Mbështetje buxhetore për njerëzit në nevojë në Qarkun Tiranë
2023-06-22 11:00:09

Ndihmë ekonomike për njerëzit në nevojë(Foto monitor)

Ndihmë ekonomike për njerëzit në nevojë(Foto monitor)

Mbështetja buxhetore për njerëzit në nevojë ka ardhur në rritje. Kështu shprehet në një intervistë për mediat Alfred Muharremi, Drejtor i Sherbimit Social për qarkun Tiranë. Sipas të dhënave të bëra publike janë 10 kategori që asistohen gjatë gjithë vitit me mbështetje të caktuar.

 

“Aktualisht në Shërbimin Social Shtetëror në Qarkun e Tiranës ka disa departamente apo sektorë. Kemi sektorin social, kur ne monitorojmë institucionet e përkujdesjes shoqërore që janë 10 si për të rinjtë, për fëmijët, për gratë e dhunuara apo për të moshuarit, gjithashtu kemi sektorin e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar. Unë në drejtorinë time kam 6 komisione, që bëjnë vlerësim bio psikosociale, kurse më parë komisionet bënin vlerësimin e një pacienti vetëm nga ana mjekësore. Tashmë kemi një vlerësim që i bëhet pacientit edhe nga ana sociale “ - tha Alfred Muharremi.

 

Për të përcaktuar saktë ndihmën që nevojitet për çdo kategori ekzistojnë komisione të posaçme. Drejtori i Sherbimit Social për qarkun Tiranë jep shifra konkrete për njerëzit në nevojë dhe për mbështetjen përkatëse buxhetore.

 

Alfred Muharremi (Foto gazeta shqip)

Alfred Muharremi (Foto gazeta shqip)

“Ne me këto komisione arrijmë që të bëjmë rekomandime, që duhet të ofrojmë ndaj pacientëve, për shërbime të mundshme, qoftë shërbime drejt punësimit, që mund të jetë nivel më i lehtë i diagnozës që ka  pacienti. Ne kemi rreth 15 mijë qytetarë që janë me aftësi të kufizuar, duke  përfshirë para dhe tetraplegjikët dhe të verbrit dhe ata që janë kategori e lehtë. Kemi rreth 3500 individë me baza familjare, të cilët janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike. Dikur kur unë isha përfitues i këtyre shërbimeve, vija re që pagesa ishte minimale, qesharake. Një nga lobimet e mia kur  kam qenë kandidat për deputet, ishte për këtë, të loboj që komunitetet në nevojë të kenë një trajtim dinjitoz, qoftë në shërbime por edhe pagesën cash. Atëherë merrja pagesë 3 mijë lekë të reja, tani është trefishuar në muaj, që janë për kategori të veçanta, për fëmijët pa kujdes prindëror, për gratë apo fëmijët që janë viktima të dhunës apo raste trafikimi. Vlera është 9 mijë lekë, që marrin fëmijët pa kujdes prindëror. Për kryefamiljarët, të cilët kanë 3 apo më shumë fëmijë, është dyfishuar pagesa e mbështetjes financiare. Dikur ishte 8 mijë lekë, por u rrit deri në 16 mijë lekë. Gjithashtu kemi pasur në të gjithë Shqipërinë rreth 64 mijë familje që janë pjesë e ndihmës ekonomike në një indeksim rritje prej 10%. “- thotë Muharremi.

 

Paralelisht vijon edhe pagesa për bonusin e qirasë. Janë 2000 të tillë në këtë skemë.

 

“Sot kjo lloj pagese vjen më pranë këtyre familjeve duke i mundësuar bazën, pavarësisht se është një pagesë e pamjaftueshme  në advokimin tim si zyrtar, apo dhe si drejtues i Qarkut të Tiranës. Bashkia e Tiranës që është më e madhja në qark përpos pagesave cash të familjeve që marrin ndihmë ekonomike ofron edhe pagesën e bonusit të qirasë. Janë rreth 2 mijë të tillë që përfitojnë bonusin e qirasë. Të gjithë nxënësit të cilët janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike marrin po ashtu bonus arsimi. Problemi i strehimit është zgjidhur pasi çdo anëtar apo familje që është pjesë e skemës së ndihmës ekonomike dhe të ardhurat e tyre ekonomike nuk i përballojnë shpenzimet minimale të jetesës, të qirasë, ushqimit të bazës jetike, ne automatikisht i japim një mbështetje”, u shpreh ai

 

Fonde financiare(albeu.com)

Fonde financiare(albeu.com)

Gjatë viteve të kaluara ka patur edhe persona që kanë abuzuar me skemën e ndihmës ekonomike. Ja cilat janë kriteret që të quhesh përfitues i ndihmës sociale.

 

“Kriteri i vetëm që duhet të plotësojë është të mos ketë një banesë në pronësi të tij, të mos ketë një biznes në emër të tij, sepse nuk mund të jetë pjesë e skemës dhe normalisht të ardhurat duhet të jenë të pakta. Dikur skema e ndihmës ekonomike kishte rreth 40 mijë abuzues, ishin në punë por me reformën e re që u bë për skemën e ndihmës është një skemë që është nëpërmjet pikëzimit. Ne si drejtori rajonale bëjmë vetëm verifikimin dhe certifikimin e gjithë informacionit që jep qytetari në formatin e aplikimit. Ne kemi aktualisht një sistem online që bëhet me anë të pikëzimit dhe nga ana e këtij pikëzimi arrijmë të nxjerrim që vërtet kjo familje është në nevojë apo jo”- shpjegon Drejtori i Sherbimit Social për Qarkun Tiranë.