Kryeministri kinez kërkon të mos barazohet ndërvarësia me pasigurinë
2023-06-20 14:47:49

Kryeministri kinez Li Qiang u kërkoi të hënën qarqeve gjermane të biznesit të mos barazojnë ndërvarësinë me pasigurinë.

Foto:Xinhua

Në një seminar të zhvilluar në Berlin me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të kompanive gjermane, si "Siemens", "Volkswagen", "Mercedes-Benz", BMW, "Schaeffler", BASF, "Covestro", "Wacker Chemie", "Merck", SAP dhe "Allianz", kreu i qeverisë kineze tha se ndërmarrjet duhet të kthehen në vendin drejtues për sa i përket parandalimit të rrezikut, gjë që nuk është kundër bashkëpunimit.

Pjesëmarrësit në seminar zhvilluan shkëmbime të hapura, të sinqerta e të thella mendimesh mbi çështje si situata e tanishme ekonomike dhe politike ndërkombëtare, zhvillimi ekonomik i Kinës, perspektivat e zhvillimit të ardhshëm teknologjik dhe lëvizjet e iniciuara nga disa vende për "çrrezikim" dhe "ulje të shkallës së varësisë".

Pasi dëgjoi fjalimet e përfaqësuesve, kryeministri kinez tha se komunikimi ballë për ballë mund të thellojë mirëkuptimin dhe besimin mes njerëzve. “Në një botë të trazuar dhe në transformim e sipër, sa më serioze dhe e ndërlikuar është situata, aq më e nevojshme është të mendosh me qetësi dhe të gjesh sigurinë mes faktorëve të pasigurt,” theksoi Li.

Ai bëri thirrje për ndjekjen aktive të ligjeve objektive dhe të prirjes së kohëve, veçanërisht prirjes historike të globalizimit ekonomik, prirjes së përgjithshme të përparimit afatgjatë të ekonomisë kineze dhe prirjes së madhe të bashkëpunimit me leverdi të ndërsjellë ndërmjet Kinës dhe Gjermanisë.

Duhet të forcohet besimi për të kapërcyer vështirësitë, theksoi Li, duke bërë thirrje për përshpejtimin e rimëkëmbjes së ekonomisë botërore nëpërmjet hapjes dhe bashkëpunimit.

Duke vënë në dukje se është e kuptueshme që të gjitha palët kanë shqetësimet e tyre për siguri, kryeministri kinez tha se ajo që është e rëndësishme është të përcaktohen në mënyrë të arsyeshme rreziqet dhe të sigurohet ruajtja prej tyre.

Foto:Xinhua

Kryeministri kinez Li Qiang takohet me presidentin gjerman Steinmeier(Foto:Xinhua)

Nëse nuk trajtohen siç duhet, rreziqet mund të çojnë në probleme më të mëdha, tha ai, duke shtuar se ndërmarrjet kanë një ndjenjë të mprehtë të rreziqeve dhe dinë t'i shmangin ato. Ndërmarrjet duhet të kthehen në vendin drejtues për sa i përket parandalimit të rrezikut.

Sipas tij, mosbashkëpunimi është rreziku më i madh dhe moszhvillimi është pasiguria më e madhe. Me anën e globalizimit, ekonomia botërore është bërë e ndërlidhur, gjë që kërkon një këndvështrim dialektik për varësinë.

Kjo do të thotë të shmanget teprimi i shkallës së varësisë dhe të mos barazohet ndërvarësia me pasigurinë, shtoi numri një i qeverisë kineze. Për sa u përket disa problemeve specifike, Li u kërkoi të gjitha palëve t'i analizojnë rast pas rasti dhe t'i parandalojnë bashkërisht ato, duke i zgjidhur nëpërmjet konsultimeve dhe bashkëpunimit.

Li shprehu shpresën se sipërmarrësit nga të dy vendet do të ndjekin prirjen e kohës dhe do të vazhdojnë të zbatojnë parimet e hapjes, përfshirjes dhe bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta, duke ruajtur qëndrueshmërinë e zinxhirëve industrialë e të furnizimit me anën e bashkëpunimit praktik me cilësi dhe nivel të lartë.

Kryeministri kinez bëri thirrje gjithashtu për shfrytëzimin e mundësive dhe ndërmarrjen e veprimeve të menjëhershme për të nxitur më shumë rezultate në bashkëpunimin në fusha si risitë dhe zhvillimi i gjelbër me lëshim të ulët karboni, duke i shtuar interesat e përbashkëta të të dy vendeve.

Ai shprehu gjithashtu shpresën që sipërmarrësit e të dy vendeve do të vazhdojnë të shërbejnë si ambasadorë të miqësisë kino-gjermane dhe të japin një kontribut më të madh për shtimin e mirëqenies së njerëzve, zhvillimin e lidhjeve dypalëshe dhe bashkëpunimin miqësor.

Duke theksuar që Gjermania dhe Kina janë partnere të ngushta bashkëpunimi, përfaqësuesit e biznesit gjerman thanë se, me thellimin e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar ndërmjet të dy vendeve, janë arritur suksese të mëdha. Për të eliminuar rreziqet, është e nevojshme të forcohet bashkëpunimi ndërkombëtar, ndërsa shkëputja nuk do të funksionojë, theksuan ata, duke shtuar se qarqet gjermane të biznesit janë optimiste për perspektivën e ekonomisë kineze dhe kanë besim te Kina.

Foto:VCG

Foto:VCG

Duke shprehur besimin që Kina do t'i përmbahet hapjes, ata thanë se janë të gatshëm të vazhdojnë të rrisin investimet në Kinë dhe të eksplorojnë më tej tregun kinez.

Ata vunë në dukje gjithashtu se janë të gatshëm të thellojnë më tej bashkëpunimin gjermano-kinez në përballimin e ndryshimeve klimatike, forcimin e aftësive kërkimore dhe përparimin e transformimit digjital, në mënyrë që të arrihen prodhimi në Kinë, kërkimi e zhvillimin me Kinën dhe përfitimet e ndërsjella me Kinën.(Zhang Yan/Artan)