Festa e Varkës së Dragoit dhe prejardhja e figurës së dragoit në Kinë
2023-06-22 16:22:58

foto nga CFP

foto nga CFP

Sot është Festa e Varkës së Dragoit, që bie çdo vit në ditën e pestë të muajit të pestë sipas kalendarit bujqësor kinez. Kjo është një festë që integron doket dhe zakonet e lutjes për shmangien e së keqes, të bërjes së homazheve ndaj poetit kinez të para mbi dy mijë vjetëve Qu Yuan, të festimit, argëtimit dhe të ngrënies së ushqimit të veçantë. Ndërkohë, edhe kultura e dragoit dhe e varkës është pjesë e rëndësishme përbërëse e kësaj feste dhe mishëron filozofinë e kinezëve.

Pse kjo festë ka lidhje me dragoin? Kjo vjen nga adhurimi për dukuritë astronomike. Në ditën e pestë të muajit të pestë, d.m.th. Festën e Varkës së Dragoit, shtatë yjësitë e zodiakut kinez që formojnë figurën e dragoit ndodhen në drejtimin e jugut në qiell, prandaj kjo është një ditë me fat dhe me energji. 

foto nga CFP

Prejardhja e totemit të dragoit

Kinezët e quajnë veten si pasardhës të dragoit. Në kulturën kineze, dragoi është një qenie misterioze. Ai ka trup gjarpëri, me luspë peshku dhe me brirë dreri. Kinezët e lashtë mendonin se dragoi zotëron erë dhe shi. Perandorët kinezë e quajnin veten "dragoi i vërtetë dhe biri i qiellit", ndërsa në popull, dragoi simbolizon fatmirësi, erë të butë dhe shi të rregullt. Dijetarët e përdornin dragoin si metaforën e mençurisë dhe moralit. 

Lidhur me prejardhjen e imazhit të dragoit si paraardhësi mitik i kombit kinez ka versione të ndryshme dhe një prej tyre vjen nga një rrënojë arkeologjike në Verilindjen e Kinës.

Ky është një relikt kinez që ruhet sot në Muzeun e Britanisë së Madhe. Ai i përket kulturës Hongshan (Malit të Kuq), mbi 5000-6000 vite më parë, në periudhën e Neolitit. Ai ka pamje shumë të veçantë, me kokën e një derri, ndërsa trupi është i gjatë dhe i shtrembëruar, prandaj quhet nefriti derri-dragoi. I zbuluar në një varrezë në verilindje të Kinës, ai është një send i shenjtë i totemit dhe simbolizon fuqinë dhe statusin e pronarit të varrit. Me këtë nefrit, pronari i varrit luajti rolin e shkëmbyesit midis qiellit dhe njeriut gjatë aktivitetit të flijimit.

Pamja e këtij relikti është shumë e veçantë dhe është vështirë të gjejmë origjinën natyrore. Ekspertët analizojnë se në kohën e lashtë, njerëzit e adhuronin derrin e egër, që është një qenie shumë e fuqishme, duke e shndërruar në totemin e ndonjë fisi. Më vonë, kinezët filluan të kultivojnë derrin shtëpiak dhe zbuluar embrionin e tij. Në fakt të gjitha kafshët me kurriz, por edhe njeriu, kanë embrionë të ngjashëm, dmth. me kokën, bishtin dhe trupin e shtrembëruar. Kështu ndoshta kinezët e lashtë mendonin se njeriu dhe derri kanë të njëjtën prejardhje. Kjo tregon se totemi me figurën derri-dragoi është adhurim për kafshët e fuqishme dhe për prejardhjen e njeriut gjithashtu.

 

foto nga CFP

Nga rrënojat e kulturës Hongshan u nxorrën një numër i madh reliktesh të nefritit në formë derri-dragoi dhe me pamje të ndryshme. Njëra prej tyre titullohet "Dragoi, nefriti kinez më i bukur", që tashmë ruhet në Muzeun Kombëtar të Kinës. (Wang Lei/ Laçi)