Jusi dhe muzika që i buron nga shpirti
2023-06-18 14:07:10


Këngëtarja Jusi Sinanaj e ka nisur muzikën që në moshën të vogël, duke u angazhuar në aktivitete të ndryshme artistike. Gjatë largimit drejt Italisë jeta e saj mori tjetër drejtim. Ajo e la muzikën duke ju kushtuar një tjetër pasioni të saj, imatematikës. Pas studimeve të larta për finance Jusi punoi disa vite, por dukej se diçka mungonte brenda saj. Ajo vendosi t’i rikthehej dashurisë së madhe për muzikën. Një nga këngët e para të saj ishte “Ti je dashuri”, në duet me ish këngëtarin e grupit Links në atë kohë  Endrikun. Më pas Jusi publikoi disa këngë si soliste dhe vijoi të ecë suksesshëm në tregun muzikor, por kryesisht me interpretime në ambjente ku këndohet live. E ftuar në Radio Ejani ajo tregon për jetën artistike dhe projektet e reja muzikore.

CMG: Kënga jote e fundit me videoklip  mban titullin “Po du me pi”. Na trego më tepër për këtë këngë dhe fabulën e saj?

Jusi Sinanaj: Teksti është pak i ndërlikuar, mban titullin “Po du me pi” dhe është një këngë, e cila i dedikohet një vajze të lënduar nga tradhëtia në dashuri, e që dëshiron ta mbushë sadopak dhimbjen që i ka shkaktuar ky lëndim, nga lidhja e sapo lënë pas krahëve. Kështu që pimë, e në këtë mënyrë gëzojmë, harrojmë e festojmë, e jo vetëm për të, por për të gjithë. Stina e verës përkon më së miri me këtë.

CMG: Në lokalet e verës ku ke qenë e ftuar, a pijnë më tepër ndërsa dëgjojnë këtë këngë?

Jusi Sinanaj:  Kur këndoj live gjatë verës  jam më tepër e pranishme nëpër resorte në bregdet, ku përveçse ka shqiptarë të cilët e njohin muzikën shqipe dhe kënaqen, ka edhe shumë të huaj që e shijojnë muzikën në maksimum. Kjo është një këngë e ëmbël, por ka shumë ritëm dhe argëtohen tepër.

CMG: Meqënëse jemi sërish në stinën e verës, ke menduar të realizosh  diçka tjetër ritmike për t’i afruar njerëzit edhe këtë verë në pistat e kërcimit?

Jusi Sinanaj: Po sigurisht, së shpejti do vij projekti i ri, një këngë të cilës ende nuk i kemi vendosur një titull, se jemi ende duke e punuar. Për këtë arsye nuk mund të them një datë fikse për daljen e saj në treg, por besoj që në fillim të muajit korrik, mund të jetë gati kjo këngë  me ritme verore.

CMG:  Kjo do jetë një këngë solo, apo bashkëpunim?

Jusi Sinanaj: Do të jetë këngë solo, por kam menduar edhe për një bashkëpunim, të cilin dua ta mbaj pak sekret.

CMG: Jusi, do të na flasësh për fillimet e tua, si lindi muzika tek ty?

Jusi Sinanaj: Muzika ka lindur bashkë me mua, ka qenë në venat e mia. Kam qenë shumë e vogël, në kopësht dhe aty vinin nga shtëpia e pionierit e shihnin se kush nga fëmijët ishte i talentuar si në kanto, por edhe degë të tjera artistike. Aty më pikasën, fillova më pas të merrja pjesë në disa koncerte e aktivitete kulturore në qytetin tim të lindjes, në Vlorë. Kjo ka filluar që në moshën 5 deri 9 vjeç sepse mu desh të ikja jashtë Shqipërisë për të vazhduar gjimnazin dhe pasi u ktheva u mora me jetën time private, erdhi martesa, u bëra me fëmijë. Më pas  iu riktheva sërish muzikës sepse ishte një pasion që vlonte brenda meje, të cilin nuk mund ta lija.

