Zëdhënësja: Kina mbështet të gjitha përpjekjet për zgjidhjen paqësore të krizës së Ukrainës
2023-06-21 11:22:31

Foto nga MPJ

Kina mbështet të gjitha përpjekjet që shpien në zgjidhjen paqësore të krizës së Ukrainës dhe vlerëson rolin aktiv që Afrika e Jugut dhe vendet e tjera afrikane

kanë luajtur në këtë aspekt, tha të martën zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning.

Ajo i bëri këto komente në një konferencë të përditshme shtypi lidhur me pyetjen se si i shikon Kina përpjekjet e një delegacioni paqeje të udhëheqësve afrikanë që vizituan Ukrainën dhe Rusinë për të ndihmuar në ndërmjetësimin e krizës.

Delegacioni, i kryesuar nga presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa, përfshinte gjithashtu udhëheqës nga Senegali, Zambia, Komoret dhe Egjipti, si edhe të dërguar të nivelit të lartë nga Republika e Kongos dhe Uganda.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i ftoi shtetet afrikane të marrin pjesë në Samitin Global të Paqes gjatë një takimi me delegacionin të premten e kaluar.

Gjatë bisedimeve me delegacionin të shtunën, presidenti rus Vladimir Putin tha se Rusia vlerëson qëndrimin e ekuilibruar të vendeve afrikane për gjendjen në Ukrainë dhe dëshirën e tyre për të zgjidhur krizën.

Mao u shpreh se kjo pasqyron plotësisht zërin e përbashkët të bashkësisë ndërkombëtare për armëpushim dhe zbutje të krizës.

Faktet tregojnë se lufta dhe sanksionet nuk mund ta zgjidhin problemin, tha zëdhënësja, duke shtuar se dialogu dhe negociatat janë e vetmja rrugëdalje nga kriza e Ukrainës.

Kina është e gatshme të punojë me të gjitha palët, duke përfshirë vendet afrikane, për të krijuar kushte të favorshme për një zgjidhje politike të krizës, shtoi ajo.

Në maj, Li Hui, përfaqësues i posaçëm i qeverisë kineze në çështjet euraziatike, bëri një udhëtim pothuajse dyjavor në Ukrainë, Poloni, Francë, Gjermani, Bruksel e Rusi dhe u takua me udhëheqës ose diplomatë të lartë, duke shkëmbyer pikëpamje për zgjidhjen politike të krizës së Ukrainës.