"Sparks of Light", fiton në Bullgari çmimin “Producenti më i mirë i filmit ndërkombëtar”
2023-06-20 11:03:39


U mbajt më 11 qershor në Sofie të Bullgarisë në “Royal Hall of Sofia Balkan Palace” një ceremoni përmbyllëse e "Golden FEMI Film Festival" i cili mbahet nën patronazhin e zëvendëspresidentes së Bullgarisë.  Artistët shqiptarë  nga Kosova fituan çmimin "Producenti më i mirë për Filmin  Dokumentar" me "Sparks of Light", me regji nga Burim Haliti, dop- Michael  Stoeger, producente Ganimete Sava.

Në këtë edicion të Festivalit konkuruan 2828 filma nga 122 vende të botës.  Ky  film ka fituar 3 çmime ndërkombëtare, si dhe është shfaqur në disa vende të botës si, në Stamboll të Turqisë, në Zimbabve ku ka marrë çmimin “Dokumentari më i mirë International”, ndërsa në Shqipëri mori çmimin  “Dokumentari më i mirë Shqiptar” në Travel- Fest Albania në Tiranë, dhe së fundi në Bullgari fitoi çmimin “Producenti më i mirë”.   Në intervistë për Radio Ejani, producentja e filmit dokumentar “Sparks of Light” Ganimete Sava, tregon për eksperiencën e saj më të fundit, për çmimin e fituar në Bullgari.

CMG: Na tregoni = për filmin dokumentar “Sparks of light”?

Ganimete Sava: “Sparks of light” është një film dokumentar që është prodhuar në fund të vitit 2021 dhe ka bërë hapjen e Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “Art Without Limit International Film Festival” krijuar nga ekipi i këtij festivali. Ky film i shkurtër e portretizon jetën e  një personi me aftësi të kufizuara, një djalë i rrethit të Prishtinës, i cili nga një aksident i rëndë, që e ka lënë me afësi ndryshe, ka arritur që ta gjejë veten nëpërmjet artit dhe skulpturës  që punon. Gjithashtu ai shkruan edhe poezi. Ai ka qenë i pashkolluar për shkak të kushteve fizike e teknike, por ka arritur që t’i thyejë të gjitha barrierat e të jetë shumë i suksesshëm   dhe motivues. Ne e kemi paraqitur jetën e tij në këtë film dhe ka dalë një film shumë i bukur, i suksesshëm dhe interesant.

CMG: Ku është shfaqur ky film?

Ganimete Sava: Filmi është shfaqur në Kosovë në “Doku Fest” në “Film Fest”, gjithashtu në Suedi dhe në Turqi, si dhe ka fituar çmimin “Dokumentari më i mirë” në Zimbabve,“Dokumentari më i mirë Shqiptar” në Travel- Fest Albania dhe së fundi ky film ka fituar çmimin “Producenti më i mirë i filmit ndërkombëtar” për filmat me metrazh të shkurtër. Këtë  çmim e kam fituar unë si producente në Sofje të Bullgarisë në "Golden FEMI Film Festival". Këto janë sukseset e filmit, i cili do të vazhdojë sërish shfaqjen e tij edhe në vende të tjera  të botës. Për ne ky është një çmim mjaft interesant, si edhe është një shtytje për të vazhduar përpara.

Drejtoresha Ekzekutive e Festivalit “Art Without Limit Award”, Ganimete Sava ka fituar mjaft çmime ndërkombëtare. Si producente e filmit dokumentar “Sparks of Light”  me regji nga Burim Haliti fituan çmimin kryesor  si  “Filmi më i mirë Dokumentar në kategorinë Ndërkombëtare” në edicionin e 22-të të filmit International Film Zimbabve 2022, ndërsa së fundi për të njëjtin film ajo u nda me çmimin “Producenti më i mirë i filmit ndërkombëtar” në Sofje të Bullgarisë.

Intervistoi:  Sava Lena