CMG: Pra more vendimin për t’iu rikthyer muzikës?

Jusi Sinanaj: Pikërisht, për mua ishte një peng qe më kishte mbetur dhe kur i kisha të gjitha mundësitë për ta realizuar, atëherë mendova përse jo. Realizova së pari një bashkëpunim me Endrik Bebën, ish pjesëtar i grupit “Links”, pastaj me mbrëmjet live. Njerëzit filluan ta pëlqenin zërin tim dhe mënyrën time të të kënduarit, e kështu ndejta në tregun muzikor.

CMG: Gjatë këtyre viteve që ke kënduar live, çfarë të ka mbetur në mendje ndonjë koment nga publiku?

Jusi Sinanaj: Komplimentat janë të shumta për ne artistët, ashtu sikurse edhe e kundërta. Kam marrë dhurata, kam qenë duke kënduar e më ka ardhur një tufë me lule nga një person që më pëlqente si këngëtare. Përpos komplimenteve janë këto veprimet e vogla që unë i vlerësoj shumë e jam ndjerë mjaft e vlerësuar.

CMG: Po kritikat kush t’i ka bërë?

Jusi Sinanaj: Zakonisht ato vijnë nga rivalët. Si në çdo punë në çdo profesion edhe në muzikë ka shumë brryla. Në profesionin tonë janë të rrallë që artistët të vlerësojnë artistët. Këtu tek ne ekziston një lloj xhelozie, e nëse dikush punon e ka shumë punë, kanë xhelozi e mundohen të të prishin punë. Unë vazhdoj të kem mbrëmje live, këndoj në shumë qytete të vendit si dhe në Tiranë dhe puna ime flet vetë. Kështu që në shumicën e rasteve nuk i marr fare për bazë.

CMG:  Meqënëse je këngëtare e muzikës live, a do të marrësh pjesë në festival?  

Jusi Sinanaj: Oh, më pëlqen shumë kjo pyetje. Kam dashur të marrë pjesë të them të vërtetën, por duke dëgjuar ndonjëherë fjalë për konkurimet, mendoj se nuk është koha që të konkuroj diku momentalisht. Patjetër që kurrë nuk them kurrë, por për momentin  mendoj se nuk do marr pjesë në festivale.

CMG: Cili është repertori që zgjedh të interpretosh kur këndon live?  

Jusi Sinanaj: Është i miksuar shpesh, sepse varet edhe nga vendi ku ne performojmë. Për shembull në restorante preferohen këngë piano bar, balada, pra këngë të lehta, në club-e kërkohen më shumë këngët ritmike gjithashtu edhe populloret, ndërsa në Lounge fillohet pak më lehtë, e deri sa ngrihet atmosfera dalëngadalë me këngë me më shumë alegri. Por shpërthimi sigurisht që është gjithmonë te muzika popullore.

CMG: Jusi ti e ke nisur shumë herët muzikën, përse nuk studiove për muzikë, kur e doja kaq shumë atë?  

Jusi Sinanaj: Gjatë kohës që isha në 8-vjeçare kam pasur një lidhje shumë të ngushtë me lëndën e matematikës. Isha pjesëmarrëse dhe fituese në çdo Olimpiadë Matematike, e për këtë arsye zgjodha një degë për të cilën mendova se kishte lidhje me të,  zgjodha të studioja për Financë. Ishte një degë e bukur dhe nisa që në shkollë të mesme, ku ndoqa degët Ekonomi- Juridik, e më pas Fakultetin dhe Masterin për Financë. Kam punuar vetëm 5 vite në profesionin tim, pastaj pasioni mu shua shpejt. Ndoshta nga kushtet që ofron vendi ynë, e unë duke qenë një njeri që kërkoj shumë nga vetja, nuk u ndjeva e  vlerësuar nga pagesa për atë që unë jepja dhe nuk e vazhdova më.

