Turizmi dhe edukimi ndërthuren për të tërhequr vizitorët
2023-06-22 12:08:20

Foto nga VCG

Një grup nxënësish të shkollave të mesme nga Pekini vizituan në fillim të qershorit një muze urash në Anshun, në provincën jugperëndimore të Guizhou.

Ura e lumit Baling, e vlerësuar me çmime, mund të shihej nga dritarja.

“Çfarë është një urë?”,- pyeti një instruktor. Një djalë u ngrit dhe u përgjigj: “Është një lidhje”.

Diskutime të tilla mbahen shpesh në Muzeun e Shkencës dhe Teknologjisë së Urës së Lumit Baling, i cili është gjithashtu një bazë edukimi me temë kanionet dhe urat.

Që nga hapja e objektit në vitin 2019, nxënës dhe mësues nga më shumë se 600 shkolla kanë kryer udhëtime në terren dhe aktivitete kërkimore shkencore, teknologjike, inxhinierike dhe matematikore.

Nga janari deri në mars, më shumë se 10.000 nxënës vizituan muzeun, me 24 për qind të tyre që vinin nga jashtë Guizhou.

Në muze janë ekspozuar edhe vepra të nxënësve nga shkolla fillore deri në atë të mesme, si piktura dhe modele të urës.

Foto nga VCG

Përveç mësimit të historisë dhe zhvillimit të urave të Kinës në muze, vizitorët mund të ecin gjithashtu përgjatë urës së lumit Baling për të përjetuar ndjesinë e strukturës së madhe.

Ura, e hapur në vitin 2009, është 2237 metra e gjatë. Hapësira kryesore është 1088 metra dhe shtrihet më shumë se 370 metra mbi lumë. Ajo fitoi çmimin “Luban”, një nga çmimet më prestigjioze të ndërtimit të urave në Kinë.

Vizitorët marrin një ashensor për të hipur në urë dhe më pas ecin përgjatë saj për të shijuar pamjen dhe për të thithur ajrin e pastër në lartësi të madhe. Kur kalojnë automjetet, vizitorët përjetojnë disa dridhje, gjë që shton atmosferën ndonjëherë të tensionuar. Kjo eksperiencë nuk rekomandohet për njerëzit që kanë frikë nga lartësitë.

Hapja e urës shkurtoi kohën e udhëtimit me rrugë nga Ujëvara Huangguoshu, një pikë e rëndësishme turistike në Guizhou, në qarkun Guanling, qyteti Anshun, nga një orë në vetëm katër minuta, tha Wang Yu, punonjës në muze. Ai theksoi se dhe prodhimet e veçanta bujqësore vendase transportohen nëpërmjet urës.

Rrjeti i përmirësuar i transportit ka nxitur gjithashtu turizmin.

“Zona zakonisht është e mbushur me njerëz gjatë pushimeve dhe fundjavave. Në zonë ka disa hotele të vogla dhe vende pritëse të nivelit të lartë, të cilat zakonisht duhet të rezervohen dy javë përpara gjatë pushimeve dhe një javë përpara gjatë sezoneve normale”,- tha Wang.

Që nga tetori 2019, një sërë aktivitetesh sportive ekstreme janë ofruar në urë, si kërcim me litar dhe lëkundje në lartësi të mëdha.

Në një lartësi prej 370 metrash, aktiviteti “bungee jumping” është certifikuar nga Rekordet Botërore Guinness si kërcimi më i lartë komercial në botë.

Foto nga VCG

Sipas muzeut, 50.000 vizitorë kanë guxuar të ecin përgjatë urës që nga viti 2019.

“Ka më shumë se 28.000 ura në rrugët e Guizhou. Nëse të gjitha do të ishin të lidhura, gjatësia do të ishte më shumë se 5400 kilometra, më e gjatë se një udhëtim vajtje-ardhje midis Pekinit dhe Guiyang, kryeqendra e provincës. Madje do të kalonte edhe Kinën kontinentale”,- deklaroi Xu Xianghua, kryeinxhinier në Komisionin e Transportit në Guizhou.

Deri në fund të vitit të kaluar, gati gjysma e 100 urave më të larta në botë dhe katër nga 10 urat më të larta të globit ishin në Guizhou. Pesëmbëdhjetë prej tyre kanë fituar 25 çmime vendase dhe ndërkombëtare.

Ndërkohë, katër ura në Guizhou kanë fituar medaljen “Gustav Lindenthal”, një nga çmimet më prestigjioze të ndërtimit të urave në botë. Në total, nëntë ura në Kinë kanë fituar çmimin.

Guizhou ka të katërta llojet e urave: kabllo pezull, me kabllo, me hark dhe rreze.

“Ne kemi eksploruar integrimin e thellë të urave dhe turizmit, duke nisur me monumente të reja turistike si Ura e lumit Baling, Ura Pingtang dhe Ura e Kanionit të lumit Huajiang, e cila është ende në ndërtim”,- tha Xu.

Kjo e fundit po ndërtohet mbi lumin Huajiang, i cili njihet për shkëmbinjtë e pjerrët dhe rrymën e shpejtë. Me një rënie prej 625 metrash në lumë, ajo pritet të bëhet ura më e lartë në botë kur të përfundojë në vitin 2025 dhe pritet të shkurtojë kohën e udhëtimit nëpër kanion nga rreth një orë në rreth një minutë.

Ajo do të zëvendësojë urën e lumit Beipan, gjithashtu në Guizhou, si ura më e lartë në botë. Ura Beipan, e cila varet më shumë se 565 metra mbi lumin Beipan, është certifikuar si më e larta në botë nga Rekordet Botërore Guinness.