Konkursi Ura Kineze -- Instituti Konfuci ne Tirane
Instituti “Konfuci” i Tiranës ka një veprimtari 10 vjeçare pranë Universitetit të Tiranës, në fokus të së cilës është promovimi i gjuhës dhe kulturës kineze.
Erion Malaj Drejtor i Institutit Konfuci thotë se “Ky aktivitet zhvillohet për të disatën herë në Institutin “Konfuci”. Në këtë edicion janë 8 konkurrentë, të cilët garojnë për çmimin e parë dhe të dytë dhe për të përfaqësuar Shqipërinë në Kinë. Kompeticioni ndërkombëtar “Chinese Bridge” zhvillohet në të gjithë botën në të njejtën kohë, kryesisht në qershor dhe dy fituesit më pas marrin pjesë në garën ndërkombëtare që zhvillohet në Kinë, ku secili përfaqëson vendin e tyre. Jemi shumë krenarë për studentët, të cilët kanë arritur një nivel të lartë të gjuhës dhe të njohurive mbi kulturën kineze “
Konkursi me temë “Një botë, një familje” shfaqi para të pranishmëve aftësitë e studentëve në njohjen e gjuhës kineze, përgjigjet e tyre ndaj pyetjeve lidhur me historinë, gjeografinë, kulturën dhe zhvillimin e Kinës, si dhe shpalosi talentet e garuesve në muzikë, artin marcial kinez taichi, pikturë dhe recitim.
I ngarkuari me pune ne Ambasaden e Kines ne Shqiperi ne konkursin Ura Kineze ne Tirane
I ngarkuari me punë i Ambasadës së Kinës në Shqipëri Wang Dexin në fjalën përshëndetëse shprehu falënderime për përpjekjet e Universitetit të Tiranës dhe të Institutit "Konfuci" për promovimin e kulturës kineze dhe për lidhjet ndërmjet të dy popujve, si edhe paraqiti arritjet historike të ekonomisë kineze në dekadën e fundit. Ai u shpreh që hapja e gjithanshme e Kinës ka nevojë për shkëmbimet mes qytetërimeve të ndryshme, për eksplorimin e rrugëve të reja të zhvillimit paqësor me përfitime, ndërtim e ndarje të përbashkët, si edhe për pjesëmarrjen e më shumë talenteve ndërkombëtare.
“Shpresojmë që miqtë e rinj shqiptarë të hapin portat e qytetërimit kinez me gjuhën kineze si ‘çelës i artë’. Ju mirëpresim të vini në Kinë, ta shikoni Kinën, të kontaktoni me të rinjtë kinezë dhe të jepni kontributin tuaj për thellimin e shkëmbimeve kulturore dhe trashëgimin e miqësisë tradicionale ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë,” u shpreh i ngarkuari me punë i ambasadës kineze në Shqipëri.
Iskra, Admiri, Henri, Brikena, Ismaili, Xhulia, Alesia dhe Klajdi, studentët konkurrues, duke kaluar 3 fazat e garës shfaqën para jurisë njohuritë e tyre për gjuhën dhe kulturën kineze.
Pas fazës së parë të konkursit studentët në garë treguan emocionet e tyre
Pjesemarres ne konkursin Ura Kineze - Instituti Konfuci ne Tirane
CMG: Çfarë është ky konkurs për ty?
Henri: Konkursi “Ura kineze” është një eksperiencë e madhe për ne për të testuar aftësitë tona në gjuhën kineze. Shpresoj të arrij një rezultat sa më të lartë.
CMG: Cilat janë arritjet e tua në kinezisht?
Henri: Kam arritur goxha, por kam akoma rrugë për të bërë. Nuk e kemi mbyllur procesin e të mësuarit. Aktualisht jam i kënaqur me arritjet.
CMG: Xhulia, studente e nivelit të katërt të kinezishtes, a keni emocione për konkursin?
Xhulia: Po, kam shumë emocione dhe besoj u vunë re gjatë performancës.
CMG: Me çfarë konkuruat në njohjen e kulturës kineze?
Xhulia: Me një pikturë të inspiruar nga Opera e Pekinit sepse më ka pëlqyer kur e kam parë.
CMG: Do të vazhdosh studimin më tej të kinezishtes?
Xhulia: Po. Unë e kam nisur kinezishten për arësye kulturore. Kur e kam dëgjuar si gjuhë për herë të parë në një film më ka pëlqyer shumë dhe vendosa ta mësoj
CMG: Një tjetër studente në konkurrim është Brikena. Si u paraqitët në këtë garë:
Brikena: Konkursi u organizua në tre faza.Në fazën e parë secili konkurrent paraqiste një fjalim prezantues në kinezisht. Faza e dytë ishin pyetjet e drejtuara nga juria, ndërsa faza e fundit quhet “Arti kinez”, ku secili konkurrent performoi në poezi, këngë apo pikturë. Unë konkurrova me një poezi, e cila është një thirrje që u bëhet të rinjve kinezë për të zhvilluar vendin.
