Naime Gjongecaj është me origjinë nga Tropoja dhe ka punuar në arsim 14 vite, me një shkëputje të shkurtër kur erdhi në Tiranë, për të vijuar më tej kontributin në drejtim të shoqërisë civile. Ajo ka mbrojtur Diplomën Bachelor në Marrëdhëniet Ndërkombëtare, më pas ka punuar për tetë vite në Bashkinë e Tiranës. Ajo gjithashtu ka punuar me organizata dhe shoqata humanitare në ndihmë të njerëzve në nevojë. Në vitin 2019, në kohën e tërmetit ajo ka ndihmuar me ushqime dhe kontribute të tjera mjaft qytetarë të prekur nga tërmeti. Naimja është një grua vizionare, në kulmin e energjive, që merret shumë me ngritjen e saj profesionale, me lexime të thelluara në fushën e politikës, ku ka vendosur të kontribuojë, me një shërbim cilësor në dobi të një komuniteti, që ka aq shumë nevojë për këtë shërbim. Në një intervistë për Radio Ejani ajo tregon për punën në arsim, angazhimin në shoqata të ndryshme në ndihmë të komunitetit si dhe pasionet që e kanë ndjekur në jetë.
Naime Gjongecaj në intervistë për CMG
CMG: Keni punuar prej disa vitesh në arsim në Tropojë. Çfarë keni marrë dhe dhënë në këtë fushë gjatë këtyre viteve?
Naime Gjongecaj: Unë me origjinë jam nga malësia e Gjakovës dhe bijë Krasniqesh. Kështu që atje është uji i Valbonës, që të kthjellon mendjen dhe çdo gjë është e bukur në vendlindje. Kam punuar në arsimin parashkollor dhe shkollën fillore, dhe të punosh më fëmijët je komplet një botë tjetër, hyn në botën e fëmijëve, e dashuron jetën dhe çdo gjë. Shqip i themi ne malësorët që nuk të shkon mendja për probleme sepse futesh te jeta e fëmijëve.
CMG: Përveç momenteve të bukura a keni pasur dhe momente të vështira në komunikimin me nxënësit gjatë viteve si mësuese?
Naime Gjongecaj: Nuk kam pasur momente të vështira për një arsye, sepse unë e kam buzëqeshjen të parën, dhe nëse një fëmijë del te te dera me buzëqeshjen, atij nuk i shkon mendja të qajë ose për të bërë debate.
CMG: Pse zgjodhët pikërisht arsimin si rrugëtimin tuaj profesional?
Naime Gjongecaj: Mua më ka pëlqyer shumë arti, të këndoj, modelingu, por zakonet dhe traditat në zonat rurale i kanë të kufizuara këto gjëra. Kështu që isha e detyruar të punoja në arsim, por dhe arsimin e dashuroj.
CMG: Pasionin për artin dhe muzikën keni pasur mundësi që ta lëvroni vitet e mëvonshme?
Naime Gjongecaj: Unë çdo gjë e modeloj vetë, kështu që e kam shijuar te vetja ime, por jo që të bëj një karrierë te ajo pjesë.
Naime Gjongecaj (facebook)
CMG: Prej vitesh jeni larguar nga vendlindja dhe jetoni në Tiranë. Pse u shkëputët nga arsimi kur erdhët në Tiranë?
Naime Gjongecaj: Me ligj është që në vendin tonë dhe në çdo vend të botës kur kalon një problem shëndetësor, në rastin tim unë kam kaluar azoteminë dhe është e lejuar me ligj që të japësh dorëheqjen dhe shteti të të japë një punë tjetër. Prandaj nuk lejohet të punosh në arsim dhe unë këtu kam punuar në Bashkinë e Tiranës.
CMG: Cili ka qenë pozicioni juaj i punës në Bashkinë e Tiranës?
Naime Gjongecaj: Ngaqë kam punuar në Tropojë në arsim dhe e kam pasur gjithmonë komunikimin, buzëqeshjen, mirësjelljen me njerëzit dhe kur kam kërkuar punë më ofruan të punoja në zyrën e ankesave të Tiranës. Pra unë kam mbuluar 14 njësi administrative që ka Tirana për ankesat, ndriçimet, rrugët dhe për çdo problem të komunitetit.
CMG: Gjithashtu jeni marrë dhe me shoqërinë civile ku keni realizuar disa projekte. Si ka qenë kjo eksperiencë për ju?
Naime Gjongecaj: Shoqërinë civile do ta lidh me jetën time, ngaqë jam rritur vetë jetime dhe kam pasur shumë nevojë për dashuri, mbështetje për shumë probleme. Unë jam fokusuar te shoqëria civile, te nënat që janë me fëmijë, te gratë e divorcuara dhe tek problemet e tyre, te nënat që rrisin fëmijë me probleme dhe të sëmurë. Aty jam përqendruar për t’ju dhënë dashuri njerëzve, me humanizëm me dashuri dhe buzëqeshje si dhe mbështetje sado të vogla.
CMG: Cili ka qenë konkretisht kontributi që ju keni dhënë në këtë fushë?
Naime Gjongecaj: Ne kemi mbështetur shumë familje në nevojë nga jugu në veri, që kanë pasur fëmijët me probleme të ndryshme. Ndërkohë që gjatë periudhës së tërmetit në Shqipëri në vitin 2019 kemi punuar në një mënyrë intensive, duke sistemuar njerëzit dhe duke i sjellë ushqime nga Lipjani, Prizreni dhe Gjakova.
CMG: Po në politikë si u gjendët?
