CMG: Në rrugën e zhvillimit, Kina nuk do të harrojë asnjë vend dhe asnjë njeri
2023-06-22 11:46:20


“Këtu kemi parë nga afër arritjet e integrimit të teknologjisë kërpudhë-bar (ose "Juncao", që përdor barin e grirë si nënshtresë për rritjen e kërpudhave) dhe programit ‘Lulëzimi rural’. Industria kërpudhë-bar ka gjallëri të plotë dhe teknologjia në këtë drejtim zotëron një potencial të madh,” tha zyrtari nga provinca Highland e Guinesë së Re Papua Peter Gare, i cili bëri një vizitë në provincën Fujian të Kinës Juglindore. Ai u shpreh i gatshëm që të nxitë zhvillimin e industrisë kërpudhë-bar në vendin e tij.

 

Jo vetëm në Guinenë e Re Papua, por tani teknologjia kërpudhë-bar e Kinës është përhapur në 106 vende e rajone të botës, duke ofruar gjallëri konkrete për zbatimin e Agjendës së OKB-së për Zhvillimin e Vazhdueshëm 2030, vihet në dukje në një koment të CMG-së. Në "Raportin e zbatimit të Nismës së Zhvillimit Global" të publikuar më 20 qershor nga Kina, është përfshirë ky projekt “i vogël, por i bukur”, duke u bërë një pasqyrë ku mund të shikojmë nxitjen e zhvillimit të përbashkët global nga Kina.

 

Zhvillimi është çelësi për zgjidhjen e të gjitha problemeve. Bota e sotme nuk është e qetë. Po shtohen konfliktet gjeopolitike dhe rritja e ekonomisë botërore është e dobët. Më 21 shtator 2021, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping paraqiti në Asamblenë e 76-të të Përgjithshme të OKB-së Nismën e Zhvillimit Global, e cila është fokusuar te bashkëpunimi në tetë fusha kryesore, duke marrë mbështetjen e 100 vendeve dhe shumë organizatave ndërkombëtare. Më 24 qershor 2022, kryetari Xi drejtoi Dialogun e Nivelit të Lartë për Zhvillimin Global dhe paraqiti 32 masa konkrete të Kinës për zbatimin e Nismës së Zhvillimit Global, duke qartësuar drejtimin e zbatimit të kësaj nisme.

 

Foto nga Xinhua

Foto nga Xinhua

Si janë zbatuar këto masa? Sipas raportit, gjysma e tyre janë vënë në jetë ose kanë pasur arritje fillestare. Nga krijimi i rrjetit ndërkombëtar civil të bashkëpunimit për pakësimin e varfërisë deri në zhvillimin e Forumit të Bashkëpunimit Digjital në kuadër të Nismës së Zhvillimit Global; nga Fondi i 3-të i Mirëbesimit i Bashkëpunimit Jug-Jug ndërmjet Kinës dhe FAO-s deri në krijimin e mekanizmit të bashkëpunimit spitalor Kinë-Afrikë... projektet janë zbatuar njëri pas tjetrit, çka po përqendron fuqinë e zhvillimit global, duke sjellë shpresë për njerëzit që dëshirojnë zhvillimin.

 

Pakësimi i varfërisë është misioni kryesor ndër tetë fushat kryesore të bashkëpunimit të paraqitura nga Kina, vijon komenti i CMG-së. Në vitin e fundit, Kina në mënyrë të sinqertë ka ndihmuar vendet në zhvillim të largohen nga varfëria, me ndërtimin e rrjetit të bashkëpunimit për pakësimin e varfërisë dhe nxitjen e ndarjes së njohurive në këtë drejtim. Në gusht 2022, një shkollë fillore në Kamboxhia mori dhurata nga Kina: “çanta dashurie dhe shëndeti”, ku kishte maska, kuti ushqimesh, shishe uji dhe kanaçe me ushqime. Një nxënës tha: “Kjo çantë është shumë e mirë. Unë e falënderoj nga zemra Kinën për ndihmën nga dhe do ta mbaj mend gjithmonë këtë dashamirësi”. Mediat vendore njoftuan që ky projekt ka dhënë kontribut për Kamboxhian në zbatimin e Agjendës për Pakësimin e Varfërisë 2030.

 

Tani njerëzimi po futet në epokën digjitale dhe shumë vende në zhvillim dëshirojnë të nxisin zhvillimin me anë të teknologjisë digjitale. Një nga arritjet në dialogun e nivelit të lartë të zhvilluar vitin e kaluar ishte koncepti “doganë inteligjente, kufi inteligjent dhe ndërlidhje inteligjente”. Tani ky koncept është shënuar në 31 dokumente dypalëshe e shumëpalëshe, duke krijuar 130 projekte bashkëpunimi. Qysh nga paraqitja e Nismës së Zhvillimit Global, Kina ka lëshuar satelitin e parë në botë që ofron shërbim të posaçëm për Agjendën 2030 të OKB-së dhe i ka dhuruar OKB-së shumë produkte informative, duke dhënë mbështetje me të dhëna për monitorimin dhe vlerësimin e gjendjes së zbatimit të kësaj agjende.

 

Për zhvillimin e përbashkët, Kina ka paraqitur nisma dhe ka marrë masa konkrete, sepse e kupton mirë që, përpara dallgëve të mëdha, vendet e botës janë  në një varkë të përbashkët e duhet të përpiqen për një të ardhme më të mirë. “Është e papranueshme përpjekja për hedhjen e ndokujt në det. Në rrugën e zhvillimit, asnjë vend e asnjë njeri nuk duhet të mbetet prapa dhe Kina përpiqet gjithmonë për këtë," mbyllet komenti i CMG-së.

(Jiang Lei)