Kryediplomati: Zhvillimi i Kinës, mundësi e jo kërcënim për Gjermaninë
2023-06-20 12:58:41

Foto nga VCG

Zhvillimi i Kinës është një mundësi e jo një sfidë a kërcënim për Gjermaninë dhe të dy vendet duhet të bashkëpunojnë e jo t'i kundërvihen njëri-tjetrit, tha të hënën këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Qin Gang.

Gjatë një bisedë telefonike me homologen e tij gjermane Annalena Baerbock, Qin Gang i cilësoi Kinën dhe Gjermaninë partnere të rëndësishme bashkëpunimi dhe vuri në dukje se të dy palët kanë marrëdhënie shumë të ngushta.

Duke vënë në dukje se kryeministri kinez Li Qiang po bën një vizitë zyrtare në Gjermani dhe do të bashkëkryesojë këshillimin e shtatë ndërqeveritar Kinë-Gjermani me kancelarin gjerman Olaf Scholz të martën, kryediplomati kinez shprehu besimin se këshillimi do të jetë një sukses i plotë me përpjekjet e përbashkëta të të dy palëve.

Kina ndjek një politikë të jashtme të pavarur e paqësore dhe një strategji hapjeje me përfitime të përbashkëta, tha Qin, duke shtuar që, duke ruajtur së bashku parimet e respektit të ndërsjellë, duke kërkuar të përbashkëtat e duke lënë mënjanë dallimet, si edhe nëpërmjet shkëmbimeve, mësimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta, Kina është e gatshme të punojë me Gjermaninë për të nxitur zhvillimin e shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

Ai u kërkoi të dy palëve të mbështesin së bashku globalizimin ekonomik, t'u kundërvihen shkëputjes dhe ndërprerjes së zinxhirëve industrialë e të furnizimit, të praktikojnë multilateralizmin e vërtetë, të mbrojnë paqen e qëndrueshmërinë rajonale e botërore dhe të sjellin më shumë qëndrueshmëri, siguri e konstruktivitet në botë.

Qin shtoi se ministritë e jashtme të të dy vendeve do të vazhdojnë të luajnë një rol të përgjithshëm bashkërendues në marrëdhëniet dypalëshe, do të thellojnë shkëmbimet e dialogun në të gjitha nivelet, do të forcojnë komunikimin e bashkërendimin në çështjet ndërkombëtare e rajonale dhe do të bashkëpunojnë për të trajtuar sfidat globale si ndryshimi i klimës.

Nga ana e saj, Baerbock tha se Gjermania është e gatshme të punojë me Kinën për të nxitur suksesin e vizitës së kryeministrit Li dhe të këshillimit ndërqeveritar.

Gjermania ndjek politikën e "Një Kine" dhe është e gatshme për shkëmbime më të ngushta dhe shtimin e vizitave të ndërsjella me Kinën në të gjitha nivelet, të thellojë komunikimin, të shtojë mirëkuptimin dhe të forcojë bashkëpunimin në fusha të tilla si ekonomia dhe tregtia, reagimi ndaj ndryshimeve klimatike, zhvillimi i gjelbër dhe shkëmbimet njerëzore, tha ajo.

Të dy palët shkëmbyen gjithashtu pikëpamje mbi krizën e Ukrainës dhe ranë dakord të vazhdojnë të ruajnë komunikimin.