Kryeministri kinez Li Qiang ka nisur të dielën një turne vizitash në Gjermani dhe Francë, udhëtimi i tij i parë jashtë vendit që nga marrja e detyrës.
Në Francë ai do të marrë pjesë në Samitin për një Pakt të Ri Global Financimi të iniciuar nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe do të ketë komunikim të thellë me palën franceze për forcimin e shkëmbimeve dhe bashkëpunimit në fusha të ndryshme, ndërsa Kina dhe Franca do të festojnë 60-vjetorin e lidhjeve diplomatike dypalëshe vitin e ardhshëm.
Për sa i përket bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar kino-francez, Franca ishte partnerja e katërt më e madhe tregtare e Kinës ndër vendet e BE-së në vitin 2022, me një vlerë të përgjithshme të tregtisë prej 72.740 milion eurosh, duke zënë 8.5 për qind të vëllimit të përgjithshëm të tregtisë Kinë-BE.
Në lidhje me eksportet e mallrave nga BE-ja në Kinë, Franca ishte eksportuesja e dytë më e madhe, me një vlerë 23.705 milionë euro.
Në fushën e shkëmbimeve kulturore, Franca është vendi i parë perëndimor që kryen shkëmbime rinore me Kinën dhe gjithashtu e para që ngriti një qendër kulturore të huaj në Kinë.
Kina mbeti një ndër vendet kryesore të origjinës për studentët e huaj në Francë gjatë vitit akademik 2020/21, kur 27 950 studentë nga Kina studiuan në Francë, duke zënë vendin e tretë, pas studentëve nga Maroku dhe Algjeria.
Vitin e ardhshëm, të dy palët do të bashkorganizojnë Vitin të Kulturës dhe Turizmit Kinë-Francë dhe do të mbështesin organizimin në të dy vendet të veprimtarive të cilësisë së lartë, veçanërisht midis Qytetit të Ndaluar e Pallatit të Versajës, si edhe midis Muzeut të Skelës Perëndimore të Shangait dhe Qendrës "Pompidu". Para pandemisë së COVID-19, Kina ishte burimi më i madh i turistëve aziatikë në Francë dhe Franca ishte vendi më popullor në BE për turistët kinezë. Më tepër se 2 milionë turistë kinezë e vizituan Francën më 2019.
Aktualisht, 111 çifte qytetesh dhe provincash kineze e franceze kanë vendosur marrëdhënie binjakëzimi. (Artan)