Kryeministri kinez nxit shtimin e bashkëpunimit Kinë-Gjermani
2023-06-21 11:38:24

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kryeministri kinez Li Qiang tha të martën që Kina dhe Gjermania duhet të punojnë më nga afër, të japin më shumë kontribut për paqen dhe zhvillimin e botës, të luajnë rol stabilizues në një situatë në ndryshime të mëdha dhe të përshpejtojnë ndërtimin e një bashkësie me të ardhme të përbashkët të njerëzimit.

 

Kryeministri Li  i tha këto gjatë bashkëdrejtimit të konsultimit të 7-të ndërqeveritar Kinë-Gjermani me kancelarin gjerman Olaf Scholz.

 

Të dy krerët e qeverive dëgjuan raportet mbi gjendjen e bashkëpunimit Kinë-Gjermani nga drejtuesit e 22 departamenteve qeveritare, si punët e jashtme, ekonomia e tregtia, industria, financa, drejtësia, transporti, arsimi, shkenca e teknologjia, shëndetësia, mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi.

 

Li tha që konsultimi ishte efektiv e pragmatik dhe pati rezultate të frytshme. Në gjendjen e tanishme, të dy palët duhet të kapin mundësitë e transformimit të gjelbër dhe të promovojnë bashkëpunimin dypalësh.

 

Ai propozoi që Kina dhe Gjermania duhet të bëhen partnere në zhvillimin e gjelbër, të forcojnë komunikimin e bashkërendimin mbi çështjet e gjelbra dhe mjedisore, të nxisin zhvillimin e teknologjisë së energjisë së gjelbër dhe përmirësimin e teknologjisë industriale dhe të thellojnë bashkëpunimin në fusha të tilla si makinat me energji të reja, financat e gjelbra dhe tregjet e palëve të treta.

 

Kryeministri kinez shtoi më tej që Kina dhe Gjermania duhet të mbajnë një qëndrim pragmatik e të hapur për të arritur më shumë përfitime të ndërsjella. Sipas tij, të dy vendet duhet të forcojnë bashkëpunimin në qeverisjen ekonomike botërore, të sigurojnë qëndrueshmërinë e zinxhirëve ndërkombëtarë të industrisë e të furnizimit dhe të nxisin rimëkëmbjen sa më parë të ekonomisë botërore.

 

Foto nga Xinhua

Foto nga Xinhua

Kancelari gjerman Olaf Scholz vuri në dukje nga ana e tij që mekanizmi i konsultimit ndërqeveritar tregon rëndësinë e veçantë të marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve.

 

Gjermania është e gatshme të ruajë komunikimin e ngushtë me Kinën mbi të gjitha çështjet dypalëshe, duke përballuar së bashku sfidat globale, si ndryshimi klimatik, siguria ushqimore dhe problemet e borxhit.

 

Gjermania, sipas Scholzit, nuk synon të shkëputet nga Kina dhe është e gatshme të forcojë bashkëpunimin dypalësh e shumëpalësh me Kinën për të promuar zhvillimin dhe lulëzimin botëror.

 

Të dy palët ishin të një mendjeje që bashkëpunimi dypalësh ka bazë të fortë e gjallëri dhe se është në interes të të dy vendeve një bashkëpunim në një nivel më të lartë, standard më të lartë dhe cilësi më të lartë dhe ruajtja bashkërisht e qëndrueshmërisë së zinxhirëve globalë të industrisë e të furnizimit, gjë që ka rëndësi të madhe edhe për mbarë botën.

 

Të dy palët ranë gjithashtu dakord të ngrenë një mekanizëm dialogu e bashkëpunimi mbi ndryshimin e klimës dhe tranzicionin e gjelbër, të mbajnë Dialogun e 3-të Financiar të Nivelit të Lartë Kinë-Gjermani, si edhe edicionet e reja të Forumit Mjedisor Kino-Gjerman e dialogut shëndetësor, si edhe të vazhdojnë të thellojnë bashkëpunimin në fushat e ekonomisë e tregtisë, investimeve, prodhimit të makinave, teknologjisë së lartë, ekonomisë digjitale dhe shkencave humane.

Foto nga Xinhua

Foto nga Xinhua

 

Pas konsultimit, Li dhe Scholz dëshmuan nënshkrimin e një numri dokumentesh bashkëpunimi ndërmjet të dy palëve në fusha si përballimi i ndryshimit të klimës, risitë, prodhimi i përparuar e arsimi profesional, si edhe u takuan bashkërisht me mediet. (Jiang Lei)