kanë një rëndësi globale që e tejkalon sferën dypalëshe. Në prill të vitit 2023, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping dhe presidenti Emmanuel Macron arritën një sërë konsensusesh strategjike, duke hartuar një program për partneritetin e gjithanshëm strategjik Kinë-Francë. Pala kineze është e gatshme që, bashkë me palën franceze, ta shndërrojë këtë program strategjik në një plan zbatimi, të zgjerojë hapjen e dyanshme, të krijojnë zinxhirë më elastikë të industrisë dhe të furnizimit Kinë-Francë e Kinë-BE, të thellojë shkëmbimet kulturore, të përballojë bashkërisht sfidat globale dhe t'i sjellë më shumë besim e fuqi paqes, qëndrueshmërisë dhe zhvillimit të botës.

 

Foto nga Xinhua

Foto nga Xinhua

Gjatë vizitës, kryeministri Li Qiang do të takohet me presidentin Emmanuel Macron, do të zhvillojë bisedime me kryeministren Elisabeth Borne, do të takohet me kryetarin e Senatit Gérard Larcher. Krahas këtyre, kreu i qeverisë kineze do të marrë pesë edhe në Samitin për një Pakt të Ri Global të Financimit, ku do të mbajë një fjalim.

 

Pasi mbërriti në Paris, Li Qiang shkoi në qendrën e inovacionit të grupit "Schneider Electric". Ai shprehu shpresën që grupi francez do të vazhdojë investimet në Kinë dhe do të rinovojë pandërprerë modelin e bashkëpunimit, duke treguar që nga investimet në Kinë patjetër do të ketë përfitime.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Li Qiang mori pjesë gjithashtu në një pritje të qarqeve të biznesit Kinë-Francë, ku ai paraqiti tre propozime për bashkëpunimin kino-francez. Së pari, duhet të ruhet siguria dhe qëndrueshmëria në zinxhirët globalë të industrisë dhe furnizimit, të ngulet këmbë në globalizimin ekonomik dhe të ndërmerren veprime praktike për hapje dhe fitime të përbashkëta. Së dyti, duhet të shtohet bashkëpunimi i inovacionit mes Kinës e Francës dhe të ofrohet energji e re për bashkëpunimin dypalësh. Së treti, duhet të krijohet një mjedis i mirë biznesi dhe Kina shpreson që Franca të ofrojë mjedis të barabartë dhe të drejtë për kompanitë kineze. (Jiang Lei)