Konkursi Ura Kineze Instituti Konfuci ne Tirane
CMG: Do të vazhdosh studimin e kinezishtes? Ke dëshirë të studjosh në Kinë?
Brikena: Po, si të gjithë ne. Kam dëshirë të shkoj në Kinë dhe të vazhdoj studimet atje.
CMG: Admiri është 18 vjeç, nxënës në vitin e fundit të shkollës së mesme. Përse studion ai kinezisht?
Admiri: Kina ka qenë gjithmonë një ëndërr për mua që fëmijë. Doja ta ndiqja ëndrrën dhe shpresoj që sot do të caktohet sa do të vazhdojë ëndrra ime. Por nuk do të dorëzohem.
Performues ne konkursin Ura Kineze - Instituti Konfuci ne Tirane
CMG: Për çfarë ke dëshirë të studiosh në Kinë?
Admiri: Për menaxhim biznesi. E ardhmja do të flasë
Juria e përbërë nga i ngarkuari me punë i Ambasadës së Kinës Wang Dexin, CEO i Kompanisë “Bankers Petroleum” Xiao Huanqin, përfaqësuesi i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë Sotiraq Xharo, përfaqësuesja e Shoqatës së Studentëve Shqiptarë në Kinë Ema Reçi dhe sekretari i dytë i Ambasadës së Kinës Zhu Zhixue, ndoqi me interes performancën e studentëve në kinezisht.
Një njohës i mirë i gjuhës shqipe, sekretari i dytë i Ambasadës së Kinës Zhu Zhixue vlerëson aftësitë e studentëve shqiptarë
“Të gjithë konkurrentët kanë treguar një performancë shumë të mirë. Pavarësisht se kanë nivele të ndryshme në njohuritë e gjuhës dhe kulturës kineze të gjithë kanë treguar shumë pasion dhe aftësi për të mësuar. Kam urimet më të mira për ta. Shpresojmë që ata në të ardhmen të shkojnë në Kinë për ta njohur më mirë”
Edhe këtë vit Konkursi “Ura kineze” u sponsorizua nga kompania kineze e naftës “Bankers Petroleum”. Presidenti i kompanisë Xiao Huanqin i përgëzoi studentët shqiptarë për njohuritë e tyre të gjuhës dhe kulturës kineze dhe siguroi mbështetjen e veprimtarisë së Institutit Konfuci.
Gjatë konkursit studentë të tjerë të këtij Instituti prezantuan për publikun e pranishëm këngë në kinezisht, recitime dhe artin marcial taichi.
Juria shpalli fitues studentët Iskra Kondi dhe Admir Çekrezi, të cilët do të përfaqësojnë Shqipërinë në Konkursin final “Ura Kineze” në Pekin, ku garojnë finalistët e konkurseve nga vende të ndryshme të botës.
Konkursi Ura Kineze - Instituti Konfuci Tirane
CMG: Iskra si ndjehesh si fituese e konkursit?
Iskra: Akoma jam e emocionuar. Besoj se kjo fitore kurorëzoi jo vetëm dy muaj të përgatitjeve për këtë konkurs, por dhe dy vite e gjysmë që kam qenë pjesë e Institutit “Konfuci” dhe kam studiuar kinezisht.
CMG: Do të përfaqësosh Shqipërinë në konkursin final “Ura Kineze” që do të zhvillohet në Kinë. Ke emocione?
Iskra: Kjo vijon. Konkursi u zhvillua në rang kombëtar dhe ndërkombëtar. Jam e sigurtë që do të më duhet të përgatitem mbase 10 herë më shumë për konkursin ndërkombëtar.
Programi i Konkursit të Aftësisë së gjuhës dhe kulturës kineze "Ura Kineze" për Studentët e Huaj është një konkurs ndërkombëtar në shkallë të gjerë i organizuar nga Selia Qendrore e Institutit Konfuci (Hanban). Që nga fillimi i tij në 2002, kjo ngjarje vjetore është mbajtur 11 herë dhe ka tërhequr më shumë se 1000 studentë nga mbi 80 vende për të marrë pjesë në gjysmëfinale dhe finale në Kinë. Ky konkurs është tani një platformë e rëndësishme për studentët e kolegjeve ndërkombëtare për të mësuar gjuhën kineze dhe për të njohur më shumë Kinën. Përmbajtja e konkursit përfshin njohjen e gjuhës kineze, njohuri për Kinën, talentet kulturore kineze dhe aftësitë e të mësuarit gjithëpërfshirës. Studentët që fitojnë raundet paraprake të zhvilluara në vendet e tyre kualifikohen për të shkaur në Kinë për gjysmëfinale dhe finalen e Konkursit “Ura kineze.
Eda Merepeza