Ardit Selmanaj, kuzhinieri që do të hapë restorantin e tij në Firence
2023-06-19 11:47:59


Ardit Selmanaj ne kuzhine 

Ardit Selmanaj jeton dhe punon prej shumë vitesh në Firence të Italisë Ai është larguar nga Shqipëria në moshën 17 vjeçare dhe në Firence ka kryer shkollën e kuzhinës. Më vonë Arditi nisi të ushtronte profesionin e kuzhinierit dhe fitoi eksperiencë të madhe me mbështetjen e mjeshtrave të kuzhinës italiane, ndaj sot është kuzhinier i njohur dhe me eksperiencë. Së shpejti ai do të hapë restorantin e tij Degus në qendër të Firences. Në një intervistë për Radio Ejani Arditi tregon për integrimin në Itali si dhe pasionin për profesionin e kuzhinierit.

Ardit Selmanaj duke pregatitur nje pjate

CMG: Kur keni emigruar në Itali dhe në cilin qytet jetoni aktualisht?

Ardit Selmanaj: Në Itali unë kam emigruar në vitin 2010 kur kam qenë minoren. Kam qenë 17 vjeç, kur arrita në qytetin e Firences dhe që atëhere nuk kam ndryshuar kurrë qytet. Për mua Firence është qyteti më i bukur në botë.

CMG: Pse ju ka pëlqyer kaq shumë Firence?

Ardit Selmanaj: Firence për mua është gjithçka, sepse këtu kam ardhur që fëmijë dhe kam arritur të krijoj gjithçka, shoqërinë time dhe familjen e kam këtu. E tashmja dhe e ardhmja ime është këtu dhe nuk besoj se mund ta ndryshoj këtë qytet.

CMG: Si i kujtoni ditët e para në vendin fqinj dhe a ka qenë i vështirë integrimi në Itali?

Ardit Selmanaj: Kur kam adhur këtu normalisht kam qenë minoren dhe kanë qenë ditët më të vështira të jetës time. Dalëngadalë u integrova, fillova shkollën e kuzhinës dhe racizmin nuk e kam vuajtur kurrë në Firence dhe pse pjesën më të madhe të shoqërisë e kam italianë. Jam gjendur mirë që në fillim dhe nuk kam pasur probleme. Sigurisht që fillimi ka qenë i vështirë sepse një minoren në rrugët e Firences dhe të fillosh nga zero besoj se është shumë e vështirë, por mendoj se ja kam dalë.

CMG: Pse zgjodhët si destinacion Firencen dhe jo ndonjë qytet tjetër të Italisë?

Ardit Selmanaj: Kjo ndodhi sepse në Firence kam pasur motrën, që ka qenë me studime në këtë qytet. Pastaj me ndihmën e dy kushërinjëve të mi, që kur kam ardhur kanë qenë shtysa ime më e madhe dhe më janë gjendur në ditët më të vështira të jetës time. Faleminderit atyre që jam sot këtu ku jam.

CMG: Prej vitesh ushtroni profesionin e kuzhinierit në Itali. Kur nisi pasioni për kuzhinën?

Ardit Selmanaj: Normalisht pasioni lindi kur erdha në Itali sepse duke parë që Italia është djepi i kulinarisë dhe mendoj se është vendi i parë në botë për shijen, kuzhinën dhe shumë kultura të tjera. Kështu që pasioni për këtë profesion më lindi këtu në Firence.

CMG: A ja vlen të punosh kuzhinier në Itali?

Ardit Selmanaj: Kjo është një pyetje e bukur, sepse të bësh kuzhinierin në radhë të parë duhet ta kesh pasion, se nëse e bën si punë besoj që është shumë e lodhshme, por në qoftë se e ke pasion atë lodhjen nuk e ndjen më. Mendoj se të gjitha i harron kur e bën me dashuri dhe me pasion. Unë e kam zgjedhur vetë këtë punë dhe nuk e kam quajtur kurrë punë, është shumë impenjative por kur ke pasionin të gjitha i harron.

CMG: E vizitoni shpesh Shqipërinë dhe për çfarë ju merr malli më shumë për vendlindjen tuaj, Vlorën?

Ardit Selmanaj: Unë jam nga lagjia Çole, lagjia më e njohur e Vlorës dhe më nungon shumë lagjia ime sepse aty kam lindur, jam rritur dhe kam kujtimet më të bukura të jetës time me shokët e mi në lagjie, që janë kujtime të paharruara. Unë nuk vij shumë shpesh, por kur kam mundësi mundohem të shkoj dhe të kaloj kohën atje.

CMG: Miqve tuaj italianë ia keni rekmanduar Vlorën si destinacion turistik për pushime?

