Turneu i futbollit rural me nofkën "Cun Chao", që zhvillohet në kontenë Rongjiang të provincës Guizhou të Kinës Jugperëndimore, ka tërhequr vëmendjen e mediave, rrjetit social, madje edhe yjeve të futbollit botëror. Fshatarë nga të gjitha profesionet dhe sferat e jetës shënojnë gola me një performance mahnitëse, duke i shtuar më shumë ngjyra konkurrencës unike dhe argëtuese me elementët kulturore të kombësive të ndryshme lokale.
"Cun Chao" në Rongjiang, provincë Guizhou(Foto:VCG)
Mund ta merrni me mend se cila është gara më e njohur e futbollit në Kinë për momentin? Por nëse keni menduar se është Super Liga Kineze, duhet të provoni edhe një herë.
Falë atmosferës festive dhe realizimeve shpesh të rastësishme të golave të klasit botëror, një turne futbolli fshati në kontenë Rongjiang të provincës Guizhou të Kinës Jugperëndimore, ka tërhequr vëmendjen e mediave, rrjetit social dhe madje edhe të disa prej yjeve të futbollit jashtë vendit. Organizuar dhe luajtur nga banorët vendës, turneu i futbollit amator quhet "Cun Chao" nga përdoruesit kinezë të rrjetit social, që fjalë për fjalë do të thotë "Superliga e Fshatit".
Në platformën e rrjetit social kinez Weibo, e ngjashme me Twitter, hashtags dhe temat që lidhen me "Cun Chao-n" kanë patur mbi 200 milionë shikime, ndërsa disa video të veçanta kanë fituar miliona pëlqime në platformën e videos së shkurtër Douyin.
Madje "Cun Chao" tërhoqi vëmendjen edhe të Michael Owen, ish-futbollistit të famshëm britanik, i cili regjistroi një video për të shprehur mbështetjen e tij: "Dua të them urime për 'Cun Chao-n', për të gjitha sukseset tuaja si dhe të gjitha rezultatet e bukura që keni arritur. I uroj 'Cun Chao-s' gjithë të mirat për të ardhmen. Jam i sigurt që do të bëheni gjithnjë e më të mirë." - tha Owen.
Nga muaji maj deri në korrik të këtij viti, 20 ekipe nga konteja Rongjiang po marrin pjesë në turneun "Cun Chao", i cili zhvillohet nga e premtja deri të dielën e çdo jave. Të ndara në dy grupe, skuadrat do të konkurrojnë me turne dhe në fazat me eliminim, drejt finales së planifikuar më 29 korrik.
Lojtarët në këtë turne vijnë nga të gjitha sferat e jetës. Ata janë shitës, fermerë, kasapë, muratorë, mësues apo punëtorë fabrikash dhe nga grupe të ndryshme etnike si Miao, Dong, Shui, Han dhe Yao.
"Cun Chao" në Rongjiang, provincë Guizhou(Foto:VCG)
Me hyrje falas, mijëra spektatorë ndjekin çdo ndeshje në stadiumin e kontesë. Madje disa prej tyre ulen përdhe për shkak të mungesës së vendeve. Ndërsa disa tifozë të tjerë udhëtojnë mbi 1.000 kilometra për të parë sfidat e "Cun Chao-s".
Sipas statistikave të autoriteteve vendore, numri mesatar i shikuesve të çdo ndeshjeje të “Cun Chao-s” ka kaluar 10 mijë, duke e vënë atë në nivel me ligën profesioniste të vendit, Super Ligën Kineze (CSL). Por në “Cun Cao”, mund të shijohet jo vetëm magjia e sportit, por edhe kulturat e larmishme lokale.
Konteja Rongjiang është vatra e 15 grupeve etnike, me pakicat kombëtare që përbëjnë më shumë se 83% të popullsisë së saj prej 385.000 banorësh. Konteja ka 11 trashëgimi kulturore jomateriale kombëtare, si melodia popullore Dong dhe këndimi me Dong Pipa (një lahutë kineze me 4 tela).
