Shkrimtari kroat Miljenko Jergoviç, prezanton romanin e tij në shqip në Tiranë
2023-06-19 11:34:36

Shkrimtari kroat me origjinë boshnjake Miljenko Jergoviç  ishte i pranishëm në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit për të prezantuar librin e tij në shqip "Serda këndon në muzgun e Ditës së Rrëshajave", botimet Dituria.

Miljenko Jergoviç, një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të rajonit, erdhi në një bisedë me botuesin e tij Petrit Ymeri dhe përkthyesin Xhelal Fejzo, mbi letërsinë, Ballkanin, historinë, bashkëkohësinë, gjuhën, lexuesit dhe tema të ndjeshme të raporteve mes kulturave dhe fqinjëve.

Ngjarja qendrore në këtë roman është vrasja e Serda Kapurovës, një vajzë, me moshë dhe kombësi të papërcaktuar, që, edhe pas shumë hetimesh, nuk bëhen të ditura. Serda kërcen dhe këndon në një prej kryqëzimeve të Zagrebit, ku drita e kuqe në semafor zgjat 90 sekonda. Me këngët dhe vallëzimin e saj të çuditshëm, vajza shkakton grindje dhe buzëqeshje te njerëzit dhe shoferët që kalojnë atypari, por fiton edhe ndonjë të hollë prej tyre.

Historia në roman është treguar nga pesë kënde të ndryshme: pesë personazhe, me historitë e jetës që të bëjnë për vete dhe që janë të lidhura me Serda Kapurovën. Cili prej tyre e ka përdhunuar, mbytur dhe lënë në një banesë të zbrazët të Zagrebit?

Takimi me shkrimtarin erdhi pas botimit të librit nga Shtëpia Botuese Dituria, libër që është pritur mjaft mirë prej lexuesve.

Të pranishmit në takim vlerësuan diskutimet e shkrimtarit kroat, të vlerësuar me shumë çmime letrare, rreth disa çështjeve, letërsisë së rajonit, shkëmbimeve letrare mes fqinjësh, njohjes dhe leximit të njëri-tjetrit, gjuhëve amtare dhe gjuhës së “përkthimit’, dominimit apo jo të letërsisë së gjuhëve të mëdha (në kuptimin e numrit të përdoruesve), politikave kulturore në ndihmë të leximit nga ana e shtetit etj. Temat ishin jo vetëm informuese por edhe “pretekst” për rrahje mendimesh dhe sidomos përvojash mes shkrimtarëve, kritikëve, studiuesve, apo thjehst lexuesve dhe dashamirësve të librit.

Në takim, krahas fjalës së shkrimtarit, mjaft interesante ishin edhe diskutimet e përkthyesit Xhelal Fejza, njohës shumë i mire i gjuhëve sllave, përkthyes i librit në fjalë.

Takimin e hapi drejtorja e QKLL Alda Bardhyli dhe u pasua nga fjala e botuesit Petrit Ymeraj.

Jergoviç u lind dhe u rrit në Sarajevë, ku u diplomua për filozofi dhe sociologji në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Sarajevës.

Ai bëri debutimin e tij në skenën letrare më 1988 me përmbledhjen me poezi "Observatori i Varshavës". Është autor i shumë veprave në prozë, poezi, dramë, si dhe i shumë eseve, ndërkohë punon si gazetar dhe kolumnist.

Koleksioni i tij i parë, më i famshëm dhe më i suksesshëm i tregimeve të shkurtra rreth jetës kaotike të përditshme në Bosnjë dhe Hercegovinën e shkatërruar nga lufta - "Sarajevo Marlboro" (1994), i dha atij njohje ndërkombëtare. Ai ka botuar deri tani rreth 30 libra, proza dhe poezia, të cilat janë përkthyer në shumë gjuhë.

Neritana Kraja