Ardit Selmanaj: Patjetër që po. Unë jam krenar që jam shqiptar dhe nga Vlora. Publicitetin më të bukur si mos t’ja bëj qytetit tim. Normalisht shumë miq të mi italianë kanë shkuar në Shqipëri, në Vlorë, Sarandë, Dhërmi ku kanë ngelur super të kënaqur. Të gjithë italiantët që kam njohur dhe që më kanë thënë se kanë shkuar në Shqipëri kanë mbetur të kënaqur. Besoj se Shqipëria ka bërë hapa shumë interesante dhe është një vend i mrekullueshëm për vizitorët e huaj.

Ardit Selmanja 

CMG: A do të hiqje dorë nga kuzhina për të ushtruar një profesion tjetër?

Ardit Selmanaj: Jetës kurrë nuk i dihet, kështu që si i thonë kurrë mos thuaj kurrë, por nëse do ishte një zgjidhje e imja besoj se jo. Nuk besoj se mund të hiqja dorë nga kuzhina sepse e dua shumë si profesion, e kam shumë qejf dhe e kam zgjedhur vetë. Kështu që nuk besoj se do hiqja dorë, por për rrethana të tjera edhe ndoshta.

CMG: Cila është pjata juaj e preferuar për të përgatitur?

Ardit Selmanaj: Kam shumë pjata të preferuara, por unë jam më shumë i fokusuar tek peshku. Prodhimet e peshkut i kam shumë qejf t’i gatuaj, makaronat me peshk, salmoni është peshku që më pëlqen më shumë, toni, peshku shpatë, oktapodi. Ka shumë pjata që i gatuaj me shumë qejf.

CMG: Aktualisht në cilin restorant punoni si kuzhinier në Firence?

Ardit Selmanaj: Historia ime është pak e gjatë sepse unë jam shpërngulur prej gati tre vjetësh nga Firence dhe kam qenë në Belgjikë. Jam kthyer para 20 ditësh dhe ideja ime është që të hap një lokal në qendër të Firences. Pas shumë sakrificave mendoj se ka ardhur momenti të hap diçka timen.

Spageti e pregatitur nga Arditi 

CMG: Keni pasione të tjera në jetë?

Ardit Selmanaj: Pasione kam shumë të them të drejtën, si sportin, më pëlqen shumë të udhëtoj, të mësoj nga të tjerët dhe të rrëmbej sa më shumë gjëra për të ardhmen time, më pëlqen kultura dhe muzika. Besoj se këto janë gjëra normale që mund t’i ketë gjithëkush.

CMG: Keni menduar të ktheheni ndonjë ditë në Shqipëri për të investuar?

Ardit Selmanaj: Të jem i sinqertë nuk e kam menduar, por jetës kurrë nuk i dihet dhe gjithçka mund të ndodhë. Unë tani po hap lokalin e parë këtu në Firence dhe emri i lokalit është Degus, një emër shumë tipik ku do ketë shumë gjëra interesante, diçka që mungon këtu në Firence. Kam dëshirë të hap një Degus tjetër edhe në Vlorë.

Gatime te Arditi

CMG: Do të keni specialitete të kuzhinës shqiptarë në restorantin tuaj?

Ardit Selmanaj: Për momentin jam i fokusuar tek shijet italiane dhe ato norvegjeze, sepse salmonin e kam pikë të dobët dhe kam qejf të sjell në Firence salmonin norvegjez të tymosur, që është një risi dhe jo gjithkund mund ta gjesh. Gjithashtu më pëlqen të provoj shije të reja dhe kjo gjë mund të jetë një mundësi për të risjellë shije shqiptare në Firence.

CMG: Kush ju ka mbështetur më shumë në rrugëtimin tuaj në lidhje me kulinarinë?

Ardit Selmanaj: Me kulinarinë jam me shumë fat sepse kam punuar me shumë mjeshtra të vërtetë italianë. Unë kam punuar gati 12 vjet në kuzhinë, përveç viteve të shkollës dhe kam punuar me shumë mjeshtra të kuzhinës italiane që në Itali janë shumë të njohur, por edhe në botë.

Pjate e pregatitur nga kuzhinieri Ardit Selmanja

CMG: Keni planifikuar të bëni pushime këtë verë apo do t’i përkushtoheni biznesit që do të hapni?

Ardit Selmanaj: Nuk kam bërë asnjë plan për pushime dhe për momentin planin e vetëm kam lokalin. Ndërkohë që në muajin shtator ose më vonë mbase do të kem mundësi për pushime.  

CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.

Ardit Selmanaj: Unë i përshëndes të gjithë dëgjuesit tuaj. Jam shumë i lumtur që mora pjesë në këtë intervistë dhe të falenderoj për këtë mundësi. Uroj që gjithë shqiptarët të cilët do të vijnë në Firence  të vijnë në Degus.

Intervistoi: Gazmend Agaj