Para nisjes së ndeshjeve, përfaqësuesit e tifozëve të çdo skuadre, të veshur me kostume tradicionale etnike, mbajnë mbi supe veshjet karakteristike lokale, luajnë llullën e kallamit dhe kërcejnë, duke hyrë në fushë së bashku me futbollistët. Spektatorët mund të shijojnë edhe shfaqjet e këngëve dhe valleve popullore gjatë pushimit mes dy pjesëve. Atmosfera është aq e nxehtë sa që komentatori i njohur kinez televiziv i sportit Han Qiaosheng u ngjit mbi një shkallë për të transmetuar. Han theksoi se pavarësisht pjesëmarrjes së tij në ndeshje të shumta, përfshirë Kupën e Botës dhe Olimpiadën, “Superliga e Fshatit” Rongjiang është fantastike.
David Geary, një tifoz futbolli nga Mbretëria e Bashkuar, mori pjesë në një ndeshje të "Cun Chao-s" në fillim të qershorit. Ai u mahnit kur pa kaq shumë fshatarë që luanin futboll. "Futbolli i bashkon njerëzit, gjë që është thelbi i sportit. Në 'Cun Chao' të gjithë fshatarët vijnë për të mbështetur ekipet e tyre dhe kështu duhet të jetë futbolli." - tha Geary.
"Cun Chao" në Rongjiang, provincë Guizhou(Foto:VCG)
"Cun Chao" në Rongjiang, provincë Guizhou(Foto:VCG)
Para se të bëhej e njohur si vendlindja e “Cun Chao-s”, konteja Rongjiang kishte një traditë të gjatë futbollistike. Sipas Lin Taos, një zyrtar në qeverinë e kontesë Rongjiang, futbolli ishte prezantuar këtu që prej vitit 1940 dhe që nga ajo kohë, ishte bërë pjesë e jetës së vendësve. Në analet e kontesë shënohet se në Luftën kundër Agresionit Japonez në vitet 40’ të shekullit të kaluar, Universiteti Guangxi u zhvendos në Rongjiang, kontenë e largët malore. Studentët e universitetit argëtoheshin me futboll, basketboll, pingpong dhe më vonë ua mësuan këto lojëra fshatarëve vendës. Në vitet 90’, banorët nisën organizimin e ndeshjeve të futbollit mbi fusha të thjeshta. Sipas Li Mingxing, kreut të shoqatës së futbollit të Rongjiangut, kushtet e vështira nuk i pengonin njerëzit të ndiqnin ëndrrën e tyre të futbollit. Qoftë në arë, brigje lumi apo terrene të tjera të vështira, banorët shiheshin duke luajtur futboll.
Vitet e fundit, qeveritë e të gjitha niveleve në Kinë kanë shtuar përpjekjet për të nxitur zhvillimin rural, duke rritur edhe investimet në zgjerimin dhe përmirësimin e kushteve sportive. Aktualisht, në kontenë Rongjiang ka 14 fusha standarde futbolli, të cilat përdoren falas prej të gjithë banorëve. Jo vetëm kaq, sepse qeveria lokale mbështet në mënyra të ndryshme shoqatën e futbollit për të krijuar klube amatore dhe ngritur nivelin sportiv të futbollistëve. Si rezultat, mes 385 mijë banorëve vendorë, 50 mijë luajnë futboll dhe më shumë se 30 ekipe thithin mbi 1.000 lojtarë rezervë.
Përmirësimi i pajisjeve sportive në mbarë vendin ka hedhur një themel të fortë që evenimente si “Cun Chao” të lulëzojnë, duke inkurajuar më shumë njerëz në fshat të marrin pjesë në aktivitetet fizike. Veprimtaritë e ndryshme sportive që zhvillohen në zonat rurale si Liga e Basketbollit në Zhuji të provincës Zhejiang, turneu i gatebollit në Xinxian të provincës Jiangxi, spartakiada e fshatarëve në Tianquan të provincës Sichuan etj., po udhëheqin “modën e re” në më shumë fshatra të Kinës.