CMG: Pastaj vendose të hapësh sërish sirtarin që kishe lënë mbyllur për pak kohë…

Jusi Sinanaj: Pikërisht, e hapa sërish sirtarin të lënë gjysmë të hapur. Pasi e kisha stabilizuar pak jetën familjare, ishte koha të rikthesha sërish në muzikë, të cilën mendoj se do ta vazhdoj sa të mundem.

CMG:  Ti personalisht ku mendon se fle më mirë vokal i yt, në cilin zhanër?

Jusi Sinanaj: Në balada. Ne këngëtarët na ndodh shpesh që kur dëgjojmë vokalin tonë, të mos e pëlqejmë shumë, por në balada ama  më pëlqen vërtet. Aty mund të dallosh vërtet sesi këndon një këngëtar e çfarë vokali ka, sepse aty zëri është totalisht i zhveshur e nuk mund të kamuflohet.

CMG: Cila është kënga dhe këngëtari yt i preferuar?

Jusi Sinanaj: Më ke vendosur përpara një zgjedhje shumë të vështirë. Kam disa në fakt jo vetëm një, por Aurela Gaçe është mbretëresha e muzikës shqiptare mendoj se ka zërin, performancën, i ka të gjitha dhe kënga ime e preferuar është balada  e Aurelës  “Shpirt i shpirtit tim”.

CMG: Ti ke dhe një vajzë, të cilën e ke  këtu pranë teksa bisedojmë. A e ka ajo pasion muzikës ashtu si ti dhe a do doje që ajo të merrej me muzikë?

Jusi Sinanaj: Vajzës i pëlqen muzika shumë, ka qenë edhe në kurse kantoje. Çdo këngë e re që del Zhaki e mëson e para. Do doja që ta vazhdonte rrugëtimin e muzikës përderisa e ka me shumë qejf, por për momentin ka shkollën primare.

CMG: A ka kohë një artiste për t’ju përkushtuar familjes?

Jusi Sinanaj: Jeta e natës është e ngarkuar, por pas pandemisë është një orar më i reduktuar në netët live dhe mbrëmjet muzikore. Kështu që tani kam më shumë kohë për t’u marrë me familjen. Më përpara kemi punuar me orare shumë të zgjatura natën, kur kthehesha në shtëpi isha e lodhur, paradite doja të flija, nga ana tjetër familja donte përkushtimin e saj. Por tani jam shumë më e lirë dhe kam më tepër kohë për familjen time.

CMG: Pasioni yt është kthyer edhe në profesion tani, apo në të ardhmen ndoshta mund të rikthehesh sërish tek financa?

Jusi Sinanaj: Pa patur kushte më të mira, te financa nuk kthehem më. Me muzikën do të vazhdoj derisa të mundem e të kem fuqi të këndoj. Ndoshta do vij një moment që mund të shkëputem e të hap një biznes timin në të ardhmen.

CMG: Pas një dekade do të të shohim sërish në skena me këtë lloj energjie?

Jusi Sinanaj: Nëse zërin do ta kem mirë, me siguri që po. Por mendoj se edhe pamja luan rol të rëndësishëm, e unë nuk dua të dal “e plakur” në skenë. Me siguri  nuk e them dot, por do doja shumë të isha në skenë ende edhe pas 10 vitesh.

CMG: Me kë do të doje të bëje një bashkëpunim?

Jusi Sinanaj: E kam shprehur edhe më parë, do doja të kisha një bashkëpunim me Flori Mumajesin. E vlerësoj shumë si këngëtar dhe kantautor?

CMG: Ke provuar ta ftosh për një bashkëpunim?

Jusi Sinanaj: Ende jo, por do vazhdoj të insistoj, do ta ftoj sepse më pëlqen shumë ta kem një bashkëpunim me të.

CMG: Unë të uroj shumë suksese! Çfarë do thoje së fundi për të gjithë  ndjekësit e tu?

Jusi Sinanaj: Unë do i sugjeroja të gjjthëve që të ndjekin ëndrrat e tyre, duhet të luftojmë gjithmonë për të arritur ato që duam dhe të këmbëngulim deri në fund. Ky është mesazhi im për të gjithë.

Intervistoi: Sava Lena