Naime Gjongecaj: Unë dua të them të vërtetën se politikën e dashuroj, sepse jam një person që studioj deri në orën tre të mëngjesit. Unë studioj politikën e Ballkanit shumë dhe punoj me një grup ndërkombëtarësh të biznesit dhe të politikës. Mua nga shoqëria civile më kanë zgjedhur dhe më kanë thënë që duhet të hyja në politikë.
CMG: Tani që jetoni në Tiranë a ju mungon Tropoja?
Naime Gjongecaj: Tropoja është malësia e Gjakovës, por ama unë dashuroj vendlindjen time dhe flas perfekt gegnishten.
CMG: Si është një ditë e zakonshme e juaja në Tiranë?
Naime Gjongecaj. (Facebook)
Naime Gjongecaj: Në përgjithësi unë ditën e organizoj para dhe nuk e bëj takimin në çast. Unë çdo fundjavë bëj organizimin e javës tjetër dhe i mbaj me shënime. Për këtë gjë i kam ngjarë xhaxhait sepse ai mbante shënime për çdo takim. Nuk dal dot në një takim rastësor, por çdo gjë e kam të organizuar një javë më përpara.
CMG: Keni pasione të tjera në jetë?
Naime Gjongecaj: Në përgjithësi ne rrjedhim nga një familje me shumë emër dhe intelektualësh. Unë personalisht kam dashuruar këngën, artin, të bukurën, por tradita, familja dhe zakonet, dhe u distancuam aty ku të organizon familja. Mua më pëlqejnë shumë gjërat e bukura, shkruaj poezi, citate dhe fjalë me shumë kuptime.
CMG: Një mik apo një mikeshë e mire, si duhet të jetë?
Naime Gjongecaj: Vetëm korrektësi në orar dhe takim sepse unë korrektësinë e kam sëmundje. Kështu që e kam shumë të vështirë të mbaj shoqe si veten për arsye të korrektësisë së orarit.
CMG: Pak më përpara thatë se qëndroni deri në tre të mëngjesit duke lexuar, por kur zgjoheni në mëngjes?
Naime Gjongecaj: Unë zgjohem herët në mëngjes rreth orës 7, por vërtetë lexoj shumë libra, poezi. Unë e nis me poezinë dhe kaloj te një roman, por më shumë lexoj librat me politikë.
CMG: Keni botuar ndonjë libër me poezi?
Naime Gjongecaj: Poezitë e mia nuk i kam botuar, por i kam nxjerrë nëpër rrjetet sociale si dhe në gazeta të ndryshme të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Shqipëri. Unë mbaj një ditar shumëvjeçar dhe mendoj që në një të ardhme të bëj një roman me atë ditar. Unë kam plot 48 vite që mbaj ditar.
CMG: Keni pasur ndonjë ëndërr në moshë të vogël që nuk ju është realizuar?
Naime Gjongecaj: Unë e kam bërë një fëmijëri pa rini, pa adoleshencë dhe pa gjëra të bukura sepse kam mbetur jetime në moshën 12 vjeçare dhe më është dashur të bëhem nënë pa qenë nënë. Kështu që jeta ime ka qenë komplet ndryshe, dhe unë tani punoj për çdo gjë që ta realizoj për të qenë aty ku duhet.
CMG: Qyteti i Tropojës përveç bukurive natyrore dhe ujit të Valbonës ka dhe folklorin e veçantë. Keni ndonjë këngëtar të trevës suaj që e adhuroni?
Naime Gjongecaj; Tropja ka pasur gjithmonë artista, këngëtarë dhe valltarë që i ka edhe sot. Ka qenë Skënder Haklaj valltar me emër, është Deli Metalia valltar i njohur, Xhevahire Gashi që ka qenë një ndër femrat më të rralla që mund të ekzistojnë. Pastaj kemi Gëzim Nikën, Fatrmira Breçani një mrekulli dhe shumë të tjerë, por që në nivelin e tyre është shumë e vështirë që të arrijë dikush.
CMG: Jeni mbledhur ndonjëherë bashkë këtu në Tiranë për ndonjë event artistik ose kulturor?
Naime Gjongecaj: Në përgjithësi Tropoja në Tiranë ka dhe shoqatën e Bytyçit që mbledh gra e burra dhe gjithë malësorët. Gjithashtu gratë e arsimit dhe shëndetësisë organizojnë dreka ose darka dhe mblidhemi mbi 200 gra për aktivitete të ndryshme.
CMG: Keni pasur ndonjë moment të veçantë kur keni takuar në rrugë ish nxënësit tuaj?
Naime Gjongecaj gjatë një ektiviteti me miqt e saj (Facebook)
Naime Gjongecaj: Unë ndalova një ditë në rrugë dhe pyes një polic për një stacion autobusi. Kur ai më pa tha, uaa mësuesja ime dhe unë shtanga sepse nuk e njoha. Ndërsa kur isha në Tropojë me një aktivitet fëmijësh, aty më thotë një prind që të kisha kujdes për djalin e saj, ndërkohë që unë nuk e njoha që ajo kishte qenë ish nxënësja ime dhe ajo vajzë kishte mbetur jetime sikur unë që e kam pasur në duart e mia. Këto janë gjëra që të japin shumë mbresa sepse nuk ka dashuri më të madhe sa të duash fëmijët dhe tu japësh buzëqeshje gjithmonë.
CMG: Cili është sekreti juaj që jeni në formë kaq të mirë fizike?
Naime Gjongecaj: Mendoj pozitiviteti, sado probleme që të kesh unë mendoj pozitivisht dhe e dashuroj jetën dhe veten. Shkoj në Tropojë dhe lahem me ujin e Valbonës.
CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Naime Gjongecaj: Ju dua shumë dhe jeni të mrekullueshëm. Dëshiroj veç të mira për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë dhe Zoti i bekoftë.
Intervistoi: Gazmend Agaj