Sot më shumë se gjithçka, nga cirku shqiptar ka mbetur kujtesa dhe fotografi që provokojnë kujtimet e Cirkut të dikurshëm të Tiranës.
Zanafilla e cirkut shqiptar nis në vitin 1929, kur disa artistë të huaj endacakë mbërritën në Tiranë dhe u bënë nxitësit e parë të një performance të re, diçka e ndërmjetme mes artit dhe sportit, që në botë njihej prej vitesh dhe quhej cirk.
Pionierët e parë të këtij arti në Shqipëri u shfaqën gjatë viteve 1932-’35, kryesisht në fushën e iluzionit dhe të ekuilibrit mbi tel. Me këtë risi lidhet edhe dalja në skenë e disa emra të rinjsh që tentojnë iluzionin, si Ali Duma, apo që mbajnë ekuilibrin në tela të tendosur nëpër shtylla e pa asnjë kusht sigurie siç ishte Ali Xhixha.
Në vazhdimësi numri i tyre u rrit dhe profilet ku ata luanin u zgjeruan, duke u pasuruar me numrat akrobatikë, numrat ajrorë, ato me kafshë, kllounë e xhonglerë.
Megjithatë, nëntori i vitit 1959 shënon lindjen e Cirkut Shqiptar dhe kjo datë lidhet me shfaqjen e parë të mirëfilltë, të titulluar ‘‘Shkopi Magjik’’. Nga kjo datë cirku ka shoqëruar jetën e kryeqytetasve por jo vetëm të tyren, pasi cirku zhvillonte turne të gjata nëpër Shqipëri duke mbledhur gjithnjë e më shumë adhurues pas vetes. Për vite me radhë cirku do të njihte kohë të arta dhe një publik që ndiqte me dëshirë artistë të njohur.
Janë një sërë figurash që ngritën në kult këtë art, si Ismail Reka, Abdyl Karakashi, Telat Agolli, Bajram Kurti, Bardhyle Jareci, Gjyzepina Prendi, Skënder Plasari e më vonë Arjan Miluka, Mynevere Disha, Vitore Rasha, Skënder Sallaku, Hamdi dhe Gjyslime Petrela, Bardha Alla e shumë të tjerë do të rroknin pothuajse çdo cep të Shqipërisë.
Arti i cirkut në Shqipëri është i pëlqyeshëm nga të gjitha moshat. Nuk ka një skenë, stadium apo shesh në Shqipëri ku artistët akrobatë nuk kanë luajtur dhe nuk kanë shfaqur aftësitë e tyre të rralla artistike. Ata gjithmonë janë duartrokitur fuqishëm nga shikuesit.
Në këtë rrugë të gjatë të rritjes, me vështirësi dhe suksese, artistët dhe drejtuesit e cirkut, këta njerëz që patën kurajon të kultivonin këtë gjini specifike, bënë të mundur që Shqipëria e vogël të kishte një vlerë të veçantë kombëtare artistike e kulturore.
Në mënyrë të natyrshme aktiviteti i Cirkut erdhi duke u zgjeruar nga viti në vit. Me shumë punë, pasion, përkushtim dhe simpatinë e publikut me vete, cdo shfaqje e cirkut ishte një kënaqësi më vete, sidomos për fëmijët. Ajo bërthamë e vogël fillestare e vitit 1952 kishte shpërthyer me të gjithë forcën, me të gjitha energjitë dhe me të gjitha ngjyrat, aq sa skena lindi nevoja për një skenë të re. Ekzekutimi i numrave me bambu, me biçikleta, me trapeza e me pedale, kërkonte krijimin e hapësirave dhe lartësive të reja për artistët akrobatë. Për artistët e cirkut u bë e mundur kalimi në një shtëpi të re.
Në vitin 1976 Cirku i Tiranës u bë me arenë të re, të bukur, moderne për kohën dhe me një numër më të madh vendesh për spektatorët. U shtua baza materiale, u blenë kafshë të reja dhe u rekrutua staf i ri. Por, më e rëndësishmja nga këto masa ishin dërgimi i një grupi artistësh për një specializim njëvjeçar në Kinë, në tetor 1975, pasi Kina kishte një eksperiencë dhe traditë të konsoliduar në këtë art kaq të dashur popullor. Periudhën më të sukseshme Cirku i Tiranës i pati deri në vitet 1990.
Cirku Kombëtar përfshin në repertorin e tij vlera nga cirku botëror, por gjithashtu edhe vlera tradicionale. Këto vlera pasqyrohen në ilustrimet muzikore, ritmet, veshjet dhe në një masë më të madhe në idetë dhe skenografitë e shfaqjeve.
Nuk është kaq e lumtur historia e viteve të fundit e Cirkut të Tiranës. Vështirësitë nisën që pas 1990, sidomos deri në vitin 2010, kur personeli i tij u reduktua. Duke parë vështirësitë e mbijetesës së tij, Programi i Kombeve të Bashkuara financoi disa aktivitete të cirkut në 2010.
Të gjithë e dimë ish vendndodhjen Cirkut të Tiranës: Tenda e tij gjigante ndodhej pranë Bulevardit Zogu I, afër qendrës së Tiranës. Por, cirku që për 70 vjet ka argëtuar pa fund fëmijët, sot nuk është më aty. Pronësia mbi truallin, për shumë vite është bërë molla e sherrit mes artistëve të cirkut dhe pronarëve të vjetër, duke vënë në provë shumë instanca të larta, si Ministrisë së Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve dhe Bashkinë e Tiranës për të gjetur një shtëpi të re për cirkun dhe për t’i dhënë artistëve vendin që i takon dhe për t’i kthyer qytetarëve një pjesë së historisë së tyre. Ndonëse akoma pa shtëpi, Cirku dhe punonjësit e tij janë në pritje të një strehe të re për publikun që pëlqen të argëtohet përmes sfidave të lartësive, ekuilibrit, xhonglimit, akrobacive, imazherisë, apo stërvitjes së kafshëve.
Prandaj shumë shpejt do të nisë puna për realizimin e projektit të shtëpisë së re, që mendohet të jetë shumë pranë Qendrës Kombëtare Kulturore të Fëmijëve, si dy institucione që japin e marrin me njëri-tjetrin. Në Tiranën e madhe sigurisht që ka vend edhe për cirkun e dashur të fëmijëve.
Neritana Kraja