Përmirësohen financat vendore
2023-06-20 17:36:11

Më 8 qershor 2023, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”.

Ligji i ri synon të forcojë miradministrimin e financave të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe të ulë stokun e detyrimeve të prapambetura të 61 bashkive të vendit.

Ai parashikon që llogaritja e vështirësisë së gjendjes financiare të bashkive të mos bëhet më mbi bazë të planifikimit të të ardhurave, por mbi bazë të realizimit faktik të tyre. Kjo mundëson që të ndihmohen ato bashki me probleme reale të ndjeshme të financave të tyre.

Po ashtu, ligji propozon një mekanizëm të ri, i cili do të orientojë njësitë e vetëqeverisjes vendore në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura në një kohë sa më të shkurtër.

Me anë të reformës administrativo-territoriale, qeveria shqiptare ka synuar mirëqeverisjen ne nivel te pushtetit vendor. Reformimi dhe modernizimi i financave publike vendore mori një dimension të ri zhvillimi, pas miratimit dhe fillimit të zbatimit të kësaj reforme.

Pjesë e saj ishte edhe ligji “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, i cili u miratua në vitin 2017 dhe synonte disiplinimin financiar të bashkive. Zbatimi i këtij ligji është reflektuar edhe tek transparenca dhe llogaridhënia e 61 bashkive, që kanë sjellë rritje të përgjegjshmërisë së njësive vendore në ushtrimin e funksioneve te tyre.

Si rezultat, treguesit financiarë të bashkive janë përmirësuar ndjeshëm. Të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore janë dy herë më të larta, në krahasim me shtatë vite më parë, me vitin 2015. Ndërkohë, investimet vendore nga të ardhurat e pushtetit vendor janë 3 herë më të larta, krahasuar me 2015-ën.

Përmirësimi i financave vendore në shtatë vitet e fundit ka sjellë tre dobi të dukshme për qytetarin përfitues të shërbimeve bashkiake. Së pari, rritja e efiçiencës në administrimin e financave vendore ka sjellë më shumë cilësi në ofrimin e shërbimeve të të 61 bashkive ndaj qytetarëve të rajoneve të tyre. Është ulur pabarazia midis njësive të vetëqeverisjes vendore, ndërkohë që burimet financiare në dispozicion, kryesisht nëpërmjet transfertave, janë rritur.

Së dyti, në këto shtatë vite shtim të ndjeshëm të të ardhurave të bashkive nga vjelja e taksave dhe tarifave vendore, u arrit që për vitin 2022, të ardhurat e tyre vetjake në tërësi të jenë më të medha nga transfertat e pushtetit qendror. Kështu, sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, vetëm gjatë vitit 2022, të 61 bashkitë e vendit kanë siguruar të ardhura nga vjelja e taksave vendore në nivelin e 30.9 miliardë lekëve ose rreth 300 milionë euro, ndërkohë që transfertat e pushtetit qendror ishin në nivelin 29.8 miliardë lekë, ose 282 milionë euro.

Të ardhurat vetjake më të shtuara kanë ulur varësinë e bashkive nga fondet e pushtetit qendror dhe kanë rritur autonominë e tyre. Tani bashkitë kanë më shumë mundësi të vendosin vetë për investimet kapitale që u duhen në territoret e tyre.

Së treti, ulja e detyrimeve të prapambetura të bashkive, pra borxheve që ato kanë ndaj të tretëve, nga 126 milionë euro në vitin 2015 në 53 milionë euro për vitin 2022, është e dukshme në shtatë vitet e fundit. Bashkitë në tërësi i kanë ulur borxhet e tyre në këtë periudhë, me më shumë se gjysma, pra me 60 përqind.

Kjo u ka lejuar atyre një pozicion më të mirë financiar dhe mundësi për të marrë kredi bankare(sidomos bashkitë e mëdha), për të plotësuar fondet që u nevojiten për investimet e tyre kapitale.

Në tërësi, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ndërmarrë masa të rëndësishme për mbështetjen e reformave decentralizuese, duke kontribuar direkt në autonominë financiare të qeverisjes vendore, nëpërmjet konsolidimit të kuadrit ligjor të menaxhimit financiar në nivel vendor.

Një nga drejtimet themelore të reformës administrative territoriale të Shqipërisë është shndërrimi i mënyrës se si qeverisen financiarisht të 61 bashkitë tona, duke përmirësuar vjeljen e te ardhurave vendore dhe modernizuar menaxhimin e financave publike vendore. Në përgjithësi, treguesit financiarë të shumicës së 61 bashkive në Shqipëri, dëshmojnë për një reformë të suksesshme administrativo-territoriale.

Decentralizimi dhe fuqizimi i qeverisjes vendore mbetet një prioritet për qeverinë shqiptare, pasi përmes tij sigurohet përmirësimi i jetës së qytetarëve në komunitetet ku jetojnë, ndërkohë që atyre u garantohen shërbime më cilësore nga pushteti vendor.